Ndërron jetë Gjergj Zheji, studiues e përkthyes i letërsisë e kulturës shqipe
Shkrimtarit, përkthyesit, dhe studiuesit të letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj
Zheji, që u nda nga jeta më 10 qershor në moshën 84-vjeçare, iu dha të premten më
11 qershor lamtumira e fundit nga miq, politikanë, kolegë e artdashës, në mjediset
e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku bënë homazhe pranë trupit të tij të pajetë.
Miq dhe të afërm ndanë kujtimet për një njeri të jashtëzakonshëm, i cili do t`i mungojë
letrave të gjuhës shqipe. Gjergj Zheji, ishte një nga personalitetet e kulturës shqiptare,
që dha kontribut në disa fusha. Ai do të mbetet i pari studiues që ka realizuar një
monografi për jetën e Andon Zako Cajupit. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare
dhe studiuesi Aurel Plasari shprehet për ATSH-në, se "Gjergj Zheji do të kujtohet
nga të gjitha moshat, që nga fëmijëria ku lexohen "Aventurat e Pupagjelit", deri në
moshën e pleqërisë ku lexohet "Mosha e Platonit". "Ai u ka ofruar këtë ushqim
fisnik shqiptarëve për t'a kujtuar në gjitha stadet e moshës së tyre, dhe besoj se
është një gjetje për t'ia pasur zili, sepse jo të gjithë ia arrijnë të përmbushin
këtë gamë ushqimi shpirtëror për popullin e tyre", tha ai. Plasari vë në
dukje se, "Gjergj Zheji u shndërruar në një përkthyes në periudhën e vështirë të diktaturës
kur përkthimi i letërsisë së madhe botërore ishte një lloj ikje nga diktatura si dhe
një kundërvënie ndaj saj. Këtë bënte Gjergj Zheji kur përkthente dramat e Ibsenit,
Gëtes, Librin e Xhunglës. Por dashuria për letërsinë botërore nuk i humbi as në periudhen
në lirisë kur ai realizoi disa nga ëndrrat e tij si "Republika e Platonit", tekstet
filozofike, "Shopenhauer", që ishin tituj ku ai i ëndërronte kur ishte i ri, por i
realizoi në një epokë tjetër". Gjergj Zhejin e cilëson "si një njeri me oratori
natyrore", Rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj. "Ai kishte një oratori
natyrore edhe në fushën e artit, sepse arti ynë nuk ka nevojë vetëm për një krijimtari
të vlerave artistike, por ka nevojë për një teori të mirëfilltë të artit, dhe një
ndër ata në fushën e artit tonë dramatik, ka qënë edhe profesor Zheji", tha Malaj.
Në punën e Gjergj Zhejit, spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë
të padiskutueshme, studimet për folklorin, një varg shkrimesh kritike. Ndër
veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi
shqiptar përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përrallat e Car Sulltanit" nga
Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi
është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj.
Një kontribut të jashtëzakonshëm zënë veprat e tij studimore për folklorin, të cilin
e cilësonte, "filozofi e popullit shqiptar".( nga ATSH-ja)
GJERGJ ZHEJI, SA SHUMË KISHTE ENDE PËR TË THËNË... TIRANË, 10 Qershor/2010
ATSH- Klodi Shehu/- Shkrimtar, përkthyes studiues i letërsisë dhe kulturës shqipe,
Gjergj Zheji vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën
e kulturës shqiptare. "Nuk kam dhënë aq sa kam dashur, por jo se nuk kam dashur
unë, por sepse nuk kam mundur", është shprehur në një nga intervistat e tij të fundit
për një të përditshme shqiptare, Gjergj Zheji, i cili mbylli sytë sot në moshën 84
vjeçare. Në fakt shumë vite të jetës së Gjergj Zhejit, përkuan me regjimin
komunist kur ishte shumë e vështirë të thoshe ato që mendoje. Por edhe në atë kohë
Gjergj Zheji pati guximin të thoshte shumë.... "Gjergj Zheji ka dhënë kontribut
në fushën e kritikës shqiptare në një kohë kur kritika ishte e kufizuar. Shkrimet
kritike të Gjergjit dalloheshin për përpjekjet për të emancipuar dhe për t'u shpëtuar
skemave dhe diktatit ideologjik të kohës", tha për ATSH-në akademiku Jorgo Bulo, i
cili ka bashkëpunuar gjatë me profesor Zhejin. Kështu përpiqej e punonte profesor
Zheji edhe pse regjimi i kapi me "gabime" dhe dy-tre romane, mes të cilave dhe "Mosha
e burrave", e cila siç është shprehur ai "është diskutuar në atë kohë në ambiente
frike". Por Gjergj Zheji nuk ishte vetëm një romancier e kritik letrar i madh....
