2010-06-06 17:38:23

Kryeipeshkvi maronit Suef: të krishterët i ofrojnë Lindjes së Mesme vlerat ungjillore të faljes e të pajtimit.


(06.06.2010 RV)Në atmosferën e shtegtimit apostolik të Papës në Qipro, të dëgjojmë reflektimin e imzot Jozef Suef, kryeipeshkëv i Maronitëve të Ishullit, në mikrofonin tonë:

Përgjigje. - Është pikërisht shtegtim apostolik, në troje apostolike. E kjo, në kuptimin se Ati i Shenjtë eci në gjurmët e Shën Palit, këtë herë në tokën qipriote, ku Pali e Barnaba themeluan një nga bashkësitë e para të krishtera, duke jetuar së bashku me banorët, lajmin e madh të Ringjalljes. Prandaj mund të themi se ishte edhe rikthim në zanafillë, rikthim në frymën e njërës nga bashkësitë e para të krishtera, të cilat posaçërisht në kohët tona, janë shembull i madh e model i jetës së krishterë për çdo kohë e në çdo vend.

Pyetje: - Në Qipro, Papa u dorëzoi shumë ipeshvijve e patrikëve të Kishave lindore “Instrumentum Laboris”. Ç’mund të na thoni për këtë dokument?

Përgjigje: - Sinodi është hir për Lindjen e Mesme, për të krishterët, për gjithë të krishterët, katolikët e të gjitha fetë e zonës. E dimë mirë se kjo është zonë drite, zonë ku zunë fill fetë, ku lindi krishtërimi, në mënyrë të posaçme, Fjala e Mishëruar… E atëherë prania e të krishterëve pas kaq shekujsh, është dëshmi tejet e nevojshme, jo vetëm për vetë të krishterët, por edhe për myslimanët, hebrenjtë, për të gjitha kulturat. E kjo, sepse sa më shumë larmi të ketë e sa më e shumtë të jetë prania e krishterë, që dëshmon dashurinë e Zotit, vlerat e Ungjillit, Mbretërinë e Hyjit, aq më tepër do të ketë dialog, takim, bashkëjetesë ndërmjet vetë të krishterëve, por edhe ndërmjet të krishterëve e kulturave të tjera. Sot nuk mund të ndërtohet një shoqëri, një komb, pa paqe, pa dashuri, pa falje. Feja e krishterë, për vetë natyrën e saj, është fe e bashkimit, e dashurisë, e paqes, e pajtimit, e faljes! Prandaj Sinodi është vërtetë një kohë shumë e fortë, që na kujton pikërisht këto vlera, që i përtërin edhe të krishterët e i inkurajon të mos ikin nga zona, ku janë shenjë shprese, shenjë dashurie, shenjë dëshmie në jetën e përditshme e, sidomos, në kumtimin e Krishtit të ringjallur.
Fakti që ‘Instrumentum Laboris” dorëzohet pikërisht në Qipro, përbën një çast historik.







All the contents on this site are copyrighted ©.