2010-06-08 13:43:06

Me Mbrëmësore Bizantine" u mbyll ekspozita "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri"


(08.6.2010 RV)Koncerti muzikor me himne bizantine që gjenden të shkruar me nota muzikore në kodikët shqiptarë mesjetarë të Arkivit Qendror, nën interpretimin e Korit Kishtar Bizantin "Shën Joan Kukuzeli", titulluar "Mbrëmësore Bizantine" mbylli dje në mbrëmje ekspozitën "Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri", e çelur nga 3 maj në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Koncerti që u shfaq në Sallën e Ceremonive në Kishës Ortodokse, u organizua nga Fondacioni Grek i Kulturës në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, Fondacioni Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, krahas dy referateve mbi historinë.
E zhvilluar paralelisht me qytetërimin, muzika u zhvillua gjatë periudhës bizantine, si art muzikor me stilin dhe tingullin e tij të veçantë.
Në shekullin e XIII-të dallon shqiptari Joan Kukuzeli nga Durrësi, murg në Atos, që konsiderohet si burimi i dytë i muzikës.
Në Arkivin Qendror Shtetëror sot ruhen dy dorëshkrime muzikore të asaj kohe: Kodiku i Përmetit nr. 81 i shek. XII dhe Kodiku i Beratit nr. 23 i shek. XIII (viti 1292), që dëshmojnë përdorimin dhe kultivimin e muzikës Bizantine në viset e Shqipërisë së sotshme.
Më pas, me pushtimin otoman, muzika e kodikëve bizantine thjeshtësoi tipologjizimin e shenjave, duke i sjellë në formën që përdoret sot. Në Shqipëri shenja të kësaj periudhe janë dy dorëshkrime të tjera që ruhen në AQSh, Kodiku i Korçës nr. 82 i vitit 1736, Kodiku i Elbasanit nr. 87 që daton në fillim të shek. XIX, si dhe Kodiku i Tiranës nr. 95 i shek. XIX.
Këto dorëshkrime muzikore dëshmojnë se Shqipëria e sotme merrte pjesë vazhdimisht në krijimet kulturore të Perandorisë Bizantine dhe ashtu si edhe dorëshkrime të tjera, na ofrojnë një material të rëndësishëm që kontribuon për të njohur më mirë të shkuarën. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.