Papa Benedikti XVI për solemnitetin e Korpit të Krishtit
Propozojmë homelinë e Atit të Shenjtë Benediktit XVI mbajtur gjatë kremtimit Eukaristik
në solemnitetin e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit në qershor të vitit kaluar
në Lateran.
Të dashur vëllezër dhe motra, këto fjalë që tha Jezusi
gjatë Darkës së Mbrame, përsëriten sa herë që kremtohet Flija Eukaristike. I dëgjuam
pak më parë në Ungjillin e Markut dhe tingëllojnë me një fuqi të veçantë evokuese
sot, në këtë ditë, në solemnitetin e Corpus Domini - Korpit të Krishtit. Ato na çojnë
me mend në Çenakull, na bëjnë të përjetojmë frymën e asaj nate, kur duke kremtuar
Pashkën me të vetët, Zoti në mënyrë të mistershme paraqiti paraprakisht atë fli që
do të flijohej një ditë më vonë në Kryq. Themelimi i Eukaristisë na shfaqet kështu
si paralajmërim dhe pranim i vdekjes në Kryq nga ana e Jezusit. Lidhur me këtë Shën
Efrem Siriani shkruan: Gjatë Darkës së Mbrame Jezusi flijoi vetveten; në Kryq ai u
flijua nga të tjerët. (Hymni i kryqëzimit 3,1)
“Ky është Gjaku im”. Është e
qartë këtu lidhja me gjuhën e flijimit të Izraelit. Jezusi paraqet vetveten si fli
të vërtetë e përfundimtare në të cilën plotësohet shlyerja përfundimtare e mëkateve,
e cila në Besëlidhjen e Vjetër nuk ishte shlyer kurrë plotësisht. Këto fjalë pasohen
nga dy shprehje të tjera, shumë domethënëse. Para së gjithash Jezu Krishti thotë se
gjaku i tij “është derdhur për shumëkënd” ku duket qartë lidhja me këngët e Shërbëtorit
që gjinden në Librin e Izaisë (cap.53). Duke shtuar “gjaku i besëlidhjes” Jezusi e
bën të qartë se falë vdekjes së Vet, më në fund bëhet efikase besëlidhja e Zotit me
popullin “e Vet”. Besëlidhja e vjetër ishte sanksionuar në malin e Sinait me një rit
blatimi kafshësh - sikurse e dëgjuam gjatë leximit të parë - dhe populli i zgjedhur,
i çliruar nga skllavëria e Egjiptit, kishte premtuar se do t’i zbatonte të gjitha
urdhërimet e dhëna nga Hyji (Dalja 24, 3.)
Në të vërtetë Izraeli qysh në fillim,
kur derdhi një viç ari për adhurim, tregoi se nuk ishte i aftë t’i rrinte besnik marrëveshjes
hyjnore, të cilën në vazhdim e theu shumë shpesh, duke ia përshtatur zemrës së vet
të gurtë Ligjin që duhej t’i kishte treguar udhën e jetës. Por Zoti e mbajti premtimin
që kishte bërë, dhe nëpërmjet profetëve vuri në dukje përmasën shpirtërore të besëlidhjes
dhe lajmëroi se do të shkruante një besëlidhje të re në zemrat e besimtarëve (Jerem.
31-33) duke i shndërruar ata nëpërmjet dhuratës së Shpirtit (Ezek. 36, 25-27). Dhe
pikërisht gjatë Darkës së Mbrame, Ai bëri këtë besëlidhje të re, duke e konfirmuar
jo me blatime kafshësh, siç bëhej në të kaluarën, por me gjakun e Vet, që u bë “gjaku
i besëlidhjes së re”.
