(09.06.2010 RV)Evropa ka marrë masa për të filluar reforma, që kanë për qëllim
t’u japin besim tregjeve dhe të përballojnë rrezikun e krizave të reja ekonomike.
Nisma e miratuar nga Ekofin-i, mbledhur dje në Luksemburg, parashikon pushtet më të
madh për Eurostatin, për verifikimin e të dhënave statistikore të vendeve të Bashkimit
Evropian. Vendimi u mor, duke pasur parasysh përvojën e Greqisë, e cila manipuloi
të dhënat që i dërgonte Brukselit, për të përshpejtuar hyrjen e saj në zonën e euros.
Kontrolli i parë i Zyrës statistikore evropiane mund të bëhet në Bullgari. Ekzekutivi
i Bashkimit Evropian ka shumë dyshime mbi vërtetësinë e të dhënave, që Sofja ka dërguar
në Bruksel. Nën vëzhgim edhe Hungaria, e cila dje miratoi një plan për stabilizimin
e financave. Manovra prej 1 miliard e gjysëm euro redukton pagat e punonjësve shtetërorë
dhe zvogëlon me 15% financimet për partitë. Gjithashtu, parashikon më tepër taksa
për bankat dhe firmat e sigurimit, por më pak për ndërmarrjet prodhuese. Të dëgjojmë
opinionin e korrespondentes së gazetës ekonomike italiane “Sole24ore” në Bruksel,
Adriana Çerreteli: Të paktën në letër, kjo do të shmangë raste të tjera si
ai i Greqisë në të ardhmen, duke mos i lejuar shtetet anëtare të gënjejnë me politikat
e tyre jo të rregullta, ose të rreme. Përveç këtyre reformave, që Evropa dëshiron
t’i përshpejtojë pikërisht për t’u dhënë sinjale pozitive tregjeve, është edhe aspekti
tjetër i masave për konsolidimin e bilancit publik. Në thelb, kriza financiare dhe
ndihmat që i janë dhënë sektorit bankar, si edhe ulja e prodhimit kanë shkaktuar një
shpërthim të defiçiteve dhe të borxheve publike në Evropë. Masat e marra nga
shtetet e veçanta rëndojnë mbi qytetarët e Evropës. A nuk rrezikojmë ndonjë valë kundër
Bashkimit Evropian? Mendoj se rreziku ekziston dhe është shumë i madh. Por,
njëkohësisht, të gjithë e kuptojnë se një krizë serioze e euros nuk i intereson askujt.
Gjithsesi, reagimi i opinionit publik nuk mund të parashikohet. Duhet të shpresojmë
që komunikimi i arsyeve të këtyre sakrificave t’i bindë mjaftueshëm njerëzit. Përndryshe,
ka shumë mundësi që grevat të shtohen e kjo natyrisht, nuk do t’i bëjë mirë ekonomisë
dhe politikës evropiane.