2010-06-14 16:30:18

Benedikti XVI falënderon Zotin për frytet e Vitit meshtarak, duke kujtuar faqet e lavdishme të historisë, shkruar me ndihmesën e meshtarëve.


(14.06.2010 RV)“Meshtari është dhuratë e Zotit për Kishën e për botën”. Kështu u shpreh Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se shumë faqe të risimit të vërtetë shpirtëror e shoqëror në historinë e njerëzimit, u shkruan me ndihmesën vendimtare të meshtarëve katolikë.
Niste, kështu, bilancin e parë të Vitit meshtarak, dy ditë pas mbylljes:
Këtu, në Romë, jetuam ditë të paharrueshme, me praninë e më se pesëmbëdhjetë mijë meshtarëve, nga të katër anët e botës. Prandaj sot dëshiroj të falënderoj Zotin për të gjitha përfitimet që pati Kisha universale nga ky Vit. Askush nuk mund t’i matë, por sigurisht do të duken, e aq më shumë do të duken frytet e tyre”.
Meshtari është dhuratë e Zemrës së Krishtit: dhuratë për Kishën e për botën, nënvizoi Papa, duke kujtuar se meshtarët janë punëtorët e parë në kantierin e pafundmë, ku ndërtohet qytetërimi i dashurisë:
E këtu mendoj për shumë figura meshtarësh, të njohur e të panjohur, disa të lartuar në nderimet e elterit, të tjerë, të paharruar në kujtesën e besimtarëve, qoftë edhe në bashkësi të vogla famullitare”.
Në vijim Benedikti XVI u ndalua tek dy figura meshtarësh: Shën Gjon Maria Vianej, i njohur si Famullitari i Arsit, fshat francez, ku kreu misionin e tij meshtarak dhe Jerzhi Popielushko, meshtar e martir, lumnuar të dielën e kaluar në Varshavë, i mirënjohur për bujarinë e guximin përkrah atyre, që luftonin për mbrojtjen e lirisë, të dinjitetit, të jetës. Një veprimtari në shërbim të së vërtertës, shenjë kundërshtie, theksoi Papa, për regjimin që sundonte asokohe në Poloni. Dashuria e tij për Zemrën e Krishtit ishte aq e madhe, sa të jepte edhe jetën për të, duke u bërë, në një tokë të mbrujtur me gjak martirësh, farë e hedhur për ardhjen e një pranvere të re, në Kishë e në shoqëri:
“Në se shfletojmë historinë, mund të vërejmë sa faqe risimi shpirtëror e shoqëror u shkruan me ndihmesën vendimtare të meshtarëve katolikë, të frymëzuar vetëm nga pasioni për Ungjillin e për njeriun, për lirinë e tij të vërtetë, fetare e civile. Sa nisma për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor nisën nga intuita e zemrës meshtarake!”.
Benedikti XVI ia besoi, më pas, klerin e mbarë botës, mbrojtjes së Zojës së Bekuar, Nënë e meshtarëve.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi dy të lumtur të rinj, që jetuan në shekullin e kaluar. Manuel Lothano Garrido, laiku i parë gazetar lartuar të shtunën e kaluar në nderimet e elterit, tha Papa, ndonëse i sëmurë e invalid, punoi me frymëzim të krishterë e me fryte të dukshme në fushën e komunikimit shoqëror. Në figurën e tij, vijoi Ati i Shenjtë, duke folur në gjuhën spanjolle, gazetarët mund të gjejnë një dëshmitar, i cili flet vetë për të mirën, që mund të bëhet, kur penda i kushtohet madhështisë së njeriut e vihet në shërbim të së vërtetës e të çështjeve fisnike. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe djaloshin martir, Alojzi Grozde, që u shpall i lum dje, në Celje të Sllovenisë. Laik, i martirizuar në moshën 20 vjeçare nga komunistët e vendit të vet, ai ishte plot me devocion për Eukaristinë, kujtoi Ati i Shenjtë. E ky devocion e ushqeu fenë e tij të patundshme, aftësinë e flijimit për shpëtimin e shpirtrave e apostullimin e tij në Veprimin Katolik”.







All the contents on this site are copyrighted ©.