2010-06-09 09:23:15

Njëmbëdhjetë vjetori i “Marrëveshjes së Kumanovës”


(09.6.2010 RV)"Marrëveshja e Kumanovës", e nënshkruar njëmbëdhjetë vjet më parë, më 9 qershor 1999, mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe Qeverive të ish- Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë, krahas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, e cila u miratua një ditë më pas, më 10 qershor 1999, hapi rrugën për hyrjen e Forcave të Kosovës, të udhëhequra nga NATO (KFOR) në Kosovë, përkujtoi sot në një komunikatë për shtyp KFOR.
Kjo Marrëveshje Teknike Ushtarake, thuhet më tej në komunikatë, "shënoi ndaljen e menjëhershme të armiqësive dhe kontribuoi në ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurtë, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ajo përfshiu kushtet e duhura për zbarkimin e KFOR-it dhe masat e nevojshme për të kontrolluar kufijtë dhe vijat kufitare me vendet dhe territoret fqinje".
Gjatë kësaj periudhe KFOR-i ka organizuar takime të rregullta jo vetëm me përfaqësues zyrtarë të Republikës së Serbisë, por edhe të Shqipërisë, ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Malit të Zi, thuhet në komunikatë, në të cilën vlerësohet se transferimi i përgjegjësive tek Policia e Kosovës për kontrollin e kufirit me Shqipërinë është një nga rezultatet e fundit të këtyre bisedimeve. Për njëmbëdhjetë vitet e fundit, KFOR-i ka qenë garantues i paqes dhe sigurisë në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.