2010-06-11 18:35:51

Kampionati Botëror i Futbollit në Afrikën e Jugut: ndeshjet e para.


(11.06.2010 RV)Një shfaqje prej tri orësh, me muzikë e sport, hapi mbrëmë në Afrikën e Jugut edicionin e 19-të të Kompionatit Botëror të Futbollit, i pari që luhet në kontinentin afrikan. Artistë afrikanë dhe ndërkombëtarë - si Alicia Keys apo Shakira, e cila këndoi himnin e manifestimit – zëvendësuan njëri-tjetrin në stadiumin Orlando të Johanesburgut. Sot pasdite, në orën 16.00, ndeshja e parë ndërmjet Afrikës së Jugut dhe Meksikës. Në këmbët e lojtarëve, “Jabulani”, siç quhet topi i këtij kampionati, i cili në gjuhën e zuluve do të thotë “të festojmë”, ndërsa në duart e tifozëve, “vuvuxela”, një buri shurdhuese për çdo vesh. Por le të bëjmë pak histori:

Çfarë është Kampionati Botëror i Futbollit? Për rininë e sotme, Kampionati është një ngjarje e veçantë, por kujtesa nuk shkon më shumë se dy edicione më parë. E pastaj, reklama që bëhet përreth tij, si edhe Youtube, ia kanë hequr kampionatit shkëlqimin e dikurshëm. Për të rinjtë e djeshëm, kampionat futbolli ishin akrobacitë e Pelesë, lojtari i vetëm që e ka fituar tri herë, ose “13 goditjet” e Maradonës, i cili në vitin 1986 shënoi atë që konsiderohet “goli më i bukur i shekullit”. Kampionati Botëror është gjithnjë rast kujtimesh e pjesëmarrjeje për atë që e do futbollin, por edhe pasion kolektiv, që kthen në tifoz edhe atë që zakonisht nuk është.
Ndërsa, rrethanat në të cilat zhvillohet kampionati, vendi ku zhvillohet, zakonisht nuk zgjojnë ndonjë entuziazëm. Pak folklor në shtyp e televizion e mbaron me kaq. Por kësaj radhe, zhvillimi i ndeshjeve në Afrikë e veçanrësisht në Afrikën e Jugut – pasqyrë e kontradiktave të kontinentit – na bën të mendojmë përtej lojës e rezultateve të 32 skuadrave pjesëmarrëse. Të dëgjojmë gazetarin italian, Mateo Fagoto, me telefon nga Kejptauni:
“Të bën përshtypje fakti se ka shumë ndryshime, jo vetëm në nivelin ekonomik, por edhe në nivelin e bashkëpunimit ndërmjet bashkësive të ndryshme. Sot, ka pak mundësi për marrëdhënie, që të krijojnë në të ardhmen një Afrikë Jugore vërtet të bashkuar, gjë që nuk ekziston në këtë moment. Tani, në Afrikën e Jugut, ka shumë bashkësi, që jetojnë në të njëjtin vend, por kanë pak gjëra të përbashkëta. Kjo kuptohet, po të mendohet se aparteidi nuk ka qenë vetëm një sistem ligjesh, por diçka që ka zënë rrënjë në mendjet e njerëzve e në kulturën e tyre, prandaj është shumë e vështirë të kapërcehet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.