2010-06-06 16:18:15

Korpi i Krishtit në Qipro. Papa: Krishti i shemb të gjitha muret!


(06.06.2010 RV)Thirrje për përpjekje ndërkombëtare urgjente, që t’i jepet fund tensioneve në Lindjen e Mesme: e drejtoi Papa në përfundim të Meshës, kremtuar sot paradite në pallatin e sportit ‘Elefteria’, të Nikozisë, në praninë e 10 mijë vetëve. Rreth tij, 30 ipeshkvij si dhe të gjithë Patrikët e Lindjes së Mesme. E edhe kryepeshkopi ortodoks Crisostomos II, që shkëmbeu përqafimin e paqes me Benediktin XVI. Mungonte vetëm një: imzot Padoveze, i mbytur të enjten e kaluar në Turqi e i kujtuar nga Papa. Benedikti XVI kujtoi edhe meshtarin polak, Popielushko, dje martir nën regjimin komunist, sot i lartuar në nderimet e elterit. Por, për kremtimin e kësaj Meshe, që përbën kulmin e vizitës së Papës në Qipro, të ndjekim shërbimin e koleges sonë, Adriana Mazoti, nga Nikozia:RealAudioMP3
“Është përplot pallati i sportit në Nikozi. Turmë e larmishme, me shumë etni, kombësi e pëkatësi kishtare. Të pranishëm edhe besimtarë të ardhur nga Libani, Jordania e shumë emigrantë, posaçërisht filipinë, srilankas e afrikanë, të cilët Papa i përshëndeti në mënyrë të veçantë.
Benedikti XVI shpjegoi se realiteti i Korpit të Krishtit na ndihmon ta kuptojmë më mirë misterin e bashkimit, që i lidh të gjithë ata, të cilët i përkasin Kishës. Të gjithë ata, që shujtohen me Korpin e Gjakun e Krishtit në Eukaristi, bashkohen, për virtyt të Shpirtit Shenjt, në një korp të vetëm, për të formuar të vetmin popull shenjt të Hyjit. Këtë shpjegon Shën Agostini, duke marrë si shembull bukën, që gatuhet me kokrra të shumta gruri. Por, para se këto kokrra të bëhen bukë, duhet të bluhen. Kështu ndodh edhe me të krishterët, shpjegoi Papa:
"Chacun de nous qui appartenons à l’Eglise…
Secili prej nesh, që i përkasim Kishës, ka nevojë të dalë nga bota e mbyllur e vetvetes e ta pranojë shoqërinë e atyre, që ndajnë me të bukën… Të shembim muret ndërmjet nesh e të afërmve tonë, është kushti i parë për të hyrë në botën hyjnore, për të cilën jemi të thirrur”.
Duhet të çlirohemi nga gjithçka që na bllokon, na izolon: nga frika, mosbesimi , etja për para, egoizmi, mungesa e vullnetit për të pranuar rrezikun e lëndimit, që na kërcënon, sa herë kërkojmë dashurinë, e marrim si përgjigje, fyerjen.
Ne, që ushqehemi me Eukaristinë, jemi Korpi i Tij që tani, mbi tokë, vijoi Papa, duke cituar, më pas, Shën Terezën e Avilës, që thoshte: “Ne jemi sytë me të cilët Ai shikon nevojtarin; jemi duart, që Ai i shtrin për të bekuar e për të shëruar; jemi këmbët, që i shërbejnë për të shkuar e për të bërë të mirën, e jemi edhe buzët, me të cilat kumtohet Ungjilli i Tij! Ne, veç, nuk kujtojmë një hero të vdekur, që të mos harrohen bëmat e tij: Krishti është i gjallë në shpirtin tonë!”.
Benedikti XVI skicoi edhe karakteristikat e bashkësisë së parë të krishterë, që i bën besimtarët të kenë një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, duke i nxitur ta kumtojnë Lajmin e mirë deri në skajet më të largta të tokës:
“We are called to overcom our differences...
Jemi të thirrur t’i kapëcejmë ndryshimet tona, të çojmë paqe e pajtim, atje ku ka grindje, t’i dhurojmë botës mesazhin e shpresës! Jemi të thirrur të ndihmojmë nevojtarët, duke i ndarë bujarisht pasuritë tona tokësore, me ata që kanë më pak fat. E jemi të thirrur të kumtojmë pareshtur vdekjen e ringjalljen e Zotit, derisa Ai të vijë”.
