2010-06-07 18:02:54

Papa në Qipro i kërkon politikës vizion moral e zgjidhje të drejta për të kultivuar besim e miqësi në rajon


(07.06.2010 RV)Papa e përfundoi shtegtimin e tij apostolik në Qipro, duke bërë, nga Nikozia, një thirrje të fuqishme: “Pëpiquni ta shmangni rrezikun e gjakderdhjes!”. Rruga e drejtë për t’u dhënë fund tensioneve në Tokën Shenjte, nuk është dhuna, por durimi. Durim për të kërkuar e për të gjetur udhën e mirë. E në këtë atmosferë, Benedikti XVI nuk mund të mos kujtonte se të krishterëve u duhen respektuar të gjitha të drejtat.
Një nga kulmet e shtegtimit, ishte çasti kur Benedikti XVI u dorëzoi ipeshkvijve të Kishave katolike lindore dokumentin e përbashkët të punës për Sinodin, që do të mblidhet tetorin e ardhshëm, në Vatikan.
Shtegtimi pati një jehonë të madhe ndërkombëtare, sepse preku nervin, që dhemb më shumë, në të gjithë Lindjen e Mesme: “Pushtimi izraelit e Islami politik janë shkaktarë të trazirave, në një zonë, ku të drejtat e dhunuara vënë në rrezik vetë fetë!”.Por, për një bilanc të shtegtimit të Papës në Qipro, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Radios sonë:

 
Përgjigje: - Është një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv, që i shtohet edhe dy shtegtimeve të mëparëshme. Gjëja që të prek më shumë, është se brenda më pak se një muaji, patëm tre shtegtime ndërkombëtare të Papës, që të tre, të kurorëzuara me sukses të madh, në krahasim me atë që pritej, duke i tejkaluar shumë parashikimet. Më duket se rezultatet më të mëdha u arritën në fushën ekumenike. Pikërisht përqafimi i paqes, gjatë Meshës së djeshme, ndërmjet Papës e Kryepeshkopit ortodoks, Crisostomos II, është simbol i këtij takimi, që shënon një hap pëpara në rrugën e gjatë të ekumenizmit, me një Kishë, si kjo e Qipros e cila, ndonëse e vogël numerikisht, zë një vend të posaçëm në lëvizjen ekumenike, posaçërisht në mjediset ortodokse dhe është e pasur me nisma. Kisha Ortodokse e Qipros e ndjeu veten të inkurajuar e të nderuar nga prania e nga vëmendja e Papës me këtë vizitë të veçantë, e cila vuri në dukje dinjitetin e saj si Kishë, që ecën në kërkim të unitetit, ndonëse besnike ndaj rrënjëve të veta. E, kujtojmë se këto rrënjë janë shumë të lashta, nisin me Barnabën e Palin dhe me udhëtimin e tyre të parë apostolik. Prandaj mund të themi me plot gojën se ky takim me Kishën Ortodokse është sigurisht pozitiv. Kundërshtimet, për të cilat u fol ndonjë herë, mbetën absolutisht të dorës së dytë, madje do të thosha, ranë shumë pak në sy, në se i shikojmë në këndvështrimin e bilancit global. Pastaj ishte një ngjarje vërtet historike për bashkësinë katolike qipriote, për të gjithë elementet e saj përbërëse, me çaste shumë të bukura, entuziazmante: kujtoj takimin në Kishën e Shenjtes Krygjë e pastaj, të shtunën, Meshën Shenjte, gjatë së cilës pati 8500 kungime, gjë që do të thotë se ishin të pranishëm të paktën 10.000 katolikë. Mund të themi qetësisht se aty ishte pjesa kryesore e katolikëve, që jetojnë në ishull. Natyrisht nuk kanë mundur kurrë të jetojnë një çast bashkimi, entuziazmi, mbështetjeje të anasjelltë në fe, si ai që jetuan këto ditë, gjatë të cilave patën në gjirin e tyre Bariun Universal, që u dha zemër, i ftoi të jetojnë të bashkuar. Ndërmjet tjerash, Papa vuri në dukje se ishte festa e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit, pra festa e Eukaristisë, që e bën edhe më të dukshëm bashkimin e besimtarëve e të mbarë Kishës. Edhe në këndvështrimin e popullit të Qipros në përgjithësi, duhet theksuar se autoritetet e tij, si ata politike, ashtu edhe ata fetare, i qanë hallet me Papën, folën për shpresat e tyre, problemet e tyre, edhe për ata, që lidhen me situatën e ndarjes së ishullit, me rrezikun e humbjes së trashëgimisë kulturore të krishterë, e kështu me radhë. E bënë këtë në mënyrë shumë të qartë, duke përfituar edhe nga rasti, që kishin në mes tyre një mysafir kaq të rëndësishëm. Papa u përgjigj me shumë drejtpeshim e qartësi, duke mbrojtur parimet themelore të bashkëjetesës: respektin për të drejtat e njeriut, të drejtën për t’u rikthyer në viset e origjinës, për të komunikuar me to, për ata që janë detyruar të largohen, të drejtën për liri fetare, për liri të ndërgjegjes, për liri të kultit. Kështu Papa u interesua shumë për këto problemeve, për rrugën, në të cilën duhet ecur, që të zgjidhen, ashtu si bëri edhe në thirrjet për paqe në të gjithë zonën e Lindjes së Mesme. Në përfundim të Meshës bëri një thirrje shumë të qartë, pikërisht për paqen në zonë e për impenjimin e të gjithëve në këtë drejtim. Ndërmjet tjerash, ardhja e Papës e fakti që zgjodhi Qipron si vend për dorëzimin e “Instrumentum Laboris” të Sinodit për Lindjen e Mesme, i dha dinjitet të madh ishullit, si udhëkryq, si pikë takimi, si vend në të cilin mund të arrihet nga vise të ndryshme të Lindjes së Mesme. Prandaj, dinjiteti, rëndësia historiko-kulturoro- fetare e këtij ishulli, u afirmua me fakte nga Papa e nga Kisha katolike, që e bëri të dalë, kështu, në pah, pikërisht duke përfituar nga ky shtegtim.

