2010-06-06 16:21:57

Lumnimi i atë Jerzhi Popielushkos. Papa: Martirizmi i tij, shenjë e fitores të së mirës mbi të keqen!


(06.06.2010 RV)Sot Polonia ishte në festë. Gjatë një kremtimi solemn eukaristik në Sheshin e Varshavës ‘Mareshall Jozef Pilsudski”, Kisha katolike ngriti në nderimet e elterit një të Lum të ri. Është atë Jerzy Popieluszko (Jerzhi Popielushko) (1947-1984), viktimë e regjimit filosovjetik. Në jetën e tij të shkurtër, devocioni, bamirësia, vuajtja e dashuria apostolike e deri rebelimi, u lidhen gjithnjë me dritën e Ungjillit. Vërtetoi, në këtë mënyrë, se njeriu i butë mund të jetë edhe shumë guximtar. Kështu jeton prej 26 vjetësh në zemrën e polakëve, pasi pati jetuar 37 vjet ndër ta e për ta.RealAudioMP3
I Lumi i ri eci gjithnjë në udhën e martirizimit. Kapelan i lëvizjes ‘Solidarnosh’, u mbyt mizorisht gjatë regjimit komunist, në Poloni. Martir i fesë dhe i lirisë, i nxiste gjithnjë bashkatdhetarët e tij të rebeloheshin në mënyrë paqësore kundër diktaturës, në emër të Ungjillit. “Njeriu që dëshmon të vërtetën – thoshte atë Popielushko - është njeri i lirë, edhe në pranga”.
Benedikti XVI nga Qipro e kujtoi këtë ngjarje të madhe, duke u drejtuar polakëve një përshndetje nga më të përzemërtat:
Serdeczne pozdrowienie kieruję do Kościoła w Polsce..
I drejtoj përshndetjet e mia të përzemërta Kishës në Poloni, që galdon sot për lartimin në elter të atë Jerzhi Popielushkos. Shërbimi i zellshëm dhe martirizimi i tij, janë simbol i fitores së Zotit mbi çdo forcë të së keqes. Uroj që shembulli i tij dhe ndërmjetësimi i tij të rrisin zellin e meshtarëve e të përflakin dashurinë e besimtarëve laikë”.
Prandaj meritoi nderimin më të lartë: atë të elterit. Kremtimin madhështor të lumnimit të Martirit polak, e kryesoi kryeipeshkvi Anxhelo Amato, salezian, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësuesi i Benediktit XVI. Imzot Amato theksoi, në mikrofonin e Radio Vatikanit, se i Lumi Popielushko iu kundërvu një pushteti të egër e vrasës, për t’u kumtuar të gjithëve se njeriu është krijuar për liri e drejtësi:“Dëshiroj të ngul këmbë tek mesazhi i Shërbëtorit të Zotit, Jerzy Popieluszko, që është mesazh i vëllazërimit ndërmjet njerëzve, i respektimit të dinjitetit të çdo njeriu, edhe më të voglit, më të humburit, më të harruarit, më të pambrojturit; i lirisë së ndërgjegjes, që asnjë regjim nuk mund ta dhunojë. Përvoja tragjike e shekullit të kaluar na mëson se regjimet e ideologjitë kalojnë si stuhi të tërbuara, duke lënë pas gërmadha fizike e shpirtërore, ndërsa feja e krishterë, me rrënjë në Ungjill, mbetet e vijon të sjellë gëzim, paqe e harmoni!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.