2010-06-09 08:34:40

Nënë Tereza e meshtaria


Jeta dhe vepra e Nënës Terezë është ngushtë e lidhur me Eukaristi dhe meshtari qysh nga fëmijëria dhe rinia e saj në Shkup, gjatë kërkimit dhe zbulimit të thirrjes rregulltare, në noviciat, si motër e Loretos, në braktisjen e kësaj bashkësie rregulltare e në themelimin dhe udhëheqjen e Misionareve të Dashurisë.
    EUKARISTIA DHE MESHTARËT NË JETËN E NËNËS TEREZE

Gonxhe Bojaxhiu qysh në Rrëfimin dhe Kungimin e Parë pati një përvojë të jashtëzakonshme eukaristike. “Qysh nga fëmijëria Zemra e Krishtit ishte dashuria ime e para… Qysh nga mosha pesë vjet e gjysmë, kur e kam pranuar (Jezusin) për here të pare, dashuria për shpirtra kishte depërtuar në brendinë time” (P. Brian Kolodiejckuch, Madre Teresa, Sii la mia luce, Rizzoli, 2008, fq. 26-27).
Meshtari i atëhershëm i Shkupit Don Zef Ramaj, i cili e kishte pagëzuar më 27 gusht 1910, e kishte përgatitur mirë zemrën e saj dhe zgjuar dëshirën e dashurinë për Jezusin eukaristik. Në kërkimin dhe zbulimin e thirrjes rregulltare, misionare, po ashtu Gonxhja e pati ndihmën dhe përkrahjen e madhe të meshtarëve. Ja dëshmia e saj duke i thënë vëllait Lazër Bojaxhiut për Atë Gaspër Zadrimën, i cili ishte i rreptë e kërkonte shumë: “Ti duhet ta duash e nderosh pa dallim, sepse ai është prift i Krishtit” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Terezë, Drita, 1980, fq. 29).
Në kërkimin e dritës së Zotit ajo ia kishte drejtuar rrëfyesit këtë pyetje: “E si mund unë ta di se për çka më thërret Zoti, se Ai më thërret?”. Përgjigja ishte: “Nëpërmjet gëzimit. Gëzimi kur mendon se të thërret Zoti në shërbim të Tij dhe të afërmve – vëllezërve. Këto mund të jenë arsye të vlefshme për thirrje. Gëzimi i thellë është si busola për drejtimin e jetës, e shi këtë na lypset ta ndjekim edhe nëse na tregon edhe rrugën më të vështirë, më të rëndë” (Po aty, fq. 31).
Për Atë Franjo Jambrekovic-in thoshte: “Ai ishte prift i mirë, shpirtmadh dhe zemërgjerë... Aty ku ka priftërinj të mirë, rriten dhe pjekën thirrjet” (Don Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, 2000, fq. 63).
Për Imzot Ivan Gnidovecin (1924-1939) ajo shkruante kështu: “Ai ishte i “shenjtë”. Populli e quante ashtu. Kur u largova nga Shkupi, ai kremtoi një meshë të shenjtë për mua, më dha Kungimin së bashku me bekimin dhe më tha: “Ti po shkon në misione. Jepe çdo gjë për Jezusin. Jeto vetëm për Jezusin dhe le të jetë Ai i vetmi qëllim i jetës tënde...” (Po aty, fq. 63).
Edhe informimin për misione të jezuitëve në Bengali, në Kalkutë, e kishte pranuar prej etërve jezuitë në Shkup, prej letrave të tyre që botoheshin në “Blagovjest” apo “Katolicke Misije”, apo nga ndonjë vizitë e tyre. Në një rast ajo i tha kështu vëllait të saj Lazrit: “O vëlla, sikur ta dije ti se sa dhe ku punojnë misionarët tanë... çfarë jete bëjnë dhe sa shumë u duhet ndihma!”. Të gjithë mbetem të befasuar se sa mirë ishte e informuar mbi misionarët, vendet e sakta ku gjendeshin, puna që bënin. Ajo i dinte të gjitha hollësitë” (Po aty, fq. 64).
