2010-06-14 15:31:34

Benedikti XVI Akademisë Papnore Kishtare: nuncët të jenë shenjë e pranisë dhe e dashurisë së Papës


(14.06.2010 RV)Nuncët apostolikë duhet të jenë ura ndërmjet Kishave të veçanta dhe Selisë së Shenjtë: kështu u tha sot paradite Papa anëtarëve të Akademisë Papnore Kishtare, të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Benedikti XVI u ndal në konceptin e përfaqësimit të Atit të Shenjtë, i cili kërkon pasion të vërtetë për bashkimin kishtar. Papën e përshëndeti imzot Beniamino Stela, kryetar i Akademisë, ku formohen meshtarët e shërbimit diplomatik të Vatikanit. Por të dëgjojmë cila është detyra e nuncit apostolik, sipas Benediktit XVI:
“Nga njëra anë, të verë në dispozicion të Papës dhe të bashkëpunëtorëve të tij një vizion objektiv, korrekt e të thelluar të realitetit kishtar e shoqëror në të cilin jeton, nga ana tjetër, të impenjohet për të përçuar normat, orientimet, direktivat e Selisë së Shenjtë, jo në mënyrë burokratike, por me dashuri të madhe për Kishën e me ndihmën e besimit reciprok personal, krijuar me durim, duke respektuar e duke vlerësuar edhe përpjekjet e ipeshkvijve e rrugën e Kishave të veçanta, pranë të cilave janë dërguar”.
Shërbimi për të cilin përgatiteni, u tha Papa studentëve të Akademisë Papnore Kishtare, kërkon përkushtim e sakrifica. Por duke mbetur gjithnjë në marrëdhënie të ngushta me Zotin, kjo do t’ju pasurojë e do t’ju lidhë me shërbimin e Pasardhësit të Shën Pjetrit për ta mbajtur të bashkuar Kishën:
“Në këtë mënyrë, Përfaqësuesi Papnor – së bashku me ata që bashkëpunojnë me të – bëhet vërtet shenjë e pranisë dhe e dashurisë së Papës. Kjo është në të mirë të jetës së të gjitha Kishave të veçanta, veçanërisht në situata vërtet delikate e të vështira.”
Ky përfaqësim i Atit të Shenjtë nuk varet vetëm nga ambienti, ku nuncëve u duhet të punojnë, por edhe nga ata vetë:
“Të bëhesh zëdhënës i Vikarit të Krishtit mund të jetë punë impenjuese, nganjëherë jashtëzakonisht kërkuese, por kurrë poshtëruese, ose shpersonalizuese. Përkundrazi, bëhet një mënyrë origjinale për të realizuar thirrjen meshtarake të secilit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.