2010-06-08 19:22:12

Atë Umberto Barato: Vizita e Benediktit XVI në Qipro, një vizitë që la shenjë në zemrat e katolikëve.


(08.06.2010 RV)Vizita e Atit të Shenjtë Benediktit XVI në zemrat e katolikëve dhe që la shenjë në zemrat e shumë të krishterëve që janë të interesuar për dialogun ekumenik. Kjo është ndjenja që mbizotëron në Qipro, pas vizitës apostolike më të fundit të Benediktit XVI në vend. Është kjo një ndjenjë me të cilën bashkohet edhe Atë Umberto Barato, vikar patrik i Latinëve në Qipro. Ja disa nga përshtypjet e tija në mikrofonin e radios sonë:

Përgjigje: Ishte një vizitë e shkurtër por në të njëjtën kohë e gjatë. E shkurtër sepse koha ishte e kufizuar, por e gjatë sepse në raste të tilla koha duket sikur është ndaluar. Papa në të gjitha vendet ku ka qenë i ka dhënë një theks të thjeshtë, por njëkohësisht edhe prekës e plot ndjenja vizitave të tija. Kjo është përshtypja e ime. Papa dha fjalën e tij, do të thosha prekëse por edhe të vendosur në shumë pika, në lidhje, mbi të gjitha me jetën shoqërore, me atë politike dhe me jetën në bashkësi, po të kemi parasysh se teksti ishte marrë prej Veprave të Apostujve dhe bashkësia e besimtarëve ishte si një trup e një shpirt i vetëm. Duke pasur këtë ndër mend, Papa arriti të na japë me të vërtetë kuptimin e bashkimit, të pjesëmarrjes veçanërisht në liturgjinë e Meshës të së dielës.

Pyetje: Benedikti XVI iu dha zemër edhe bashkësive katolike asaj latine, maronite dhe asaj armene, apo jo?

Përgjigje: Mbi të gjitha maronitëve, që jetojnë në anën tjetër të ishullit, në veri, Papa iu dha zemër, shpresë dhe besim për zgjidhjen e problemit të Qipros në mënyrë që të gjithë të mund të bashkohen dhe të jetojnë së bashku, si më parë. Po, pastaj iu tha një fjalë ngushëlluese edhe atyre mijëra emigrantëve që gjenden këtu, në Qipro, dhe janë pjesë e bashkësive tona, duke qenë bashkësia latine shumë e vogël dhe gjithnjë e më shumë në zvogëlim. Edhe këtyre, pra, Papa u tha një fjalë të mirë e shpresëdhënëse, pikërisht sepse janë larg familjarëve të tyre, dhe i ftoi të qëndrojnë në këtë vend sepse është vend i krishterë. Ky fakt bën që jetesa e tyre këtu të jetë më e lehtë sesa në disa vende të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.