Atë F. Jambrekoviqit i shkruante nga Kalkuta për kushtet e përjetshme kështu: “Gëzohem me gjithë zemrë për bartjen e hareshme të kryqit tim së bashku me Jezusin. Pata shumë vuajtje, raste në të cilat sytë e mi ishin plot me lot, por e falënderoj Zotin për të gjitha. Jezusi e unë kemi qenë miq deri me sot...Më herët kryqi më frikësonte, rrëqethesha kur mendoja në vuajtje. Tani, përkundrazi, e përqafoj vuajtjen para se të vijë, kështu që Jezusi dhe unë jetojmë në dashuri... Jam e lumtur, po, më e lumtur se kurrë më parë dhe nuk dëshiroj, për asnjë çmim, të heq dorë prej vuajtjeve të mia... Para disa ditësh më janë kujtuar disa ngjarje të Letnicës e kam qeshur me zemër. Vërtet, sa kam qenë krenare atëherë... Edhe tash nuk jam e përvuajtur, por së paku dëshiroj të jem e tillë,e përvujtërimet tani janë ëmbëlsirat më të mira për mua...”(P. Brian K. vep. e cit. fq. 31-32) .
Pas kushteve të përjetshme rregulltare Nëna Terezë i shkruante kështu atë Jambrekoviqit: “Sigurisht e dini që i kam dhënë kushtet e përjetshme. Atë ditë kam menduar edhe në Ju, e po ta dini sa e lumtur isha, aq sa, me liri të plotë do të mund të ndezja flijën time. Tani jam e Tij, dhe këtë për amshim! Ju s’mund të parafytyroni Gonxhen e dikurshme, tani të fejuarën e Krishtit... Edhe një herë Ju falënderoj sinqerisht për gjithçka keni bërë për mua. Ndoshta nëna Ju ka shkruar. Tani është së bashku me vëllain tim. Janë aq të lumtur. Vetëm një gjë ju mungon të dyjave: Gonxhja e tyre...Vetëm një gjë është ndryshe: dashuria ime për Jezusin. Do të flijoja gjithçka, edhe jetën, për Atë. Kjo tingëllon bukur, por nuk është lehtë. A ju kujtohet rasti në Shkup kur më keni thënë: “Gonxhe, ti dëshiron ta pishë kelkun deri në pikën e fundit? Nuk e di atëherë a kam menduar si sot, por tani, po, dhe këtë me gëzim, bile edhe pa asnjë lot” (Po aty, fq. 35-36).
Shoqja e saj nga Shkupi, Nasta Mihilli, më vonë motra Gabriela, i shkruante kështu atë Jambrekoviqit për Nënën Terezë: “Besoj se Jezusi e do shumë motrën Terezë... Është shumë e përvujtë... Mendoj që Zoti e ka zgjedhur për punë të mëdha...”(Po aty, fq. 37).
Në prill të vitit 1942 Nëna Terezë e kishte bërë një njetë apo kusht privat dhe personal. “E kam bërë një kusht ndaj Zotit që më lidh me mëkat të vdekshëm, “ që mos t’i dëboja asgjë”, si çmenduri dashurie... Pasi që ishte rritur në një familje thellësisht me tradita shqiptare, ajo e njihte mirë zbatimin e lartë dhe të çmuar të besës, ose “fjalës së nderit”. Besa kërkon besnikërinë absolute të fjalës së dhënë, gati ka një karakter të shenjtë, nuk guxon të shkelet, as me çmim të jetës” (Po aty, fq. 39, 42). Këtë kusht e kishte bërë gjithnjë me lejen e rrëfyesit atë Celestin Van Exemit. “Lidhur me këtë kurrë nuk kam pasur dyshime në shpirtin tim, gjithmonë u kam treguar çdo gjë Juve (mendohet arqipeshkvi i Kalkutës Mons. Fernando Perier, vr. ime) dhe atë Van Exemit dhe çdo herë “ Po”-ja apo” Jo”-ja e Juaj më ka mjaftuar si vullneti i Zotit” (Po aty, fq. 46).
Atë C. Van Exemi në fillim e kishte kundërshtuar “thirrjen në thirrje”, si i shkruante Nëna Terezë Eprores Gjenerale të Motrave të Loretos, aq “sa më ndaloi edhe të mendoja për këtë”, dhe ajo as që kishte biseduar me kryeipeshkvin e Kalkutës, pa lejen e rrëfyesit dhe shpirtërorit të saj. Çfarë shembulli dëgjese dhe bashkëpunimi! Vetëm pas lejes së shpirtërorit Nëna Terezë i kishte shkruar arqipeshkvit për vegimet e saja apo për “zërin” i cili e ftonte vazhdimisht. “Kjo letër është mjaft e gjatë, por Ju kam treguar të gjitha si do të bëja me nënën time...Prandaj, nëse Ju besoni, nëse Ju doni, jam e gatshme për ta bërë vullnetin e tij...Nëse Ju mendoni se kjo është një mashtrim, do të pranoja edhe këtë për t’u flijuar tërësisht për Të...Po ju shkruaj me thjeshtësi dhe pa ndonjë frikë. Lëshohem plotësisht në duar Tuaja lidhur me këtë ...”(Po aty, fq. 62, 69). Nëna Terezë ishte aq e sigurt në planin e Zotit, por njëkohësisht e nënshtruar dhe e dëgjueshme eproreve, shpirtërorit, arqipeshkvit të Kalkutës, sa që shkruante: “Do t’iu falënderoja nëse do t’ia paraqitni rastin Shenjtit Atë Papë. Ai do të kuptojë... Nuk kam prova, por e di se Zoti e do këtë prej nesh... Do të pres, do të pres tërë kohën sa të ketë dëshirë Shenjti Atë Papë, por jam e gatshme t’i braktisi të gjitha – për një fjalë Tuaj – dhe për ta filluar jetën në varfëri absolute për t’i dhuruar Jezusit të gjitha...”(Po aty, fq. 71-73).
