12 vjetori i vdekjes së kardinalit Agostino Kazaroli, protagonistit të Ostpolitikës
(09.06.2010 RV)Dymbëdhjetë vjet më parë, më 9 qershor 1998, shuhej në Vatikan,
në moshën 83 vjeçare, kardinali Agostino Kazaroli, protagonist në detyrën e Sekretarit
të Shtetit, i së ashtuquajturës Ostpolitik të Selisë së Shenjtë. Fjala është për dialogun
e Kishës Katolike me regjimet komuniste në vitet para rënies së Murit të Berlinit.
Natyrisht, nga Ostpolitika ishte krejtësisht e përjashtuar Shqipëria komuniste
enveriane, e cila kishte vendosur ta mohonte Zotin me kushtetutë e ta persekutonte
këdo që e zinte në gojë, apo besonte dhe i shërbente Atij. Përsa i përket kardinalit
Kazaroli, duhet thënë se jo të gjithë ipeshkvijtë e Lindjes ishin dakord me nismat
e tij diplomatike, por mbetet i pamohueshëm vullneti i tij i mirë për të siguruar
atë çka aso kohe ishte e mundur për Kishën e Lindjes, në një kohë kur mbretëronte
Lufta e Ftohtë. Ja mendimi për kardinal Agostino Kazarolin, i atij që ishte për vite
me radhë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, kardinalit Akile Silvestrini: "Duhet
të mendojmë se kur ai (Kazaroli) filloi në vitin 1963, sapo kishte nisur Koncili ekumenik
i Vatikanit II dhe Papa Gjoni XXIII donte që për këtë ngjarje madhore e historike
të Kishës të vinin në Romë ipeshkvijtë e Lindjes. Kazaroli shkoi të takonte kardinalin
Mindszenti, që ishte refugjat në ambasadën e SHBA-ve pas falimentimit të revoltës
hungareze më 1956. Shkoi edhe të shihte kardinalin Beran, i cili qëndronte në një
vend të fshehtë, nga ku i kishte shkruar Papës një letër, ku e pyeste: “Ç’të bëjmë
për Kishën tonë?”. Takimi i Kazarolit me Beranin hapi mundësinë për t’u marrë me Çekosllovakinë.
Më pas, i gjithë impenjimi i tij në negociatat plot durim me Jugosllavinë, Hungarinë,
Bullgarinë, Çekosllovakinë për të rilidhur marrëdhëniet, që ishin ndërprerë krejtësisht.
Element tjetër i Ostpolitikës ka qenë Konferenca e Helsinkit, e nxitur dhe e kultivuar
prej kardinalit Kazaroli. Propozimi pat ardhur nga Lindja dhe kardinali Kazaroli e
pati kuptuar se nëse Selia e Shenjtë do të hynte me të drejta të plota ndër Shtetet
anëtare të Konferencës së Helsinkit, do të kishte më legjitimitet në çdo negociatë,
rast për rast. Pra, kjo pjesëmarrje, që filloi më 1972 dhe u kurorëzua me nënshkrimin
e Dokumentit përfundimtar, hartuar nga kardinal Kazaroli, në Helsinki më 1975, dha
mundësinë më pas të bëheshin vizita, negociata e të lidheshin kontakte në të gjitha
vendet". Kujtojmë se Shqipëria i nënshkroi aktet e Konferencës së Helsinkit vetëm
në vitin 1990. Në të bëhej fjalë për sigurinë në Evropë; për bashkëpunimin ekonomik,
shkencor, teknik e ambiental; dhe natyrisht për të drejtat e njeriut.