2010-06-06 16:21:04

Qipro: Bashkësitë katolike


(06.06.2010 RV)Maronitët erdhën në Qipro duke nisur nga viti 686, pas shpërthimit të persekutimeve në Lindjen e Mesme. Në vitin 1009 ndërtuan manastririn e Shën Gjon Gojartit, në Koutsovendis. Refugjatët e rinj, që erdhën pas rënies së Jeruzalemit (1267), ngritën Kryedioqezën maronite në vitin 1316, kur numri i tyre arriti në 80 mijë shpirtëra, në 72 fshatra. Me sundimin venecian (1489-1571) nisi hemorragjia e bashkësisë maronite, që iu nënshtrua taksave të padrejta e presioneve për të ndërruar fenë nga ana e klerit latin e Kishës ortodokse. Në vitin 1570, kur zbarkuan trupat otomane, që masakruan 30 mijë maronitë në Famagosta e Pentadhaktylos, fshatrat maronite ishin pothuajse të përgjysmuara (33). Politika e deklaruar antikatolike e perandorisë otomane dhe kthimet e detyruara në fenë islame, e pakësuan më tej numrin e besimtarëve. Shumë emigruan drejt Libanit e, në vitin 1596, edhe Kryeipeshkvi maronit u detyrua të largohet nga ishulli.
Në vitin 1686 numëroheshin vetëm 8 fshatra maronite, nën kujdesin baritor të françeskanëve, kryesisht kapuçinë, që nuk u larguan nga grigja. Me arritjen e britanikëve, në vitin 1878, numëroheshin vetëm 1.300 besimtarë, në 6 fshatra (Kormakitis, Asomatos, Ayia Marina, Karpasha, Vouno e Kambyli). Sundimi britanik shënon një kthesë të ndjeshme, falë tolerancës fetare. Në këto kushte, Maronitët të parët, morën nismën për ta përtërirë kishën e tyre, Zoja e Hireve e Nikozisë (1886), rihapën shkollat, krijuan grupet e skautëve, ndërtuan kisha të reja e themeluan shoqërinë e parë kooperative në ishull (1928). Me pavarësinë e Qipros (1960), Bashkësia Maronite, Latine e Armene u njohën nga Kushteuta (Neni 2§3), me të drejtën e një përfaqësuesi në parlament. Sot Bashkësia Maronite numëron 5.500 shpirtëra, nga të cilët, 75% në Nikozi; 15% në Limassol; 5% në Marki e Kochatis, ndërsa mbeten rreth 100 pleq në fshatrat deri tani nën sundimin turk (Kormakitis, Karpasha e Asomatos).

Armenët arritën në Qipro duke nisur nga vitit 579, kur 3. 350 të burgosur armenë u transferuan në ishull nga gjenerali Mauricio di Kapradoçia. Pasuan nëntë valë armenësh, në vitet 717, 965 e 973, kur u themelua Kryedioqeza Armene në Nikozi. Martesat ndërmjet fisnikëve të të dy vendeve i lidhën familjet mbretërore të Qipros me ato të Cilicisë. Valë të reja refugjatësh arritën në Qipro pas rënies së Jeruzalemit (1267), të Akrit (1291), pas sulmeve të saraçenëve(1322), të mamelukëve (1335 e 1346) dhe pushtimit otoman (duke nisur nga vitit 1403). Me kalimin e viteve, gjuha armene u bë një nga gjuhët zyrtare të Qipros. Shumica e armenëve i përkisnin Kishës Armene Ortodokse (Apostolike), me një prani të kufizuar besimtarësh të Kishës Katolike. Me ardhjen e britanikëve, gjendja u përmirësua edhe për bashkësinë armene e Qipro pranoi rreth 9 mijë refugjatë, që iknin me tmerr, për të shpëtuar nga masakrat otomane, në periudhën 1915-23. Valë të reja refugjatësh arritën këtu pas ndarjes së Palestinës (1948) e edhe gjatë luftës së Libanit (1975-90).
Kreu i Kishës Armene është imzot Varujan Hergelian, Mëkëmbës i Katolikos-it të Shtëpisë së Madhe të Cilicisë (Antelias, Liban). Bashkësia numëron sot 3. 500 besimtarë, nga të cilët 65% në Nikozi, 20% në Larnakë, 10% në Limasol, 5% në Pafos e në disa fshatra.

Latinët arritën në Qipro, kur ishulli kaloi nga duart e Rikard Zemërluanit (1192), në ato të mbretit frank të Jeruzalemit, Gi de Lusinjan. Në vitin 1196 u ngrit Kryedioqeza Latine e menjëherë arritën edhe rregulltarë të urdhërave të ndryshme latine (Karmelitanë, Benediktinë, Çisterçensë, Françeskanë, Agostinianë, Domenikanë, etj), Kalorësit e Varrit të Shenjtë e Templarët. U dynden në ishull edhe besimtarë nga Aragona, Firence, Gjenova, Marseja, Napoli, Piza, Venediku, por edhe nga Katalonja, Provansa e nga Lindja e Mesme. U ngritën menjëherë qëndra të shumta kulti (Abacia Belapei me stil gotik, Katedralet e Shën Sofisë e Shën Katerinës, manastiri agostinian i Shën Mërisë, katedralja e Shën Pjetrit e Shën Palit) e, natyrisht, edhe pallate administrative e fortesa. Në vitin 1570 Qipro ra në dorë të otomanëve. Mijëra katolikë, fisnikë e klerikë, u masakruan e Kishat e kthyen në xhami. Veprimtaria e Kishës latine u ndalua, nësa Kisha Ortodokse rifilloi jetën normale e besimtarët u detyruan me forcë të ktheheshin në fenë islame ose në atë ortodokse. Françeskanët u rikthyen në vitin 1696 dhe rifilluan veprimtarinë baritore, duke ndërtuar manastirin e Sh’na Krygjës (sot Holy Cross) dhe “Kolegjin e Tokës Shenjte” në Nikozi (1646), që vijon edhe sot e kësaj dite veprimtarinë. Në vitin 1844, Motrat e Shën Jozefit, ndërtuan, në Larnak, një spital, që u mbyll në vitin 1920. Duke nisur nga viti 1878, kur filloi epoka koloniale britanike, klima e re e tolerancës fetare i krijoi bashkësisë latine kushtet për të ndërtuar shumë kisha e shkolla në Nikozi, Larnakë, Limasol, Famagustë etj. etj. Bashkësia latine sot numëron 1. 000 besimtarë qipriotë, 5 mijë rezidentë të përhershëm jo qipriotë, 6 mijë rezidentë të përkohshëm (nga Evropa Qëndrore, Azia Juglindore e nga Amerika Latine), më se një mijë ushtarakë, në dy bazat britanike e në kontingjentin e helmetkaltërve të UNFICYP.







All the contents on this site are copyrighted ©.