2010-06-06 16:18:29

Ati i Shenjtë në Katedralen Maronite: t’ia çojmë Lajmin e Mirë të jetës sonë në Krishtin, mbarë njerëzimit!


(06.06.2010 RV)Veprimtaria e parafundit e Papës në Nikozi, ishte vizita në Katedralen Maronite të Zojës së Hireve. Kisha, që mund të zërë 300 vetë, ishte përplot. Të pranishëm më se 300 besimtarë maronitë, me korin e tyre si dhe Komiteti organizator. Vizita nisi me përshëndetjen e kryeipeshkvit maronit të Qipros.RealAudioMP3
Më pas Benedikti XVI iu drejtua besimtarëve maronitë, që i përkasin bashkësisë më të madhe katolike në Ishull:
Duke vizituar këtë ndërtesë, kryej në zemrën time një shtegtim shpirtëror në të gjitha kishat maronite të ishullit. Ju siguroj se, me kujdesin e një ati, jam pranë çdo besimtari të këtyre bashkësive të lashta”.
Benedikti XVI vërejti se kjo kishë katedrale është simbol i historisë shumëshekullore , shpesh tejet të trazuar, të bashkësisë maronite në Qipro:
Maronitët arritën në këto brigje në periudha të ndryshme gjatë shekujsh e iu desh të përballojnë prova të rënda për t’i qëndruar besnikë trashëgimisë së tyre të posaçme kristiane. E, duke i kapërcyer me guxim, arritën ta ruajnë të paprekur fenë e etërve”.
Papa pohoi edhe se kjo katedrale na kujton një të vërtetë të rëndësishme shpirtërore:
Së bashku me të krishterët e shpërndarë nëpër botë, jemi pjesë e atij tempulli të madh, që është Korpi Mistik i Krishtit. Kulti ynë shpirtëror, i cili ofrohet në shumë gjuhë, në shumë vende e në një larmi të bukur liturgjish, është shprehje e një zëri të vetëm, zërit të Popullit të Zotit, që mblidhet për t’u lutur e për ta falënderuar Atë, në një bashkim të vazhdueshëm njëri me tjetrin. Ky bashkim, që është kaq i çmuar për ne, na nxit t’ia çojmë mbarë njerëzimit Lajmin e Mirë të jetës sonë të re në Krishtin”.
Në përfundim, duke folur greqisht, Papa i siguroi besimtarët maronitë se lutet që Kisha e tyre, në bashkim me barinjtë e me Ipeshkvin e Romës, të përparojë në shenjtëri, në besnikërinë ndaj Ungjillit e në dashurinë e krishterë ndërmjet besimtarëve.
Kremtimi vijoi me Lutjen e faljes, sipas liturgjisë siriake, kremtuar nga patriku maronit, Fortlumturia e Tij, kardinali Nasrallah Sfeir. Më pas u këndua himni kushtuar Zonjës së Bekuar.
Lutjet u thanë në gjuhën greke, arabe e angleze.Në përfundim të kremtimit, Papa u largua nga katedralja drejt aeroportit Ndërkombëtar të Larnakës.







All the contents on this site are copyrighted ©.