Pas bashkëpunimit të gjatë dhe të suksesshëm me atë Van Exemin, erdhi edhe një sprovë e rëndë, të cilën Nëna Terezë ia paraqiti Imzot Perierit kështu: “Nuk e di, por në zemrën time është një vetmi e thellë të cilën nuk mund ta shprehi. Me muaj nuk mund të flasë me atë Van Exemin dhe komunikimi me të është gjithnjë më i vështirë. Deri kur Zotëria do të jetë larg meje?” (Po aty, fq. 165). Megjithatë Nëna Terezë e dëgjonte Van Exemin në mënyrë të plotë. “Shpesh kam shkuar në rrëfyesatore me shpresë për të folur, por nuk i kam pasur sukses...”(Po aty, fq. 173).
Prej vitit 1956 në jetën e Nënës Terezë paraqitet një jezuit tjetër, atë Lawrecen Trevor PICHACHY, më vonë arqipeshkvi dhe kardinali i Kalkutës, si rrëfyes dhe këshilltar i saj. Në vitin 1958 Nëna Terezë i shkruante kështu: “E kam gjetur lumturinë e vërtetë në vuajtje, por ndonjë herë dhembja është e padurueshme. Ju nuk e dini sa e varfër dhe asgjë jam unë...”(Po aty, fq. 182). Atij tashmë ia kishte hapur zemrën dhe bashkëpunonte në jetën shpirtërore. “Asnjë prift tjetër, përpos atë Van Exemit dhe Juve, nuk di për errësirën në mua. Nëse Ju mendoni se heshtja do t’i pëlqente (Jezusit), jam më se e gëzueshme që ta mbajë këtë gjatë tërë jetës sime...Jam tejet e lodhur. Nuk e kam ditur se dashuria mund të shkaktonte kaq shumë vuajte... (Po aty, fq. 187). Në shtator të vitit 1959 i shkruante shpirtërorit kështu: “Kam dëshirë të flas, por nuk kam fjalë për ta shprehur dhembjen time. Mos u kujdesin për këtë, më leni në vetmi. Zoti e dëshiron vetminë time. Lutuni për mua..”.(Po aty, fq. 200).
Në vitin 1960 atë Pichachy qe transferuar nga Kalkuta në Basanti. Nëna Terezë i shkruante me këtë rast: “Jezusi më ka detyruar të flas me Ju dhe t’ua hapi shpirtin tim...Ju kam hapur shpirtin tim me të gjitha vuajtjet dhe errësirat... Mbanë shpitin tim afër elterit me tërë errësirën dhe vetminë... Ju lutëm që t’më bëni këtë shërbim: asgjësoni të gjitha letrat që Ju kam shkruar. I kam shkruar sepse është dashur t’i shkruaj, por tani ato më nuk janë të nevojshme...”(Po aty, fq. 207).