Kjo vihet në dukje në leximin e dytë, marrë nga Letra
drejtuar Hebrenjve, ku autori i shenjtë deklaron se Jezusi është “ndërmjetësi i një
besëlidhjeje të re” (9.15) Është bërë i tillë falë Gjakut të Tij, ose më saktësisht
falë flijimit të Tij, që i jep vlerë të plotë gjakut të derdhur prej Tij. Në Kryq
Jezusi është në të njëjtën kohë flija por edhe meshtari: flija e denjë për Zotin sepse
është e panjollë, dhe Kryemeshtar që dhuron vetveten nën ndikimin e Shpirtit Shenjtë
dhe ndërmjetëson për krejt njerëzimin. Prandaj Kryqi është misteri i dashurisë dhe
i shpëtimit që na e pastron ndërgjegjen nga “veprat e vdekura” domethënë nga mëkatet
dhe na shenjtëron duke e gdhendur besëlidhjen e re në zemrën tonë; Eukaristia në përsëritjen
e flijimit të Kryqit na aftëson t’a jetojmë me besnikëri bashkimin tonë me Zotin.
Të
dashur vëllezër dhe motra – që, duke nisur nga kardinali Vikar dhe Kardinalët e tjerë
dhe Ipeshkvijtë e pranishëm – po ju përshëndes me përzemërsi si populli i zgjedhur,
mbledhur në Sinai, edhe ne këtë mbrëmje duam të përsërisim besnikërinë tonë ndaj Zotit.
Para pak ditësh, duke hapur Kuvendin e parvjetshëm dioqezan, tërhoqa vëmendjen se
duhet të rrimë, sikurse Kisha, në dëgjim të Fjalës së Hyjit në uratë dhe duke lexuar
Shkrimet, veçanërisht nëpërmjet ‘lectio divina’. E di se shumë nisma në lidhje me
këtë janë promovuar nëpër famulli, seminare, bashkësi rregulltare, brenda shoqatave
të ndryshme vëllazërie fetare dhe lëvizjeve apostolike që e pasurojnë bashkësinë tonë
dioqezane. Anëtarëve të këtyre organizmave të shumta kishtare i drejtoj përshëndetjen
time vëllazërore. Prania e juaj e shumtë në numër në këtë kremtim, të dashur miq,
tregon se bashkësinë tonë, karakterizuar nga një shumicë kulturash dhe përvojash të
ndryshme, Zoti e plazmon si “popullin” e vet, si Korpin e vetëm të Jezu Krishtit,
falë pjesëmarrjes sonë të sinqertë në tryezën e dyfishtë, atë të Fjalës dhe të Eukaristisë.
Të ushqyer me Krishtin, ne, dishepujt e Tij, marrim misionin e të qenit “shpirti”
i këtij qytetit tonë (Shih: Letra drejtuar Diognetit, 6) që është tharmi i përtëritjes,
bukë “e thyer” për të gjithë, veçanërisht për ata që jetojnë në kushte të vështira,
në varfëri dhe vuajtje fizike dhe shpirtërore. Ne bëhemi dëshmitarë të dashurisë së
Tij.
Po ju drejtohem veçanërisht juve, meshtarë të dashur, që Krishti ju ka
zgjedhur që së bashku me Të, të mund ta jetoni jetën tuaj si sakrificë lavdërimi për
shpëtimin e botës. Vetëm nga bashkimi me Jezusin mund të nxirrni atë begati shpirtërore
nga e cila lind shpresa në misionin tuaj baritor. Kujton Shën Leoni i Madh: “Pjesëmarrja
e jonë në Korpin dhe në Gjakun e Krishtit nuk priret drejt asgjëje tjetër përveç se
ne të bëhemi ajo çka marrim në zemër, “(Sermoni 12; De Passione 3, 7) Nëse kjo është
e vërtetë për çdo të krishterë, aq më shumë është e vërtetë për ne, meshtarët. Të
jemi Eukaristia! Pikërisht ky le të jetë impenjimi dhe dëshira e jonë e vazhdueshme
që flijimit të Korpit dhe të Gjakut të Zotit që kryejmë në altar t’i bashkëngjitet
flijimi i ekzistencës sonë. Çdo ditë, marrim nga Korpi dhe Gjaku i Krishtit atë dashuri
të lirë dhe të pastër që na bën ministra të denjë të Krishtit dhe dëshmitarë të gëzimi
të Tij. Kjo është ajo çka besimtarët presin nga meshtari: shembulli i një devocioni
e përshpirtërie të vërtetë për Eukaristinë. Ata gëzohen kur e shohin se meshtari rri
për një kohë të gjatë në heshtje në adhurim përpara Jezusit siç bënte famullitari
i Shenjtë i Arsit, të cilin do ta kujtojmë në mënyrë të posaçme gjatë Vitit Meshtarak
që po afrohet.
