2010-06-03 17:07:42

Nesër fillon vizita e Benediktit XVI në Qipro. Një ndihmesë në rrugëtimin drejt paqes.


Benedikti XVI do të fillojë nesër vizitën e tij apostolike në Qipro ku do të qëndrojë deri të dielën më 6 qershor. “Vizita e Papës do të jetë një ndihmesë në rrugëtimin drejt paqes.” Kështu e përkufizoi udhëtimin apostolik të Papës Racinger, Nunci apostolik, kryeipeshkvi Antonio Franco. Në një intervistë dhënë gazetës vatikanase “L’Osservatore romano”, prelati nënvizon pikat kryesore nëpër të cilat do të përshkohet kjo vizitë e Atit të Shenjtë. “Papa do të jetë misionar në gjurmët e apostujve Pal dhe Barnabë”. “Do të promovojë një turr të vrullshëm, të ri për rifillimin dhe përfundimin me sukses të procesit të paqes dhe të bashkimit të ishullit, ndarë që vitin 1974.” shprehet Nunci Franko mes tjerash.

Pyetje: Benedikti XVI po shkon në Qipro. Vështirë që vëmendja të kufizohet vetëm brenda kufijve të ishullit. Pas Turqisë, Jordanisë, Izraelit dhe Territoreve palestineze, ky udhëtim merr një domethënie emblematike, falë vëmendjes me të cilën Papa ndjek zhvillimin e çështjes së Lindjes së mesme, në të gjitha anët e ndryshme të saj.

Përgjigje: Padyshim ka një çelës konkret leximi. Qiproja, ndonëse e vogël, përfaqëson problematikat që shqetësojnë Lindjen e mesme: duke filluar nga bashkëjetesa e feve të ndryshme, tek problemet me islamin e deri tek çështjet e kufijve. Sigurisht Papa nuk mund të detyrojë askënd, e aq më pak të pretendojë të zgjidhë probleme politike që vazhdojnë prej vitesh. Po, prania e tij padyshim, do të shërbejë si nxitje për një përtëritje të re të impenjimit të përbashkët. Këtë urojnë të gjithë ndonëse për arsye të ndryshme.

Pyetje: Të ndryshme në çfarë kuptimi?

Përgjigje: Po, arsyeja e njërës palë, për shembull, është, ribashkimi territorial i ishullit, me gjithë rrjedhojat e veta, duke filluar që nga mundësia për të qarkulluar lirisht e deri tek rritja e numrit të turistëve, meqë ky ishull ka vlera të veçanta arkeologjike në veri. Arsyet e të tjerëve ndoshta lidhen me realizimin e programeve politike me frymëmarrje më të gjerë, fjala vjen, në një kuadër evropian. Sidoqoftë, po e përsëris, Papa nuk ka mundësi t’u japë zgjidhje situatave. Këtu është e pranishme OKB-ja që po punon shumë mirë për sheshimin e mosmarrëveshjeve. Pra, duhet të presim vetëm çastin kur vullneti i mirë të fitojë. Padyshim, është ogurmirë fakti që në ditët përpara ardhjes së Papës në vend, pas pothuajse dy muajsh, rifilluan bisedimet mes palëve, pikërisht më 26 maj, dhe marrëveshja duket se është më afër.

Pyetje: Nga pikëpamja ekumenike, cili do të jetë ndikimi i kësaj vizite?