Pastaj paraqitet atë Joseph NEUNER, jezuit nga Austria, që gjendej në Kalkutë si profesor dhe teolog. Edhe atij ia kishte hapur zemrën dhe i kishte shkruar për përvojën shpirtërore. Lidhur me Eukaristinë i shkruante kështu: “Disa herë e hetoj zërin tim i cili klith: “Hyji im” dhe asgjë tjetër. Prej fëmijërisë kam pasur një dashuri tejet të madhe për Jezusin në Eukaristi, por edhe kjo tashmë është zhdukur. Nuk përjetoj asgjë para Jezusit, edhe pse nuk do ta humbja Kungimin e Shenjt për asgjë në botë... E dua vetëm Zotin në jetën time... Ai më ka thënë çka duhet të bëja. Atë, iu kam hapur zemrën time: më mësoni ta dua Zotin, më mësoni ta dua më shumë...”(Po aty, fq. 217-218). Atë Neuneri ishte bërë shpirtërori i saj gjatë viteve të errësirës duke e udhëzuar që ta pranonte bashkëpunimin me Krishtin e kryqëzuar për të qenë e lumtur në vuajtje. Në vitin 1961 Nëna Terezë zgjidhet Eprore Gjenerale e Misionareve të Dashurisë. Atë Neuneri ia kishte uruar këtë zgjidhje. Nëna Terezë i përgjigjet kështu: “Dua të jam për motrat tona ajo çka ishte Maria për Jezusin: Nëna e tyre...Nuk jam e vetmuar, atë, e kam errësirën e Tij, dhembjen e Tij, dëshirën e pamasë për Zotin, për ta dashur, edhe pse Ai nuk më do. E di se e kam Jezusin në këtë bashkim të pandashëm...”(Po aty, fq. 230). Atë Neuneri i shkruante: “ E kam përcjellur vite të tëra nga largësia, duke u takuar herë pas here në Kalkutë... Kështu letërkëmbimi ynë kishte përfunduar. Megjithatë i kam ruajtur letrat, sepse ato pasqyrojnë gjendjen e saj të brendshme gjatë këtyre viteve” (Po aty, fq. 271).
Në vitin 1975 kishte takuar gati rastësisht në Romë atë Michael Van der Peet-n, meshtar i “Zemrës së Krishtit”. Atij i kishte shkruar për adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament një orë pas meshës “kështu që mund t’i shijoja dy orë së bashku me Jezusin para se njerëzit dhe motrat të takoheshin me mua. Atij ia lë vendin e parë, që tërësisht të shërbehet me mua... Dashuria ime për Jezusin vazhdon të bëhet më e thjeshtë, dhe besoj, edhe më personale... Para disa dite, ndërsa i kungoja motrat tona në Shtëpinë Amë, papritmas kam kuptuar që e kisha në dorë vetë Zotin... Madhështia e përvujtërisë së Zotit...” (Po aty, fq. 275; 279; 288).
Nëna Terezë në vitin 1980 mori pjesë në Sinodin Ipeshkvnor në Vatikan me ftesë të papës Gjon Pali II. Atëherë ndër të tjera pati thënë kështu: “Kisha, bota, ne kemi nevojë për meshtarë të shenjtë... Ju ipeshkvijtë, ndihmoni meshtarët tuaj në këtë drejtim!”.
Prej Romës i kishte shkruar atë Peet-it kështu: “Është dashur të flas dhe kam kërkuar prej Atit të Shenjt për të na dhuruar meshtarë të shenjtë, nëse do që familjet tona të jenë të shenjta. Shumë ipeshkvij më kanë thënë “Faleminderit”. Jezusi edhe një herë ishte në veprim në mënyrën e tij... Kam pasur ndihmë të madhe në këtë uratë të shkurtë: “Jezus në zemrën time, unë besoj në dashurinë tënde besnike për mua. Unë të dua”, ose: “Në bashkim me të gjitha meshët e kremtuara në botë, po ta ofroj zemrën time. Bëje atë të butë dhe të përvujtë sipas zemrës tënde!” (Po aty, fq. 299).
Gjatë një interviste ndër të tjera më tha: “Jeta jonë është e lidhur ngushtë me jetën e Jezu Krishtit, me Kungimin shenjtë. Nëse ne e njohim dhe e pranojmë Jezu Krishtin nën hije të Bukës, të hostjes, atëherë duhet ta njohim Atë të pranishëm edhe në të tjerët, në njerëz, në të varfër, në të mjeruar...Jezu Krishti për mua është krejt çka kam dhe çka jam. Ai është dashuria, jeta, buka e jetës time. Jezu Krishti sot është për mua i uritur, duke vdekur rrugëve, i vetmuar, i përjashtuar nga shoqëria, i gërbulur dhe unë si të tillë e dua dhe i shërbej...” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Terezë, vep. e cit. fq. 111; 299).
Gjatë sëmundjes një herë pas meshës Nëna Terezë kishte pas thënë: “Jezusi kërkon pak tepër!”. Kur më s’mund të fliste, me shenja e kishte kërkuar fletën dhe lapsin dhe kishte shkruar: “E kërkoj Jezusin!”(P. Brian K. vep. e cit. fq. 333).
Para se të kalonte në amshim mjeku induist i thotë meshtarit: “Atë, shkoni në shtëpi dhe merreni atë kuti dhe silleni këtu Nënës” (mendonte në Eukaristi, vr. ime). Dhe kishte vazhduar: “Kur kutia është këtu, në dhomë, ajo nuk bën asgjë tjetër përpos gjithnjë e shikon atë”(Po aty, fq. 332).
