2010-06-10 16:31:25

Selia e Shenjtë: rishikim i patentave, për t’u garantuar ushqim e ilaçe dy miliard njerëzve.


“E drejta universale për të gëzuar shëndet të plotë, pavarësisht nga fakti se njihet nga ligjet ndërkombëtare, është tejet larg nga vënia në jetë”: këtë theksoi kryeipeshkvi Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së të Gjenevës, duke folur gjatë sesionit të 14-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, që vijon punimet në kryeqytetin helvetik. Ta dëgjojmë vetë imzot Tomazin, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Përvoja, që kemi nga Kisha, e cila, në fund të fundit, drejton rrokull botës më se pesë mijë spitale, 18 mijë dispanseri, shumë klinika e më se 15 mijë strehë për të moshuar e të sëmurë kronikë, tregon se, faktikisht, nuk sigurohen ilaçet, sipas nevojave, posaçërisht në vendet më të varfëra e, sidomos, në fshatra. Atëherë, për t’i siguruar këto ilaçe, duhet ristudiuar e drejta e patentave, në mënyrë që të mos ketë kontroll kaq absolut. Qëndrimi, që mbajtëm, kishte për qëllim të sqaronte se përballë kërkesave kaq të hekurta të shoqërive farmaceutike ose interesave të tjera ekonomike, tejet të forta, duhen rishikuar kriteret ndërkombëtare, që t’u krijohen edhe vendeve me teknologji të pazhvilluar ose me personel të pamjaftueshëm, mundësitë t’i sigurojnë këto ilaçe me pak shpenzime, ose t’i prodhojnë vetë. Posaçërisht po marrim si shembull fëmijët: flitet për rreth 2 milion e 100 mijë fëmijë, që jetojnë me Sidë; vetëm 38% prej tyre i sigurojnë ilaçet, që mund t’ua zgjatin ose t’ua shpëtojnë jetën, sepse nuk paraqesin kurrfarë interesi ose sepse vendet e varfëra nuk kanë mundësi t’i prodhojnë vetë këto ilaçe. Duhet të punohet për një drejtpeshim të ri të mundësive e për rihapjen e portës së pronësisë intelektuale, që të krijohen kushtet për t’iu përgjigjur nevojave të këtyre njerëzve.

Pyetje: - Imzot Tomazi, ju, gjithnjë në Gjenevë, keni prekur problemin e rishikimit të patentave edhe në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke i lidhur me të drejtën për t’u ushqyer, e cila nganjëherë vihet në rrezik, për të mos thënë, mohohet fare nga të drejtat e pronësisë intelektuale…

Përgjigje: - Duhet të mundësojmë që zbulimi i mënyrave të reja për rritjen e prodhimit të drithërave ose të prodhimeve të tjera të nevojshme për jetën e përditshme, për bukën e përditshme të njerëzve, të mos kontrollohet në mënyrë absolute nga ana e shoqërive, aq sa të bëhen, pastaj, element që bllokon sigurimin e ushqimit të mjaftueshëm. Kujtojmë, për shembull, “bio-piraterinë”, rrezik ekzistues. Ka shoqëri, që zbulojnë prodhime ose farna në vendet e pazhvilluara, i patentojnë e pastaj ua shesin fshatarëve ose popullsive të vetë vendit, ku i morën këto prodhime; fitojnë, kështu, shumë para, ndërsa varfanjakët nuk kanë mundësi ta blejnë, atë që prodhon vetë toka e tyre. Ekzistojnë këto mungesa ekuilibri, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.