2010-06-11 15:18:52

Papa në lutjen e mbrëmshme në Shën Pjetër: meshtaria nuk është profesion, por dëshmi dashurie. Shembull, Nënë Tereza.


(11.06.2010 RV)Si meshtar në mesin e meshtarëve, Benedikti XVI mori pjesë mbrëmë në lutjen, që u zhvillua në sheshin e Shën Pjetrit, në përfundim të Vitit Meshtarak. Në një atmosferë të gëzueshme e të përzemërt, Papa u lut sëbashku me 15 mijë meshtarë, të ardhur nga e gjithë bota. Duke iu përgjigjur pesë priftërinjve, nga një për çdo kontinent, Ati i Shenjtë vuri theksin mbi misionin e meshtarëve, të thirrur të dëshmojnë dashurinë e Krishtit, pa iu nënshtruar modave të çastit. Pastaj, ripohoi rëndësinë e celibatit, shenjë e pranisë së Zotit në botë. Mbrëmja, e mbushur me dëshmitë e meshtarëve, përfundoi me Adhurimin Eukaristik.
Kori në festë i meshtarëve përshëndeti hyrjen e Papës në sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë u përgjigj me mirënjohje:
“E di se ka shumë famullitarë në botë, që punojnë vërtet me të gjitha forcat për ungjillëzimin, për ta bërë të pranishëm Zotin e Sakramentet e tij, e këtyre priftërinjve besnikë, me pasion për Krishtin, dua t’iu them një “faleminderit” të madhe, në këtë moment”.
Papa i ftoi meshtarët të mos e reduktojnë shërbimin e tyre thjesht në profesion, por ta jetojnë me gëzim dashurinë për Zotin, në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlikuar. Është e rëndësishme, që besimtarët ta shohin se prifti i tyre është i dashuruar me Krishtin, se ndjek Ungjillin me jetën e vet dhe dhuron gjithçka, siç bënte Famullitari i Shenjtë i Arsit, Shën Gjon Maria Vianej, 150-vjetori i vdekjes së të cilit, ishte rasti për shpalljen e Vitit Meshtarak, më 19 qershor 2009:
“Mendoj se është e rëndësishme që besimtarët ta shohin se prifti nuk bën thjesht detyrën, orë pune e pastaj i lirë për të jetuar për vete, por se është një person i apasionuar pas Krishtit, që bart zjarrin e dashurisë së Krishtit. Nëse shohin se është plot me gëzimin e Hyjit, e kuptojnë se nuk mund të bëjë gjithçka, i pranojnë kufizimet e tij dhe e ndihmojnë”.
Papa nuk mungoi të theksonte nevojën e një bisede personale me Krishtin. Meshtari, këshilloi Ati i Shenjtë, nuk duhet ta lerë mënjanë shpirtin e vet e duhet të lutet për ta ushqyer atë. Duhet edhe të pushojë kur nuk ia del dot, pasi puna e bërë shkel e shko nuk i shërben askujt. Më pas, Benedikti XVI u ndal në kritikat, që i janë bërë celibatit të meshtarëve, sidomos pas skandalit të priftërinjve pedofilë:
“Mund të na habisë kjo kritikë e përhershme kundër celibatit, në një kohë kur është gjithnjë e më tepër e modës të mos martohesh. Por kjo “nuk martohem” është diçka krejtësisht, thelbësisht e ndryshme nga celibati, pasi “nuk martohem” bazohet mbi vullnetin për të jetuar vetëm për vete, për të mos pranuar asnjë lloj lidhjeje, për të pasur gjithnjë autonomi, për të vendosur çdo çast se ç’duhet bërë e ç’duhet marrë nga jeta”.
Ndërsa, meshtaria është një “po” e përhershme. Është akt besnikërie, njëlloj si martesa ndërmjet burrit e gruas, themel i vërtetë i kulturës së krishterë. Problemi i botës së sotme, vazhdoi Benedikti XVI, është se nuk mendon për të ardhmen me Zotin, duket se i mjafton e tashmja. Prandaj, celibati, si pararendje e së ardhmes, shenjë e pranisë së Zotit, shihet si skandal, i ndihmuar edhe nga mëkatet tona, theksoi Papa.
Kremtimi i përditshëm i Eukaristisë i ndihmon meshtarët të shmangin rrezikun e klerikalizmit e të mbylljes në vetvete, tha Ati i Shenjtë, i cili dha më pas, shembullin e Nënës sonë Terezë, vepra e jashtëzakonshme e së cilës nuk do të ishte e mundur pa praninë e Tabernakullit e të dashurisë së Zotit:
“Të mendojmë për Nënë Terezën, vërtet shembull madhështor për këtë shekull, për këto kohë, shembull dashurie që e harron vetveten, që lë mënjanë çdo lloj klerikalizmi, që përzihet me botën, shkon tek më të braktisurit, tek më të varfërit, tek personat në prag të vdekjes dhe dhurohet krejtësisht për të varfërit e të braktisurit. Por kjo Nënë Terezë, që na ka dhënë këtë shembull, këtë bashkësi që ndjek gjurmët e saj, vendoste gjithnjë Tabernakullin si kusht i parë për themelimin e kongregatës. Pa praninë e dashurisë së Zotit, që u jepet të tjerëve, nuk do të ishte i mundur realizimi i atij apostullimi, nuk do të ishte e mundur të jetonte lëshimin e vetvetes në dorën e Zotit. Vetëm duke e lënë veten në dorën e Zotit, në këtë aventurë të Hyjit, në këtë përvujtëri të Atit të Gjithpushtetshëm, motrat e Nënë Terezës mundën e mund të kryejnë edhe sot këtë akt të madh dashurie, këtë shërbim për të gjithë”.
Pasi u dha guxim teologëve të ecin përpara, duke pasur parasysh se teorive të vjetra u ka kaluar koha, Papa i këshilloi meshtarët të kenë besim në Magjisterin e Kishës e të ipeshkvijve, në bashkim me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Duhet ta njohim mirë Shkrimin Shenjt për t’iu përgjigjur sulmit të sekteve, ndërsa para zvogëlimit të numri të thirrjeve, duhet të lutemi, vazhdoi Benedikti XVI. Por sidomos, secili duhet të bëjë ç’është e mundur për ta jetuar meshtarinë ditë për ditë, në mënyrë që dëshmia të jetë bindëse:
“Mendoj se askush prej nesh nuk do të ishte bërë meshtar, nëse nuk do të kishte njohur meshtarë bindës, të cilët digjeshin në zjarrin e dashurisë së Krishtit. Prandaj, kjo është pika e parë: të përpiqemi të jemi meshtarë bindës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.