2010-06-10 16:33:14

Papa mbyll Vitin Meshtarak me Meshën Solemne në Sheshin e Shën Pjetrit


(10.06.2010 RV)Me lutjen e mbrëmjes, në praninë e Papës Benedikti XVI, përfundoi dita e dytë e Triditëshit të kremtimeve për mbylljen e Vitit Meshtarak me temë “Besnikëria e Krishtit, besnikëri e meshtarit”. Rreth 12 mijë meshtarët e ardhur në Romë nga të gjitha anët e botës, janë mbledhur në Bazilikën e Vatikanit, sëbashku me Papën Racinger për t’iu lutur Zotit, që t’u japë forcë të jenë të denjë për shërbimin, që u kërkohet.
Nga Shqipëria, ka ardhur kryeipeshkvi metropolit i Shkodrës dhe priftërinj të tjerë. Ndërsa nesër, në orën 10.00, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën në tremen e Bazilikës së Vatikanit, ngjarja e fundit e këtij Viti të veçantë kushtuar meshtarëve, në 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianejt, Famullitar i Arsit. Por le të përshkojmë sëbashku, disa meditime të Papës mbi shërbimin meshtarak.
Më 19 qershorin e kaluar, në hapjen e Vitit Meshtarak, edhe atëherë gjatë Mbrëmësoreve, Benedikti XVI pati theksuar:
“I yni është një mision i domosdoshëm për Kishën dhe për botën, që kërkon besnikëri të plotë ndaj Krishtit dhe bashkim të vazhdueshëm me Të; dashuria e Tij na kërkon që të synojmë gjithnjë shenjtërimin e jetës, siç bëri Shën Gjon Maria Vianej” (Mbrëmësoret, 19 qershor 2009)
Gjatë këtij viti, Papa nuk mungoi të denoncojë skandalin e priftërinjve pedofilë, të cilët, theksoi Ati i Shenjtë, në vend që ta ruajnë grigjën e Zotit si barinj të mirë, kthehen në hajdutë delesh. I ftoi meshtarët të luten e të ushqehen shpirtërisht me meshë e Eukaristi, sipas shembullit të Shën Gjon Maria Vianejt:
“Jeta e tij qe katekizëm i gjallë, që jepte fryte të veçanta kur njerëzit e shikonin të kremtonte Meshën, të qëndronte në adhurim para tabernakullit, ose të kalonte orë e orë në rrëfyestore… Ai shihte në praktikën e Sakramentit të Pajtimit, plotësimin logjik e të natyrshëm të apostullimit meshtarak” (Audienca e përgjithshme, 5 gusht 2009).
Metoda baritore e Famullitarit të Arsit, vëren Papa, mund të duket jo e përshtatshme për kushtet aktuale shoqërore e kulturore. Por, në të vërtetë, stili i shën Gjon Maria Vianejt ruan forcën e tij profetike dhe vazhdon të jetë mësim i çmuar për meshtarët. Por cili është thelbi i dëshmisë së tij?
“Po ta shohim mirë, ajo që e bëri shenjt Famullitarin e Arsit është dashuria për Krishtin. Sekreti i vërtetë i suksesit të tij baritor ishte dashuria për Misterin eukaristik, të shpallur, të kremtuar e të jetuar, që u kthye në dashuri për delet e Krishtit, për personat që kërkojnë Zotin”(Audienca e përgjithshme, 5 gusht 2009).
Meshtarët, është ftesa e Papës, të imitojnë Famullitarin e Arsit, duke kultivuar çdo ditë bashkimin intim personal me Krishtin, duke ua mësuar të gjithëve këtë bashkim, këtë miqësi intime me Jezusin:
“Ka nevojë të madhe për meshtarë, që t’i flasin botës për Zotin e t’ia paraqesin Hyjin botës; njerëz, jo subjekt të modave kalimtare kulturore, por të aftë të jetojnë me të vërtetë atë liri, që vetëm siguria se i përkasim Zotit është në gjendje të na e dhurojë” (Audienca me Kongregatën për Klerin, 12 mars 2010).
Meshtari duhet të jetë i zhytur në të Vërtetën, vë në dukje Benedikti XVI. E kujton se prifti është i thirrur të shpallë Fjalën e Zotit e jo të vetën, e të mos pajtohet me asnjë kulturë, apo mentalitet mbizotërues:
“Ta bëjë të pranishme, në konfuzionin dhe në çorientimin e ditëve tona, dritën e Fjalës së Zotit, dritën që është vetë Krishti në botën tonë. Pra, meshtari nuk u mëson të tjerëve idetë e veta, ndonjë filozofi që e ka shpikur vetë, që e ka gjetur, apo i pëlqen; meshtari nuk flet nga vetja, nuk flet për vete, për të krijuar ndoshta admirues ose ndonjë parti të vetën; nuk thotë gjërat e veta, shpikjet e veta, por, në mesin e konfuzionit të krijuar nga të gjitha filozofitë, meshtari mëson në emër të Krishtit të pranishëm, propozon të vërtetën, që është Krishti vetë, fjala e Tij, mënyra e Tij e jetesës dhe e ecjes përpara” (Audienca e përgjithshme, 14 prill 2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.