Shën Gjon Mari Vianejt i pëlqente t’i përsëriste besimtarëve
të famullisë: “Ejani në kungim...Është e vërtetë se nuk jeni të denjë për të, por
keni nevojë” (Bernard Nodet, Le curé d’Ars. Sa penseé – Son coeur, ed. Xavier Mappus,
Paris 1995, fq. 119) Të vetëdijshëm se nuk jemi të denjë për shkak të mëkateve tona,
por se kemi nevojë të ushqehemi me dashurinë që Zoti nga ofron nëpërmjet sakramentit
të Eukaristisë. Nuk duhet të mendojmë se e kemi këtë besim. Sot ekziston rreziku
i një shekullarizimi të fshehur edhe brenda vetë Kishës, që mund të shndërrohet në
një kult eukaristik formal dhe të zbrazët në kremtime ku nuk merr pjesë zemra që ka
adhurim dhe respekt për liturgjinë. Është gjithnjë i fortë tundimi që ta reduktojmë
uratën vetëm në diçka sipërfaqësore apo kur jemi me ngut, duke lejuar që të na mbulojnë
hallet dhe shqetësimet e kësaj toke. Kur mbas pak do të përsërisim lutjen “Ati Ynë”,
që është urata numër një, do të themi: “Bukën tonë të përditshme epna neve sot”, duke
e çuar mendjen, kuptohet, tek buka e secilës ditë. Porse kjo kërkesë përmban diçka
edhe më të thellë. Fjala greke epioúsios, të cilën e përkthejmë me fjalën “të përditshme”,
aludon edhe për bukën “mbi-substanciale)” për bukën “e botës që do të vijë”. Disa
nga Etërit e Kishës kanë vënë re këtu një referim të Eukaristisë, të bukës së jetës
së amshuar që na është dhënë në Meshën Shenjte në mënyrë që qysh tashti bota e ardhshme
të fillojë nga ne. Me Eukaristinë, pra, qielli zbret në tokë. E nesërmja e Hyjit zbret
tek e tashmja dhe koha përqafohet nga amshimi hyjnor.
Të dashur vëllezër dhe
motra, si çdo vit, në përfundim të Meshës Shenjte do të fillojë procesioni eukaristik
tradicional dhe do t’i drejtojmë Zotit të pranishëm në Eukaristi një përgjërim me
uratë dhe me himne. Në emër të mbarë qytetit do t’i themi: “Rri me ne o Jezus, na
u dhuro prapë dhe na jep bukën që është shujta e jetës së amshuar! Çliroje këtë botë
nga helmi i së keqes, i dhunës, dhe i urrejtjes që i njollos ndërgjegjet, pastroje
me fuqinë e dashurisë sate të mëshirshme. Ndërsa ti o Mari, që ke qenë grua “Eukaristike”
gjatë gjithë jetës sate, na ndihmo të ecim të bashkuar drejt Qiellit, të ushqyer me
Korpin dhe me Gjakun e Krishtit, bukë e jetës së amshuar dhe ilaçi i pavdekshmërisë
hyjnore. Ashtu Qoftë! Homelia e Papës Benediktit XVI në Korpin e Krishtit më
11.6.2009 në Lateran Romë.