Në përfundim të Meshës, kur po dorëzonte dokumentin përgatitor të Sinodit për Ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme “Instrumentum Laboris”, Papa kujtoi kontributin që dha ipeshkvi Luigji Padoveze, kryetar i Konferencës ipeshkvnore turke, në përgatitjen e këtij dokumenti, duke theksuar se lajmi i vdekjes së prelatit i tronditi thellë të gjithë.
“Vdekja e tij, nënvizoi Papa, është thirrje drejtuar gjithë të krishterëve, që të jenë, në çdo rrethanë, dëshmitarë guximtarë të veprave të mira, fisnike, të drejta”.
Lindja e Mesme ka një vend të posaçëm në zemër të të gjithë të krishterëve, vijoi Papa, sepse atje zu fill historia e shëlbimit e edhe sot, kur Lajmi i Ungjillit është përhapur në çdo skaj të Planetit, besimtarët e mbarë botës vijojnë t’i drejtojnë me nderim të thellë sytë nga Lindja e Mesme. Asambleja e ipeshkvijve ka për qëllim të thellojë unitetin ndërmjet Kishave e t’i inkurajojë të krishterët e këtyre trojeve në dëshmimin e fesë, nganjëherë edhe në kushte tejet të vështira:
L’ Assemblée Spéciale est une oppurtunité pour les Chrétiens…
Asambleja e Posaçme, pohoi Benedikti XVI, është rast, që të krishterët e pjesës tjetër të botës, të mos ia kursejnë ndihmën shpirtërore e solidaritetin vëllezërve e motrave të Lindjes së Mesme. Është rast për të vënë në dukje vlerën tejet të rëndësishme të pranisë e të dëshmisë së krishterë në Viset e Biblës, jo vetëm për bashkësinë e krishterë në nivel botëror, por edhe për të afërmit tuaj e bashkëqytetarët tuaj”.
E Papa kujtoi, në vijim, kontributin që kanë dhënë e japin të krishterët në shoqëri, përmes shkollimit e ndihmës ndaj të varfërve e të sëmurëve, por edhe kontributin e të krishterëve të Lindjes së Mesme për të jetuar në harmoni me myslimanët e hebrenjtë, në trojet ku procesi i paqes e i pajtimit është tejet i vështirë:
Shpresoj se të drejtat tuaja do të respektohen gjithnjë më shumë, duke përfshirë edhe të drejtën e lirisë së kultit e lirinë fetare e duke shpresuar se nuk do të vuani më nën barrën e rëndë të diskriminimeve”.
Papa uroi që punimet sinodale të tërheqin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare mbi kushtet, në të cilat jetojnë të krishterët e Lindjes së Mesme, që vuajnë, e jo pak, për shkak të fesë së tyre:
“On this grave matter, I reiterate my personal appeal…
“Lidhur me këtë çështje të vështirë, përsëris thirrjen time personale për një përpjekje ndërkombëtare urgjente, për t’u dhënë fund tensioneve, që vijojnë në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Tokën Shenjte, para se këto konflikte të çojnë në një gjakderdhje të re, edhe më të madhe”.Në përfundim të Meshës, Papa kremtoi edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se përmes gatishmërisë së Marisë për t’u bërë Nënë e Zotit, shpresa e njerëzimit u bë realitet. Shpresë, që Zoja e Bekuar nuk e pati lehtë ta ruajë, në sa mbytej në lot te këmbët e Kryqit, të Shtunën e Madhe.
Pas Meshës, Papa u rikthye në nunciaturën apostolike, ku u ul në sofër me patrikët dhe ipeshkvijtë e Këshilit të Posaçëm të Sinodit për Lindjen e Mesme, me Fortlumturinë e Tij Krisostomos II, kryepeshkop i Qipros dhe me anëtarët e grupit, që e shoqëron.








All the contents on this site are copyrighted ©.