2010-06-04 12:05:19

Jezusi u distancua nga konceptimi ritual i fesë: kështu Papa në festën e Corpus Domini


(04.06.2010 RV)“Jezusi u distancua nga konceptimi ritual i fesë: Ai vuajti vërtet për ne”. Kështu foli dje Papa, gjatë kremtimit të festës së Korpit e të Gjakut të Krishtit në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë. Në përfundim të Meshës, Benedikti XVI u ndal në lutje para të Shenjtnueshmit Sakrament.RealAudioMP3
Papa kujtoi se meshtaria dhe Eukaristia janë të lidhura ngushtë në Besëlidhjen e Re. Forca hyjnore e meshtarisë së Krishtit, theksoi, e shndërron dhunën dhe padrejtësinë e skajshme në një akt suprem dashurie e drejtësie:
“Kjo është vepra e meshtarisë së Krishtit, që Kisha trashëgoi e solli përgjatë historisë, në formën e dyfishtë të meshtarisë së zakonshme të të pagëzuarve dhe në atë të ministrave të shuguruar, për ta shndërruar botën me dashurinë e Zotit”.
Jezusi nuk ishte meshtar, sipas traditës judaike. Ai dhe aktiviteti i Tij, tha Papa, nuk mund të kuptohen duke bërë krahasime me meshtarët e lashtë, por me profetët:
“Jezusi u distancua nga konceptimi ritual i fesë, duke kritikuar rendjen pas pastërtisë e rregullit të ritit, në vend të respektimit të urdhërimeve të Tënzot, pra të dashurisë për Zotin e për të afërmin, që – siç thotë Hyji – vlen më shumë se të gjitha holokaustet e flijimet”.
“Nuk ka asgjë prej flijimeve të lashta, vdekja e Krishtit: një dënim me vdekje, me kryqëzim, më i përulti, jashtë mureve të Jeruzalemit”, vazhdoi Benedikti XVI. Flijimi i Krishtit është ofertë, lutje, bashkim i vullnetit të Tij me atë të Atit Qiellor. Por ky flijim kërkon vuajtje. Krishti, tha Papa, mori përsipër mbarë njerëzimin dhe nuk e la veten në dorën e vuajtjes, por e shndërroi atë, ashtu si kokrra e grurit, që për të sjellë fryte, duhet të vdesë nën tokë:
“Falë këtij shndërrimi, Jezu Krishti u bë “sommo sacerdote” e mund t’i shëlbojë të gjithë ata që besojnë në Të. Mundimet qenë për Jezusin si një shugurim meshtarak. Ai u bë meshtar jo sipas Ligjit, por në mënyrë ekzistenciale në Pashkët e mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes së Tij”.
Në Eukaristi, përfundoi Papa, duke kujtuar qendrën e festës së djeshme të Korpit e të Gjakut të Krishtit, Jezusi paralajmëroi Flijimin e vet, flijim personal e jo ritual.







All the contents on this site are copyrighted ©.