2010-06-06 16:20:32

“Bashkim, dialog, paqe”: editorial i atë Federiko Lombardit për ‘Octava Dies’.


(06.06.2010 RV)Nga Qipro, ku shoqëron Papën, atë Federiko Lombardi ia kushton editorialin për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, shtegtimit të 16-të apostolik të Benediktit XVI. Titullohet: Bashkim, dialog, paqe”: RealAudioMP3

 
“Një shtegtim për bashkimin kishtar, për dialogun ekumenik, për durimin, në përpjekjen për paqe. Këto, qëllimet e vizitës në Qipro, që Papa i sqaroi, duke biseduar me gazetarët gjatë fluturimit drejt Ishullit. Sinodi i Ipeshkvijve të Lindjes së Mesme, që do të kremtohet në tetor, do të jetë një rast takimi e, prandaj, edhe njohjeje reciproke, ngushëllimi të anasjelltë, kërkimi të përbashkët të udhëve të dëshmisë për bashkësitë më të vogla e më minoritare, si dhe për ritet e traditat e ndryshme. Për katolikët, prandaj, është mesazh bashkimi e inkurajimi, jo për t’u mbyllur në vetvete, por për të qenë më të aftë në dëshmi e në shërbim, më të gatshëm për ta bërë të dukshme pasurinë e pranisë mijëravjeçare të krishterë në trojet ku zu fill feja jonë. Takimi me ortodoksët do të shënojë hapa të rinj përpara në një udhë premtuese, në të cilën bëhet gjithnjë më e qartë nevoja për dëshminë e përbashkët të vizionit të krishterë të njeriut e të jetës në botën e sotme, në të cilën vlerat e krishtera sfidohen e shpesh, edhe kundërshtohen rrënjësisht. Ndryshimet teologjike nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se aspektet që na bashkojnë, janë shumë më të rëndësishne se ata që vijojnë të na ndajnë. E së fundi, nuk duhet harruar mundimi durimtar për ta kumtuar paqen, pavarësisht nga episodet, që shkaktojnë shqetësim e ligështim. Misioni shpirtëror e fetar i Papës vijon me të njëjtën frymë, që pati shtegtimi i tij, vitin e kaluar, në Tokën Shenjte. Ungjilli mbetet burim i pashterrshëm shprese, për të shembur muret e përçarjeve më të thella”.







All the contents on this site are copyrighted ©.