2010-06-08 16:55:51

Konferenca e Edimburgut: thirrje e Kishave për të dëshmuar sëbashku Krishtin


(08.06.2010 RV)Me një këngë të gëzueshme afrikane, përfundoi këto ditë Konferenca botërore, që mblodhi në Edimburg të Skocisë rreth 300 delegatë nga të gjitha besimet e krishtera. Takimi u zhvillua për të kremtuar 100 vjetorin e kuvendit të parë të madh ekumenik mbi misionin, mbajtur pikërisht në kryeqytetin skocez, në vitin 1910. Për një javë, delegatët diskutuan mbi sfidat e misionit në shekullin XXI, në grupe e në tryeza të rrumbullakta.
Konferenca përfundoi me një kremtim ekumenik, transmetuar me internet, në përfundim të të cilit u lexua thirrja drejtuar të gjitha Kishave, për të dëshmuar sëbashku Krishtin, duke marrë kështu pjesë në misionin e dashurisë së Zotit. “Me urgjencë të madhe – lexohet në tekst – jemi të thirrur të shpallim Lajmin e Mirë të shëlbimit, të faljes së mëkateve, të jetës në plotësi dhe të çlirimit për të gjithë të varfërit e të shtypurit”.
Delegacioni i Kishës Katolike udhëhiqej nga imzot Brajën Farell i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Ai u solli pjesëmarrësve mesazhin e Papës, ku Benedikti XVI uron që të punohet me përvujtëri e me durim, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, për të rijetuar sëbashku trashëgiminë e njëjtë apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.