Më 4 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Françesk Karaçiolon, meshtar
(04.6.2010 RV)Sot më 4 qershor kalendari përkujton Shën Françesk Karaçiolon, meshtar,
themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe e Shën Kuirini, martir. Shenjti
lindi Françesk Karaçiolo më 13 tetor të vitit 1563 në Santa Maria të Kietit (Itali),
vdiq më 4 qershor 1608 në Anjone. Emri Askanio Karaçiolo – që iu dha në pagëzim Shenjtit,
ishte i regjistruar para se të lindte, në Kongregatën e Etërve të Bardhë të Drejtësisë.
Natyrisht qe fjala për një rregulltar me të njëjtin emër, që asistonte të
dënuarit me vdekje. Provania sikur ia kishte caktuar, pa lindur mirë, rrugën që do
të ndiqte. I thirrur për të ecur në këtë rrugë, më 1593 u nis për Napoli, ku studioi
filozofinë dhe bëri kushtet rregulltare në të njëjtën Kongregatë, e cila shumë shpejt
do ta ngrinte në rangun e Eprorit të Përgjithshëm me emrin e ri, Françesk.
Si e kreu mandatin e parë, u nis për në Spanjë, ku themeloi shtëpinë rregulltare të
Valadolidit dhe një kolegj në Alkala. Më pas shërbeu si mësues i rishtarëve në Madrid,
për t’u rizgjedhur epror i përgjithshëm i Kongregatës. Veprimtaritë e panumërta që
kreu, pa e kursyer kurrë vetveten, ia dëmtuan rëndë shëndetin. Mbylli sytë
përgjithmonë, në sa vizitonte Anjonen. Trupi i tij u mbart në Napoli e u varros në
Kishën e Shën Marisë së Madhe. Mrekullia e parë, shërimi i një sakati gjatë kremtimit
të salikimeve të tij, bëri që të përhapej menjëherë devocioni i Shenjtit, që u kanonizua
nga papa Piu VII më 24 maj 1807.