Sot përkujtohet 132 vjetori i themelimit të Lidhjes së Prizrenit
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare brenda
në Shqipëri, më 10 Qershor, mbush 132 vjet nga formimi i saj (1878). Me një
platforme ideologjike e një program politik kombëtar, me një strukturë organizative
të shtrirë në të gjithë viset shqiptare e të përbërë nga organet lokale e qendrore,
me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare
e Prizrenit luftoi për çlirimin e vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë
territoriale të atdheut dhe për formimin e shtetit shqiptar. Politikisht
dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve
çlirimtare të Evropës dhe Ballkanit. Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të
Shën Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua
nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme
shqiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte
organizative, politike dhe ushtarake te saj. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjerë patriotik duke kapërcyer
dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë e organizuar , duke fituar
një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vendin. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ngriti
me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare
në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur
e kundërshtoi. Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879 një delegacion të
kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Evropës, i cili mbrojti para tyre
çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar si një të pandarë
, respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen e tërësisë territoriale
të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit
ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës. Lëvizja për
mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur nga
kjo veprimtari e fuqishme "I sëmuri i Bosforit" ,Qeveria Osmane, hodhi forca të mëdha
ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit,
Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan. Edhe pse
u shtyp Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit
shqiptar. Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare
duke ushtruar ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për
çlirim mbarëkombëtar shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,
në përvojën e saj politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura
të shquara si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.