2010-06-07 18:03:49

Në Shqipëri mbyllet Vitin Meshtarak, Ipeshkvijtë: prifti të jetë shprehje e dashurisë së zemrës së Krishtit.


CONFERENTIA EPISCOPALIS ALBANIAE KONFERENCA IPESHKVNORE E SHQIPËRIS
Fort të dashur meshtarë,
duke iu afruar mbylljes së vitit meshtarak, për të cilin do t’i mbetemi mirënjohës për një kohë të gjatë Atit të Shenjtë Benedikti XVI që na e ka dhuruar në 150 vjetorin e lindjes në qiell të meshtarit të shenjtë Gjon Maria Vianney, ndjejmë një nevojë urgjente t’ju ftojmë që të vazhdoni në rrugëtimin e shenjtërisë që të gjithë ne kemi ndërmarrë, më mirë të themi, kemi dëshirë të arrijmë, në përngjasim të “Shenjtit” që na ka thirrur në dritën e shenjtërisë dhe të besnikërisë së tij.
Në të njëjtën kohë duam t’ju shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë për atë çfarë jeni dhe për çfarë po bëni, si bashkëpunëtorët e parë, të çmuar dhe të domosdoshëm të shërbesës sonë ipeshkvnore, kryesisht në shpalljen e Ungjillit.
Kisha jonë në Shqipëri ka shumë nevojë për meshtarë të shenjtë, ungjillëzues të palodhshëm dhe dëshmitarë të qartë të Krishtit të ngjallur në përngjasim të ipeshkvijve e meshtarëve tanë të dashur martirë.
Duke sjellë ndërmend shprehjen e Famullitarit të Arsit “meshtari është dashuria e zemrës së Krishtit”, ta ndjejmë veten të thirrur për të qenë jo vetëm një shenjë dhe një shfaqje e kësaj dashurie, por për t’u bërë thellësisht e njëjta gjë me vetë Jezusin që është dashuri.
Përballë vështirësive të përditshme në shërbesën tuaj meshtarake, ju porosisim të qëndroni besnikë ndaj angazhimeve që keni marrë mbi vete ditën e shugurimit tuaj, të vetëdijshëm që ne si barinj shpirtërorë gëzojmë mbështetjen dhe shoqërinë e vetë dashurisë së Hyjit e cila është e durueshme dhe e qëndrueshme. Edhe nëse jo gjithmonë shihen rezultatet, rëndësi ka që me këmbëngulje të bëheni “gjithçka me të gjithë”.
Jini pra të zellshëm në shërbesë, të qëndrueshëm në lutje, veprues në dashuri sikurse “samaritani i mirë” që ka për zemër vuajtjen e njerëzve të vet.
Të bashkuar me vuajtjet e Atit të Shenjtë, për shkak të dhembjes që disa prej vëllezërve dhe bijve tanë në meshtari i kanë shkaktuar, e pikërisht në këtë vit meshtarak, duke mos qenë besnikë ndaj celibatit të tyre, ju porosisim në Zotin t’i rrini larg çdo gjesti apo tjetër gjëje që mund të fyejë Hyjin për shkak të shkandujve vështirësish të riparueshëm.
Flija e Eukaristisë që kremtojmë dhe lutjet që lartësojmë kërkojnë meshtarë të pastër dhe duar të pastra, sikurse e papërlyer është edhe flija që ofrojmë.
Kemi nevojë të gjithë ipeshkvij, meshtarë, vëllezër laikë të rritemi në bashkim, me anë të marrëdhënieve më vëllazërore e më të thella dhe ta dëshmojmë këtë gjë gjithashtu me anë të besnikërisë sonë në takimet e përmuajshme dhe me gjithçka tjetër që së bashku e vlerësojmë të përshtatshme për këtë qëllim.
Në çdo situatë që mund të gjendeni, në jetën e përditshme, veçanërisht në çastet më të vështira, t’ju bjerë ndërmend me dashuri dita e shugurimit tuaj, hapjuni rrëfyesit apo udhëheqësit tuaj shpirtëror; na ndjeni afër jush si etër, me besimin se së bashku gjithçka mund të kalohet.
Të sigurtë se do të gjejmë në ju një mirëkuptim bijësor, ju përqafojmë të gjithëve në Zotin dhe nga zemra ju bekojmë,


Ipeshkvijtë tuaj


Tiranë 01.06. 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.