Ai i dha forcë përkthimit, krijoi gjuhën e artit, gjuhën e romanit. Ndër veprat
e përkthyera prej tij përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përrallat e Car
Saltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer,
"Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Finit"
i Mark Tuein, një vepër që i ka kushtuar më shumë mund nga të gjitha. Mbi të gjitha
Gjergj Zheji ka vecuar përkthimin e veprës së Platonit "Republika", që e ka bërë të
shohë realitetin me sy tjetër. Një kontribut të jashtëzakonshëm zënë veprat
e tij studimore për folklorin, sepse ai e cilësonte atë filozofinë e popullit shqiptar.
Ndërsa tregon për bashkëpunimin me profesor Zhejin, akademiku Jorgo Bulo ndalet tek
përgatitja për veprën e plotë të Cajupit. "M'u desh të punoja me profesor Gjergj Zhejin
sepse ai ishte i pari studiues që realizoi një mongrafi për jetën dhe veprën e Cajupit.
Kam bashkëpunuar shpesh herë me të dhe i jam mirënjohës për ndihmën që më ka dhënë",
tregon akademiku Bulo, i cili edhe 10 ditë më parë ishte përpjekur të fliste për të
njëjtën arsye me profesor Zhejin, por mori përgjigjen se "ai po ikën". E ndërsa rreket
të kujtojë cdo bashkëpunim me profesorin, Jorgo Bulo thotë se Gjergji ishte i gatshëm
për t'i ndihmuar njerëzit dhe studiuesit e rinj... Autor i studimeve për Cajupin,
për folkorin, i një varg studimesh kritike, emri i Gjergj Zhejit është ngulitur dhe
në ato pak studime për metrikën shqipe dhe që sipas prof. Bulo "kanë një vlerë të
padiskutueshme". Sa shumë gjëra të tjera kishte për të thënë.... Në intervistën
e fundit kishte treguar se kishte shumë dorëshkrime, por nuk e dinte sa do të jetonte
që të shikonte ndonjë prej tyre të botuar. I kishte mbetur peng folklori, që ishte
pak i studiuar, sikurse kishte peng dhe rishikimin e letërisë. Pothuajse kishte
përfunduar dhe romanin dyvëllimësh "Sëmundja e lirisë". Ishte duke përgatitur një
libër me kujtime rreth familjes së tij të madhe, fshatit Zagori, vendlindjes së tij,
një zonë që shquhej për kulturë. Do të rrëfente për prindërit, vëllanë Petro Zheji,
studiues e përkthyes, motrën, Vera Zheji, po aq e njohur për zërin e saj në radio... Gjergj
Zheji është një euridit që i iku Shqipërisë. Brezat e tanishëm dhe ata të ardhshëm
kanë nevojë për të, pasi sic shprehet Jorgo Bulo "është e ardhmja që ka nevojë për
të shkuarën ka nevojë për traditën... dhe këtu vepra e Gjergj Zhejit dhe shumë aktorëve
të tjerë të jetës kulturore shqiptare ka krijuar një traditë pa të cilën nuk mund
të ecet përpara". Duke perifrazuar Platonin, Naim Frashëri ka thënë "të mëdhenj
janë ata që thanë të parët, ata që kanë dhënë kontributet e para jo ata që thanë të
shumët. Më vonë mund të thuash më shumë, por rëndësi ka ai që thotë i pari dicka".
Dhe këta janë ata që kanë vënë gurët e parë në themelet e kulturës sonë moderne...,
mes të cilëve dhe Gjergj Zheji.