Përgjigje: Natyrisht që nuk presim asgjë, tash, së shpejti. Po dua të them se efektet e vizitës u panë qysh tani, gjatë këtyre ditëve, me një fjalë, akoma pa nisur vizita. Kryeipeshkvi Krizostomos II e ka shprehur më se një herë kënaqësinë e vet dhe ka punuar shumë për t’ia mbyllur gojën ndonjë kundërshtimi të mundshëm nga ana e ekstremistëve. Është përpjekur disa herë që domethënia e këtij udhëtimi, i cili ndonëse nuk frymëzohet nga arsye të karakterit ekumenik, - por që padyshim do të japë fryte edhe për zhvillimin e dialogut, - të kuptohet mirë. Këtu duhet kuptuar edhe veçoria e Lindjes së mesme ku ka shumë kisha: ajo melkite, siriane, maronite, kopte, armene dhe kaldeje. Bëhet fjalë për kisha që nga njëra anë kanë nevojë t’i përjetojnë veçoritë e tyre liturgjike, gjuhësore dhe baritore, por nga ana tjetër kanë nevojë ta ndjejnë veten të bashkuara ndërmjet tyre. Në këtë pikëpamje, vitet e fundit është vënë re ndonjë problem. Në Qipro, ku jetojnë vetëm tri bashkësi të vogla katolikësh latinë, maronitë dhe armenë, disi më pak. Më duket se vizita e Papës vjen si me porosi prej Provanisë Hyjnore, pikërisht si element i dukshëm i atij bashkimi që këto kisha kërkojnë. Ndërsa në planin thjesht ekumenik pritet një shpresë e re në marrëdhëniet me Kishën greko-ortodokse. Por frytet, po e përsëris, do t’i vjelim pas përfundimit të vizitës së Atit të Shenjtë. Në Qipro, Kisha katolike vlerësohet veçanërisht për impenjimin në fushën shoqërore, mbi të gjitha në arsim.

Pyetje: Si po përgatiten bashkësitë katolike ta presin Papën?

Përgjigje: Ka shumë entuziazëm. Le të kuptohemi, flitet për bashkësi të vogla. Sa për të pasur një ide, mendoni se në një popullsi prej 794 mijë banorësh, katolikët janë vetëm 25 mijë. Bëjnë pjesë në një provincë të vetme kishtare të ndarë në 13 famulli. Dy ipeshkvij, dymbëdhjetë meshtarë dioqezanë, tetëmbëdhjetë rregulltarë, tetëmbëdhjetë rregulltarë jo meshtarë, si edhe dyzet e dy motra që kanë marrë kushtet. Këta përbëjnë forcën e Kishës katolike në Qipro. Sidoqoftë, edhe pse i vogël, ky grup arrin të drejtojë tetëmbëdhjetë shkolla fillore, 4 tetëvjeçare, si edhe gjashtë jetimore dhe çerdhe të marra së bashku, me shtatë mijë studentë gjithsej. Në fushën e shëndetësisë mbarështojnë dy spitale, tri poliklinika dhe një qendër për të moshuarit. Edhe në pritjen e Papës mendohet se pikërisht këta pacientë do të marrin pjesë. Unë mendoj se, falë qëndrimit pozitiv të Fortlumturisë së tij Krizostomos II në takimin me Papën do të marrin pjesë edhe shumë ortodoksë. Për shembull, mendojmë se në Meshën që do të kremtohet në stadiumin Elefteria të Nikozisë, do të marrin pjesë më shumë se 20 mijë vetë. Stadiumi ka vetëm shtatë mijë vende, pra trembëdhjetë mijë të tjerë do të jenë të shtrënguar të marrin pjesë në Meshë nga jashtë.

Pyetje: Pse u zgjodh Pafosi për mbërritjen e Papës?

Përgjigje: Sigurisht do të ishte diçka tepër domethënëse që Papa të pritej në Salaminë, në pjesën veriore të ishullit, vend ku sipas traditës thuhet se zbarkoi Shën Pali në vitin 46 pas Krishtit, i shoqëruar nga miku i tij Barnaba, themeluesi i Kishës së Qipros. Pafos është kryeqyteti i vjetër romak. Është një sit i vjetër arkeologjik, i pasur në dëshmi dhe simbole të fesë. Mes tjerash, këtu gjendet edhe shtylla e famshme, ku sipas traditës, u lidh dhe u rrah Shën Pali Apostull.

Pyetje: Si do të jetë pritja sipas jush?

Përgjigje: Di se po bëhen shumë përgatitje. Si qeveria ashtu edhe Kisha greke dhe bashkësitë katolike po punojnë papushim për një pritje të denjë. Them, se në fund, pastaj do të mobilizohen të gjithë qipriotët, të cilëve do t’iu bashkohen edhe besimtarët e shumtë që vijnë nga zonat afër. Disa kanë lajmëruar se do të marrin pjesë me ipeshkvijtë e tyre. Pritja është shumë e gjallë. Qipriotët janë njerëz të hapur. Jam i sigurtë se edhe ortodoksët e shohin Papën me nderim dhe simpati. Të gjithë shpresojnë që vizita e tij të sjellë një erë paqeje në shpirtin e faljes dhe të pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.