2010-06-11 18:25:45

“Zemra, që të shtyn të dëshirosh gjëra të mëdha”, në qendër të Mitingut të ardhshëm të Riminit.


(11.06.2010 RV)“Është zemra, ajo që na shtyn të dëshirojmë gjëra të mëdha”. Këtë titull ka sivjet edicioni të 31-të i Mitingut të miqësisë ndërmjet popujve, që do të mbahet në Rimini, nga 22 deri më 28 gusht. Gjatë takimit, pjesëmarrësit do të mund të ndjekin njëqind takime, të shikojnë tetë ekspozita e 18 shfaqje. Në paraqitjen e ngjarjes së madhe tradicionale, organizuar dje, folën ministri i jashtëm italian, Fratini dhe drejtuesja e Mitingut, Emilia Guarnieri, të cilët theksuan se takimi i madh mes popujve do të jetë një shtytje për këtë reflektim: “Njeriu përcaktohet nga lidhja me pafundësinë, e kjo do të thotë se tek ai ka diçka, që e shtyn të dëshirojë gjëra të mëdha, të kërkojë gjithnjë atë, që i kapërcen kufijtë e caktuar e që nuk varet nga ai”. Kjo diçka është zemra, e cila nuk ngihet kurrë, duke e shtyrë njeriun të ecë rrugë pa rrugë, në përpjekjen për t’u kapur në pafundësi. Gjithsesi, njeriu ka mall për amshimin e ky mall mund ta nxisë të bëjë gjëra të mëdha. Për këtë e për vështirësitë, që ndeshen në këtë rrugë, do të rrihen mendime në Rimini, mes njerëzish, që përfaqësojnë një pjesë të mirë të mendësive të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.