    Themelimi i degëve meshtarake të Nënës TEREZE

Nëna Terezë, përpos Misionareve të Dashurisë (1950), ka themeluar

Kjo lëvizje ka tri qëllime kryesore:
Kremtimin ditor të Eukaristisë, adhurimi dhe përshpirtëria ndaj Virgjërës Mari, Nënës së Kishës dhe të meshtarëve;
Përkrahja e ndërsjellët meshtarake në trajta të grupeve të uratës dhe të vëllazërisë meshtarake, si dhe edukimi permanent ndërmeshtarak;
Adoptimi apo birësimi shpirtëror i meshtarëve nga ana e murgeshave, sipas shembullit të Shën Terezës Liseux.

    PËRVOJA IME EUKARISTIKE ME NËNËN TEREZE

Dhe së fundi tri përvoja personale eukaristike me Nënën Terezë. Isha ende student në Romë. Një të enjte adhuruam së bashku për një kohë të gjatë. Ajo ishte gjunjëzuar dhe përqendruar aq shumë në adhurim, sa që nuk hetohej asnjë lëvizje apo frymëmarrje.
Kur e përfunduam adhurimin unë e pyeta: “A je lodhur, a je mërzitur Nëna Terezë?”. Ajo ishte tejet e lumtur, me një fytyrë dhe shikim engjëllor, më tha: “Jo, si të lodhëm apo të mërzitëm kur jam bashkë me Zotin tim, në shoqëri me Të, në praninë e dashurisë së Tij. Mua më vjen rëndë ta ndërpres këtë takim, por tani do ta vazhdojmë në një mënyrë tjetër. Të njëjtin Krisht që e kemi adhuruar tani nën hije të Bukës, tani do ta njohim, do ta duamë dhe do ta shërbejmë në fytyrat e vëllezërve tanë” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Terezë, vep. e cit. fq. 115).
Rasti i dytë ishte në Kalkutë, me 30 shtator 1989, natën e festës së Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, kur e vizitova Nënën Terezë në spital. Gjendja shëndetësore e saj ishte mjaft e keqe. Mjekët më kishin caktuar vetëm pesë minuta, por ajo nuk më lejonte të largohesha. Ndër fjalët e para më tha: “Adhuroje Jezu Krishtin në Sakrament dhe eja afër meje. Tash e kam kuptuar përse jam e sëmurë, duhet pak të vuaj për ta përgatitur kthimin e Jezu Krishtit në Shqipëri...”(Don Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, vep. e cit. fq. 220).
Rasti i tretë ishte pyetja ime rreth shugurimit meshtarak të femrave. Ja përgjigja e saj: “Nëse dikush ka pasur të drejtë të thotë : ky është korpi im, atëherë më së tepërmi ka pasur të drejtë Zoja e Bekuar, sepse ajo e ka bartur Krishtin në kraharorin virgjëror dhe e ka lindur Krishtin. Por ajo kurrë nuk e ka bërë këtë. Asaj Krishti nuk ia ka dhënë këtë pushtet. Lidhja më e ngushtë me Zotin, në këtë jetë, përvoja më e thellë fetare është Kungimi shenjtë, të cilin mund ta marrin në zemër çdo i krishterë. Në këtë gjithë jemi të njëjtë: Papa kungohet, ipeshkvijtë kungohen, meshtarët kungohen, motrat kungohen, besimtarët kungohen. Dallimi është vetëm në këtë: meshtarët neve na i përgatisin sofrën hyjnore të dashurisë, kungimin shenjtë, e ne vijmë dhe e gjejmë të gatshëm” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Terezë, vep. e cit. fq. 114).
Pastaj me shumë simpati dhe dashuri më tha: “Ti je “kuzhinieri” i Zotit dhe unë të falënderoj për këtë!”. Dhe vazhdoi: “Sikurse Jezu Krishti është bërë për ne bukë-ushqim, në disponim për ne, për jetën tonë, jeta e jonë, ashtu edhe ne lypset të jemi për të tjerët, për çdo njeri. Bëju, pra, bukë për të tjerët...” (Po aty, fq. 107).
Nëna Terezë thoshte: “Kur e shikojmë kryqin, atëherë e dimë sa na ka dashur Krishti. Kur e shikojmë të Shenjtënushmin Sakrament, atëherë e dimë sa na do sot Krishti. Pa meshtari nuk ka Krisht, nuk ka zgjidhje të mëkateve, nuk ka meshë dhe Kungim, bashkim me Krishtin ”.
Don Lush Gjergji







All the contents on this site are copyrighted ©.