2010-06-09 17:01:23

Filluan kremtimet e Triditëshit të mbylljes së Vitit Meshtarak, me takimin ndërkombëtar të meshtarëve me Papën


(09.06.2010 RV)Filluan sot paradite kremtimet e Takimit Ndërkombëtar të Meshtarëve me Papën, për mbylljen e Vitit Meshtarak, shpallur nga Benedikti XVI me rastin e 150 vjetorit të vdekjes së Famullitarit të Shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianej. Në takim marrin pjesë 12 mijë meshtarë, ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Gjithçka filloi në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në Romë, me meditimin e kryeipeshkvit të Këlnit, kardinal Joakim Maisner, që u ndoq në videokonferencë edhe në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, dy vendet ku po zhvillohet Triditëshi i mbylljes së Vitit Meshtarak. Duke folur mbi temën “Kthimi në Zotin e misioni”, prelati kujtoi se meshtari mund të hedhë vështrimin në zemrat e shumë personave nga rrëfyestorja. Rruga e misionit është pikërisht ky kalim nga njëra anë e rrjetës së rrëfyestores tek ana tjetër, nga pendestar në rrëfyestar. Fakti që gjithnjë e më pak njerëz i afrohen Sakramentit të Pajtimit, vazhdoi kardinali Majsner, është baza e shumë të këqiave në jetën e Kishës e të priftërinjve. Mëkati është pengesa më e madhe, që nuk i lejon njerëzit ta njohin Krishtin përmes meshtarit. Dashuria më e madhe, që e kapërcen këtë pengesë, është falja, shpjegoi kardinali Maisner. Të rrëfehesh – theksoi prelati – do të thotë të ribesosh në Zotin e njëkohësisht, të zbulosh se deri në atë moment nuk ia ke basuar mjaftueshëm veten, prandaj duhet kërkuar falje”.
Gjithnjë në Bazilikën e Shën Palit, kardinali Klaudio Humes, prefekt i Kongregatës për Klerin, kremtoi Meshën Shenjte. Gjatë homelisë, ai nënvizoi se meshtari është dishepull i Krishtit e, sipas shembullit të Birit të Zotit, misioni i tij duhet të përqëndrohet në ndihmën për të varfërit, të cilët kanë nevojë të ndjejnë afërsinë e Kishës. Edhe ipeshkvijtë, tha kardinali Humes, duhet të orfojnë vërtet balsamin hyjnor të fesë, por pa lënë mënjanë bukën materiale. Mbi misionin e meshtarit, prefekti i Kongregatës për Klerin theksoi:
“Ky(misioni) është thirrje dhe mision me domethënie tepër të lartë e me përgjegjësi të jashtëzakonshme, për të cilin duhet të gjunjëzohemi para Zotit me përvujtëri të madhe, si njerëz të padenjë e të paaftë, por me besim në hirin e plotfuqishëm të Zotit, që na ka bërë mjete e ministra të Tij”.
Eukaristia e lutja janë dy elementet, që ndikojnë te meshtari frymën e Shpirtit Shenjt, përfundoi kardinali Humes, duke i këshilluar priftërinjtë të mos e mbysin kurrë atë.
Numri i madh i meshtarëve, që kanë ardhur në Romë për mbylljen e Vitit Meshtarak, bëri që të kremtohej mesha edhe në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, njëkohësisht me atë në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve. Sekretari i Kongregatës për Klerin, imzot Mauro Piaçenca, pasi lexoi homelinë e kardinalit Humes, vuri në dukje se misioni i meshtarëve filloi 2 mijë vjet më parë, me peshkatarët e Galilesë, të cilët duke e lënë veten në dorë të Zotit e duke bërë vullnetin e Tij, ia ndryshuan përgjithmonë rrugën historisë. Secili prej 400 mijë meshtarëve të shpërndarë nëpër botë, është i thirrur ta përtërijë çdo ditë këtë mision.
Ndërkaq, në Sallën Pali VI në Vatikan pati çaste artistike e dëshmie, në kuadrin e një nisme të promovuar nga Lëvizja e Fokolarëve dhe e Shënshtatit, në bashkëpunim me Rinovimin Karizmatik Katolik Ndërkombëtar, me Bashkimin Apostolik të Klerit dhe me organizma të tjera kishtare. Lutjet e mbrëmjes u kryesuan nga kardinali Klaudio Humes.







All the contents on this site are copyrighted ©.