2010-06-08 16:55:39

Bashkimi Evropian të mbrojë më mirë fëmijët emigrantë, që lëvizin vetëm.


(08.06.2010 RV)Sipas një raporti të fundit të organizatës “Human Rights Watch” (Hjumën Rajts Uoç), e cila mbron të drejtat e fëmijëve, masat e sapomarra nga Këshilli për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në Bashkimin Evropian, që kanë të bëjnë me fëmijët emigrantë të pashoqëruar, janë përqëndruar tepër në mënyrën e kthimit në atdhe, më shumë se në garancitë për mbrojtjen e tyre. “Para se të kthehen fëmijë të brishtë ne vende si Afganistani, qeveritë e Bashkimit Evropian duhet të jenë të sigurta se veprojnë në interesin e të miturve”, lexohet në deklaratën e organizatës.
Megjithëse duke lavdëruar anët pozitive të masave, Human Rights Watch vë në dukje se mungon garancia e tutorëve dhe e avokatëve për këta fëmijë, prandaj kthimi i tyre mbrapsht ka rrezik të bëhet pa respektuar detyrimet ndërkombëtare. Komisioni Evropian i është përgjigjur kritikës së organizatës dhe po punon për gjetjen e zgjidhjeve, Përveç kësaj, Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Karta Themelore e të Drejtave të Bashkimit Evropian kërkojnë vëmendje të veçantë për fëmijët e ndarë nga familjet, duke ndaluar kthimin në vende, ku mirëqenia dhe mbrojtja e tyre mund të jenë në rrezik.







All the contents on this site are copyrighted ©.