Sot e diel 13 qershor, Kisha kremton të dielën e 11-të gjatë vitit kishtar
ciklit të tretë e po më 13 qershor sipas kalendarit Kishtar bie edhe festa e Shëna
Ndout të Padovës. E figura madhore e këtij shenjti kremtohet në të gjitha
vendet antoniane: nga Portugalia, në Padovë, si edhe në trevat shqiptare. Kështu në
Laç të Sebastes e Braticë në Shqipëri, në Gjakovë, Binçë e Gllogjan në Kosovë, në
Tuz e Gusi në Mal të Zi, sot nderohet Shëna Ndou i Padovës, françeskan e doktor i
Kishës. Jeta e tij na kujton se për të qenë i krishterë i vërtetë, nuk mjafton t’i
pranosh urdhërimet e Tënzot, por duhet t’i jetosh ditë për ditë, i frymëzuar nga Shpirti
i jetës.
Nesër e hënë 14 qershor, kalendari Kishtar përkujton Shën
Elizeun profet dhe Shën Leduinën. Liturgjia e ditës na kujtojnë brohoritjen e psalmistit:
“Na jep, o Zot, sy, për të parë lumninë tënde!”. Na kujtojnë edhe se mësimet e Jezusit
nuk na pengojnë ta jetojmë me fund jetën tonë njerëzore. Përkundrazi, na ndihmojnë
ta gëzojmë me frymë thellësisht humane e kristiane, me dashuri, bujari, drejtësi e
solidaritet. Të martën më 15 qershor përkujtohen shën Vito
martir, shën Bernardi nga Mentone, kanonik i rregullt i shën Agustinit dhe shën Gjermana
Kuzin, virgjër. Ne jemi populli i Zotit, këndon Psalmi i sotëm, grigja që Ai udhëheq.
Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë:
Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo
vetëm në këtë botë, por në amshim. Të mërkurën, më 16 qershor,
kujtohen shën Kuiriku dhe shën Gjulieta, martirë. Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur
e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me
zemër të përvujtë.
Të enjtën e javës së ardhshme më 17 qershor përkujtojmë
shenjtorët Biaxho dhe Diogjeni, të dy martirë. Mëshirë për ne o Zot, në mirësinë tënde
të madhe shlyeji mëkatet tona. Liturgjia na kujton se Krishti u bë i varfër, për të
na pasuruar, sepse dëshiron që edhe ne të bëhemi të përkryer, si Zoti. Të
premten që vjen më 18 qershor, do të përkujtohet festa e Shën Markut e Marçelianit,
martirë romakë dhe e Shën Marinës. Na kujtojnë se ligji i ri i Krishtit i fton të
gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu
edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.
Të shtunën më 19 qershor kalendari i Kishës përkujton shën Romualdin,
abat, themelues i Kamaldolezëve, shën Gjuliana Falkonierin, virgjër, themeluese e
Mantelateve dhe shenjtorët Gjervazo e Protazo, martirë milanezë. Qielli shpall drejtësinë
e Zotit e të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij. Të dielën e
ardhshme më 20 qershor, Kisha kremton të dielën e 12-të gjatë Vitit Kishtare e
po më 2o qershor kalendari përkujton edhe Shën Silverin papë e martir .Liturgjia
na kujton se Zoti e bekon njeriu që jep me gëzim, që di të dhurojë pa shpërblim, pa
shikuar kurrfarë interesi, pa pritur që ndokush t’i shprehë mirënjohjen për veprat
e mira. I mjafton besimi se Zoti sheh gjithçka.