Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit ‘C’
Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës.
Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit
të Korpit e Gjakut të Krishtit. Festa e Korpit të Krishtit është mister
i pakapshëm për atë mendje njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet
e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë,
në të cilin Jezu Krishti na la tërë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj
edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente. I Shenjtueshmi
Sakrament i Eukaristisë, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar
atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, kur Shpëtimtari
i njerëzimit, Jezu Krishti kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte
Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik.
Pra, në Eukaristinë Shenjte, Jezusi vërtetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet
Bukë e gjallë, ushqim i pashtershëm e i domosdoshëm për të gjithë njerëzit e të gjithë
shekujve. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apostujt, është
Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi apo eukaristia,
shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Prandaj liturgjia e Fjalës së Zotit e këtij solemniteti e fton, “secilin më parë të
shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!”. Eukaristia
është forcë e cila shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë sakrament Zoti
është gjithnjë për udhë, përherë në udhëtim drejt botës, Ai është udhëve të njerëzimit.
Për këtë Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon
botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi me
Krishtin, e lemë veten të depërtohemi, të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues,
Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri
e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë
e më tepër me Të. Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë
për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i
zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajtën e bukës e të vërës,
duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm
kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i pagabueshëm i fesë
së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, kërkon
lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.
“ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë
që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, dmth. përkujtimin e Besëlidhjes së Re e
të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për
shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Pra, në misterin e shenjtë të Korpit
e Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, të bashkimit
dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë që është burim e kult i çdo shenjtërie,
i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin lavdinë e Tij të
përjetshme. Kështu nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit në qiell, nga Rrëshajët
tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në Solemnitetin e sotëm të Korpit e Gjakut të Krishtit,
Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë
kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij
të krishterë. Solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit është takim i rëndësishëm
feje për çdo bashkësi të krishterë. Festa lindi në rrethana të caktuara historike
e kulturore me qëllim që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu
Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra,
festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht
Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit,
deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1). Kremtimi
eukaristik i solemnitetit rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe, na
çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë. Corpus Domini është rikthim në misterin
e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit për ta
predikuar nga pullazet, atë që ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt
e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk
u shtrua vetëm për ta. Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e
botës, ftesë që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë
që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu
si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e
marrë në zemër, të shërohet e të përtërihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është
trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të
Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që,
siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha
ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779). Pas 40 ditëve të Krezhmëve
dhe 50 ditëve të Kohës së Pashkëve, liturgjia kremton tri festa me karakter sintetik:
Trininë Shenjte, Korpin e Krishtit dhe, së fundi, Zemrën e Krishtit. E sot solemniteti
i Korpit të Krishtit, na kujton se si t të krishterë duhet të mblidhemi nga të katër
anët, për t’u gjunjëzuar në praninë e të vetmit Zot e për t’u bërë një gjë e vetme
me Të. Kjo e kremte na mëson se Eukaristia dëshiron të na çlirojë nga çdo ligështi,
të na ngrejë përsëri në këmbë, sa herë që rrëzohemi, për ta rifilluar rrugën e drejtë
me forcën që Hyji na jep përmes Jezu Krishtit. Por nuk mjafton të ecësh përpara,
duhet shikuar mirë edhe ku po shkon. Nuk mjafton ‘progresi’, në se nuk ka asnjë kriter
referimi. Madje, në se dredhon rrugë, rrezikon të biesh në greminë, ose të largohesh
me shpejtësi nga caku. Zoti na krijoi të lirë, por nuk na la vetëm: u bë Ai vetë rrugë
e erdhi të ecë së bashku me ne, që duke qenë të lirë, të kemi edhe mundësinë për të
zgjedhur rrugën e drejtë. Ta adhurosh Hyjin e Jezu Krishtit, që u bë bukë e thyer
për dashuri, është ilaçi më i mirë kundër të gjitha idhujtarive të djeshme e të sotme.
Gjunjëzimi para Eukaristisë, është besojma e lirisë: kush përkulet para Jezu Krishtit,
nuk mund e nuk duhet të përkulet para asnjë pushteti tokësor, sado i fuqishëm të jetë.
Ne, të krishterët, gjunjëzohemi vetëm para të Shenjtnueshmit Sakrament, sepse
në të është i pranishëm i vetmi Zot i vërtetë, që krijoi botën dhe e desh aq, sa
t’i dhurojë Birin e tij të vetëm. Përkulemi para një Zoti, që u përkul i pari mbi
njeriun e munduar, si Samaritani i Mirë. Ta adhurosh Korpin e Krishtit, do të
thotë të besosh se aty, në atë copëz buke, është i pranishëm vetë Jezusi, që i jep
kuptimin e vërtetë jetës: si universit të pafundmë, ashtu edhe krijesës më të vogël;
si mbarë historisë njerëzore, ashtu edhe jetës më të shkurtër. Eukaristia e ushqen
shpirtin me dashuri, me vërtetësi, me paqe, me shpresë, sepse Krishti, para të cilit
gjunjëzohemi, nuk na gjykon, nuk na shkel, por na çliron e na shndërron!
Leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës së kësaj së diele të solemnitetit të Koprit
e Gjakut të Krishtit janë nga: Zan 14,18-20; 1 Kor 11,23-26; Lk 9.11-17. Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit te kësaj feste mund të dëgjoni këtu.....