Imigracioni: imzot Marketo, të hapet përsëri zyra e OKB-së për refugjatët në Libi.
“Na brengos lajmi që në Libi janë mbyllur zyrat e Komisariatit të Lartë të Kombeve
të Bashkuara për refugjatët. Ky fakt e rëndon edhe më shumë çështjen e refuzimit e
të dëbimit të refugjatëve në Mesdhe si dhe e bënë më të vështirë aplikimin e parimit
non-refoulment, që do të thotë mos pranimi i emigrantëve që janë detyruar të ikin
nga Vendet e tyre sepse janë në rrezik jete apo të persekutuar. Kështu pohoi imzot
Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor për Baritorinë e emigrantëve dhe endacakëve,
i cili sot pasdite mori pjesë në një takimi të organizuar pranë Qendrës së Jezuitëve
për emigrantët në Romë, ‘Qendra Astalli’. Imzot Marketo njoftoi më tej se brenda
këtij viti do të botohet një dokument i Vatikanit mbi orientimin e veprimtarisë baritore
mbi çështjen e refugjatëve e të emigrantëve të dëbuar. Sekretari i Këshillit Papnor
citoi dokumentin e Vatikanit të vitit 1992 “Refugjatët, një sfidë e solidaritetit”,
e foli për një dokument të ri, i cili “duhet të jetë gati, i azhurnuar me të dhëna
në fushën e refugjatëve e pritet të botohet brenda vitit”. Lidhur me refuzimin
në Mesdhe dhe mbylljen e zyrës së UNHCR-së në Libi, imzot Marketo vuri në pah rastin
e fundit të “një barke me refugjatë dhe me një fëmijë prej pak muajsh, që pas një
kalimi andej këndej mes Italisë e Maltës, barka qe detyruar të shkonte në brigjet
e Libisë”. “Tani është më rëndësi të hapet përsëri ky kanal që ekzistonte edhe në
Libi - pohon prelati -, siç pati uruar edhe ministri i jashtëm italian Frattini për
të ndihmuar refugjatët në nevojë. Unë personalisht e mbështes këtë nismë. E në
mbështetje të këtij qëndrimi, ipeshkvi Marketo kujton se në Afrikë është në fuqi Konventa
e Organizatës së Unitetit Afrikan (Oua) e 10 shtatorit të vitit 1979, që rregullon
aspektet e veçanta të problemit të refugjatëve në Afrikë, si shtesë e elementeve të
Konventës së vitit 1951 që i referohen protokollit të vitit 1967, që “trajton në mënyrë
pozitive çështjen e statusit të refugjatit”.