2010-06-06 18:27:25

Benedikti XVI në ceremoninë e lamtumirës: “Së bashku, të krishterë e myslimanë, tharm i paqes, shembull për të tjerët”.


(06.06.2010 RV)Në kohën kur ne po transmetojmë, vizita e Papës në Qipro ka përfunduar tashmë. Pasi përshëndeti qipriotët në Aeroportin e Larnakës, veprimtaria e fundme e shtegtimit të 16-të apostolik, falënderoi të gjithë organizatorët, që siguruan suksesin e plotë të këtij shtegtimi të rëndësishëm. Më pas Ati i Shenjtë u ndalua tek situata në Qipro e në Lindjen e Mesme, ku vijojnë konfliktet e gjakderdhja, siç dëshmojnë edhe ngjarjet tragjike të kohëve të fiundit, duke bërë thirrje për shumfishimin e përpjekjeve në favor të sigurimit të paqes afagjatë për të gjithë popujt e zonës.
Qipro mund të luajë një rol të veçantë në promovimin e dialogut e të bashkëpunimit, vijoi Papa, dhe i ftoi qipriotët të punojnë me durim për paqen e vatrave të tyre familjare e për prosperitetin e të afërmve, duke u përgatitur, kështu, për të dëgjuar e për të kuptuar të gjitha aspektet e problemeve të ndërlikuara e për të ndihmuar popujt të mirëkuptohen më mirë njëri me tjetrin. Rruga që po ndiqni për t’i siguruar paqen popullit tuaj dhe gjithë Ishullit, nënvizoi Benedikti XVI, ndiqet me interes e me shpresë të madhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Ati i Shenjtë kujtoi takimin me bashkësinë katolike të Qipros, i pari me pasardhësin e Shën Pjetrit në këto troje, duke shprehur mirënjohjen edhe për takimet me autoritetet e tjera të krishtera, në mënyrë të posaçme, atë me Fortlumturinë e Tij, Krizostomi II dhe përfaqësuesit e tjerë të Kishës në Qipro:
Shpreh bindjen se vizita mund të jetë një hap tjetër përpara në rrugën që u hap me përqafimin ndërmjet Patrikut të asokohshëm Atenagora e Palit VI, në Jeruzalem. Hapat e tyre të para profetike na treguan udhën, në të cilën duhet të ecim edhe ne. Vetë Zoti na porosit të jemi vëllezër, të ecim krah për krah në fe, të përvujtë para Hyjit të gjithëpushtetshëm, të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin”.
Duke i ftuar të krishterët ta vijojnë këtë udhë, Papa theksoi se Kisha katolike, me hirin e Hyjit, do të impenjohet për të arritur bashkimin e plotë, përmes nderimit të thellë për vlerat më të dashura si të Katolikëve, ashtu edhe të Ortodoksëve.
Ati i Shenjtë shprehu besimin se, së bashku, të krishterë e myslimanë, do të bëhen tharm i paqes dhe i pajtimit në trojet qipriote, gjë që do të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera.
Së fundi, Benedikti XVI i drejtoi fjalë inkurajuese presidentit dhe qeverisë së tij, që përpiqen për paqen e sigurinë e të gjithë qipriotëve. Kujtoi edhe se e kaloi natën në Nunciaturën Apostolike, që ndodhet në “United Nation buffer zone”, tokë e askujt, e pa me sytë e vet ç’do të thotë ndarje e Ishullit, duke pasur parasysh edhe trashëgiminë e tij kulturore, aq domethënëse për mbarë njerëzimin. Dëgjoi edhe zërin e qipriotëve të pjesës veriore, që dëshirojnë të rikthehen në shtëpitë e tyre:
E vërteta e pajtimi, njëherësh me respektin, janë themelet më të forta për një ardhmëri të sigurtë të këtij Ishulli si dhe për stabilitetin e përparimin e gjithë popullit të tij”.
Këtë theksoi Papa, duke nënvizuar me kënaqësi se vitet e fundit është bërë mjaft në këtë drejtim, duke ecur në rrugën e dialogut, ndonëse mbetet ende shumë për të bërë për t’i dhënë fund të gjitha përçarjeve e për të vijuar me durim punën për ndërtimin e një ardhmërie më të lumtur.
E, para se të largohej, Benedikti XVI përshëndeti mbarë popullsinë qipriote, në gjuhën greke:
"Mirupafshim e urime për paqe! Për paqe në Qipro e në gjithë Lindjen e Mesme!". RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.