Pyetje: - Në Meshë ishin të pranishëm të gjithë patrikët e edhe shumë ipeshkvij të Kishës katolike të Lindjes së Mesme e Papa u dorëzoi ‘Instrumentum Laboris’. Rëndësia e këtij çasti?

Përgjigje: - Sinodi është përgjigjja kryesore, që Papa, në këto muaj, kërkon t’u japë problemeve të katolikëve e të krishterëve të Lindjes së Mesme, probleme shumë të ndërlikuara. E dimë sa dhunë pësojnë ata, sa rrezikohen të marrin udhët e mërgimit, t’i braktisin këto troje, themelore për fenë e tyre. E atëherë Sinodi do të mledhë bashkë shumë komponente, e janë vërtetë shumë, të Kishës katolike në Lindjen e Mesme, për t’u rikthyer forcën, dinjitetin, entuziazmin, që të japin dëshminë e tyre e të kryejnë misionin e tyre në këto troje, edhe pse në kushte pakicash. E tani u dorëzua, këtu, në tokën e Lindjes së Mesme, edhe mjeti themelor, mbi bazën e të cilit, gjatë muajve të ardhshëm, do të bëhen përgatitjet për vetë Sinodin, që do të mbahet në Romë e që shënon etapën kryesore. Prandaj them se ky do të jetë një çast tejet i rëndësishëm, që shikon përpara. Ky nuk është shtegtim, që mbyllet në vetvete, por shtegtim që hap diskutimin e madh të Kishës katolike e të Kishave të krishtera, në favor të Lindjes së Mesme, me vështrimin përpara, drejt Sinodit, takim i madh, me diskutime, por që, shpresojmë, edhe me fillimin e udhës së impenjimit, të përtëritjes, të veprimtarisë konkrete. Prandaj mund të themi se është fillimi i një lëvizjeje të madhe, që bëri hapat e para këto ditë në Qipro. Dua të vërej, për fat të keq, një mungesë në Meshën e djeshme, të cilën e ndjeu fort edhe Papa: mungesën e imzot Padovezes, që duhet të ishte i pranishëm e të përfaqësonte Turqinë. Ai nuk ishte e nuk ishte asnjë përfaqësues i Turqisë, që megjithatë është jashtëzakonisht e pranishme: ashtu si është edhe imzoti në lutjen tonë, në solidaritein tonë shpirtëror, në impenjimin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.