Në nderimet e elterit nëntë të lum të rinj, tre nga të cilët, shekullarë
Ndërmjet qershorit e nëntorit të këtij viti, Kisha larton në nderimet e elterit nëntë
të lum, tre nga të cilët, shekullarë. Zyra e Kremtimeve Papnore Liturgjike njoftoi
javën e kaluar edhe datat e riteve të ardhshme të lumnimit, miratuar nga Benedikti
XVI.
Do të jetë Kisha spanjolle, bashkësia që do të kremtojë më shumë,
në muajt ardhshëm, duke shtuar radhët e saj me tre të lum të rinj. I pari, u shpall
i Lum dje, në Linares. Është Manuel Lothano Garrido, laiku i parë gazetar lartuar
në nderimet e elterit. Një kremtim i dyfishtë, gjithnjë në Spanjë, do të jetë ai i
shtatorit. Do të shpallen të lum, Leopoldo de Alpandeire (Franthisko Sançes Marketh),
rregulltar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël kapuçinë – të shtunën, më 12 shtator
në Granada; e, gjashtë ditë më pas, në Sivilje, Maria de la Imakulada Konthepthion
(Maria Isabel Salvat i Romero), virgjër.
Laikja tjetër, Kjara Badano, një vajzë
italiane savonese, shuar pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 19 vjeçare, do të
lumnohet të shtunën, më 25 shtator, në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore, në Romë.
Dy janë themelueset e instituteve rregulltare, që do të lartohen në elter:
Ana Maria Adorni, vejushë, themeluese e Kongregatës së Shërbëtoreve të Zojës së Papërlyer
dhe e Institutit të Bariut të Mirë të Parmës, që do të lumnohet të dielën, më 3 tetor,
në qytetin emilian, dhe rregulltarja Maria Barbara e së Shenjtnueshmes Trini (Barbara
Maix), themeluese e Kongregatës së Motrave të Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekuar,
riti i lumnimit të së cilës do të kremtohet më 9 nëntor, në Porto Alegre të Brazilit.
Sot,
13 qershor, në Celje të Sllovenisë, u shpall i Lum Alojzi (Lojze) Grozde, laik, martirizuar
në moshën 20 vjeçare, nga komunistët e vendit të vet; ndërsa më 27 qershor, në Kfifan
(Batrun-Liban), do të ngrihet në nderimet e elterit Estefan Nehmé, rregulltar i Urdhërit
libanez maronit. E, së fundi, më 30 tetorin e ardhshëm, në Oradea Mare të Rumanisë,
do të jetë radha e ipeshkvit Silard Bogdanfí, edhe ai martir, mbytur nga urrejtja
për fenë e Krishtit. Thamë se ndërmjet të lumëve të rinj, është edhe Manuel Lothano
Garrido, figura e jashtëzakonshme e të cilit u paraqit të mërkurën në emitenten tonë,
nga kryetari i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, kryeipeshkvi Klaudio Maria
Çeli. Anëtar i Veprimit Katolik, gazetar e shkrimtar, invalid e i verbër, dëshmitar
i Ungjillit e apostull plot gëzim! Janë disa nga tiparet, që e dalluan Manuel Lothano
Garridon. Lindur më 1920 në Linares, i njohur më shumë me emrin përkëdhelës ‘Lolo’,
është gazetari i parë laik, që shpallet i Lum. E jetoi gjithë jetën me fe të gjallë.
Gjatë persekutimit fetar në Spanjë, në kulmin e Luftës civile, Lolo u zgjodh për t’u
çuar Kungimin Shenjt të burgosurve. Ishte më pak se 16 vjeç, kur u arrestua. Vite
më pas, do të kujtonte një nga gëzimet më të mëdha të jetës së tij: gëzimin që ndjeu,
kur kaloi natën e së Enjtes së Madhe, së bashku me të burgosur të tjerë, në adhurim
para të Shenjtnueshmit Sakrament. Gjithë jeta e tij përshkohet nga pasioni për të
vërtetën, bazuar mbi Ungjillin, siç e nënvizoi kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli: “Ajo,
që më preku më shumë, ishte feja e tij. Herën e parë që u krijuan mundësitë për ta
kremtuar Meshën Shenjte në shtëpinë e tij, kur ishte i sëmurë rëndë, para se të fillonte
kremtimi, pyeti në se makina e shkrimit ishte vendosur nën elter; dëshironte që Kryqi
të shkrihej e të bëhej një me gërmat e makinës së shkrimit e që, edhe aty, të jepte
frytet e veta”. Në vitin 1942 nisi të vuajë nga një paralizë në zhvillim e
cila, pas pak kohe, do ta ngujonte në krevat. Më 1962 humbi edhe dritën e syve, por
kjo nuk mundi ta thyente karakterin e tij, të çelnikosur nga fryma eukaristike e mariane.
Vijoi ta jetonte thirrjen për të shkruar, duke dëshmuar të vërtetën, të cilën e shikonte,
tashmë, vetëm me sytë e zemrës: “Lolo, kohët e fundit, tha imzot Çeli, e jetoi
thellësisht këtë thirrje, gjithnjë në bashkim me Krishtin, që ia shndërronte dhimbjet
në shëlbim, në hir, në dashuri. Ishte një sakat i lumtur!”.