2010-06-12 09:58:11

Përfundoi Viti Meshtarak. Triditëshi i meshtarëve me Papën dhe editoriali i atë Federiko Lombardit me titull “Thesar në enë prej dheu”


Javës që kaloi, meshtarët e gjithë botës u mblodhën rreth Papës në Romë për të kremtuar përfundimin e Vitit Meshtarak me temë “Besnikëria e Krishtit, bensikëri e meshtarit”, shpallur nga Benedikti XVI më 19 qershor 2009, me rastin e 150-vjetorit të kalimit në amshim të Famullitarit të shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianej. Qenë tri ditë të ngjeshura me aktivitete, ku në Romë kaluan mëse 10 mijë meshtarë, të cilët u lutën në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve dhe në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, për t’u takuar pastaj me Atin e Shenjtë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në mbrëmjen e lutjes, më 10 qershor e të nesërmen, në Meshën solemne për mbylljen e këtij viti, gjatë të cilit u reflektua shumë mbi misionin e meshtarit në botë, duke u nisur nga shembulli i Famullitarit të Arsit.
Na pëlqen të kujtojmë, atë që Benedikti XVI tha në mbrëmjen e lutjes, të enjten e kaluar, kur duke i këshilluar meshtarët ta ushqejnë shpirtin me Eukaristinë, mori si shembull të Lumen shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezën. Ja fjalët e Papës:
“Të mendojmë për Nënë Terezën, vërtet shembull madhështor për këtë shekull, për këto kohë, shembull dashurie që e harron vetveten, që lë mënjanë çdo lloj klerikalizmi, që përzihet me botën, shkon tek më të braktisurit, tek më të varfërit, tek personat në prag të vdekjes dhe dhurohet krejtësisht për të varfërit e të braktisurit. Por kjo Nënë Terezë, që na ka dhënë këtë shembull, këtë bashkësi që ndjek gjurmët e saj, vendoste gjithnjë Tabernakullin si kusht i parë për themelimin e kongregatës. Pa praninë e dashurisë së Zotit, që u jepet të tjerëve, nuk do të ishte i mundur realizimi i atij apostullimi, nuk do të ishte e mundur të jetonte lëshimin e vetvetes në dorën e Zotit. Vetëm duke e lënë veten në dorën e Zotit, në këtë aventurë të Hyjit, në këtë përvujtëri të Atit të Gjithpushtetshëm, motrat e Nënë Terezës mundën e mund të kryejnë edhe sot këtë akt të madh dashurie, këtë shërbim për të gjithë”.
Ia japim tani fjalën drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Selisë së Shenjtë, i cili editorialin e kësaj jave ia kushton pikërisht mbylljes së Vitit Meshtarak. Ta dëgjojmë:
“Mbyllja e Vitit Meshtarak ishte një festë e madhe e meshtarëve të botës me Papën. 10 mijët që erdhën në Romë, përfaqësojnë shumë të tjerë, me të njëjtat ndjenja. Një festë në fe e në lutje. Papa ishte krejt i qartë në ftesën e fuqishme për ta parë meshtarinë jo si zyrë, jo si profesion njerëzor, por si dhuratë e Zotit, të një Hyji që u beson “me guxim” njerëzve të thonë fjalët e tij të faljes e ta bëjnë të pranishëm në botë me Korpin e Gjakun e tij. Njerëz – tha Papa gjatë Mbrëmësoreve – që tërhiqen prej Tij, në personin e Krishtit, drejt “botës së ringjalljes”. Dëshmitarë të një bote, që nuk është vetëm ajo e sotmja, ku Zoti nuk hyn, por është ajo e ardhmja, e cila bëhet e pranishme që sot në fjalët e në aktet sakramentore të meshtarit.
Papa vërejti se skandalet e abuzimeve seksuale të meshtarëve e kanë vënë më tepër në pah faktin se dhurata e Zotit fshihet në “vazo të brishtë prej balte” – siç thotë Shën Pali – dhe se duhet kuptuar pikërisht si dhuratë e jo si lavdi njerëzore, duhet pranuar me përvujtëri e guxim e ruajtur me impenjim, duke kërkuar mbrojtjen e Zotit, që të mos shkatërrohet nga mëkati e që abuzime të tilla të mos ndodhin kurrë më.
Mirënjohje, përvujtëri, besim, në një perspektivë feje. Kisha nuk mund të jetojë pa dhuratën e meshtarisë. Duhet t’ia kërkojmë Zotit me intensitet dhe këmbëngulje. Imazhi i adhurimit mbrëmësor të Eukaristisë në Sheshin e Shën Pjetrit duhet të na shoqërojë gjithnjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.