2010-06-03 15:36:45

Ipeshkvi Imzot Padovese vritet në Turqi. Atë Lombardi: jemi të shqetësuar


(03.06.2010 RV)RealAudioMP3 Zi për Kishën Katolike. Një ipeshkëv italian u vra sot me thikë në shtëpinë e tij në Iskenderun, në jug të Turqisë. Është imzot Luigji Padoveze, milanez, 63 vjeç, vikar apostolik i Anadollit që nga viti 2004. Kujtojmë se po në Turqi, në vitin 2006, u vra një prift tjetër katolik, don Andrea Santoro.
Sipas lajmeve të para, duket se është goditur me thikë nga shoferi, të cilit i hapi derën e shtëpisë. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi komentoi:
“Është një lajm i tmerrshëm, që na shqetëson thellësisht e natyrisht, na dhemb shpirti. Imzot Padoveze ka qenë një person me merita të mëdha për dëshminë e jetës së Kishës në Turqi, pra edhe në situata të vështira; ishte një person i përkushtuar ndaj Ungjillit, i guximshëm, e vdekja e tij na bën të mendojmë spontanisht edhe për atë të don Santoros, na bën të shohim se si dëshmia e Kishës në situata të caktuara, mund të paguhet edhe me gjak. Është e nevojshme t’i kuptojmë më mirë rrethanat dhe arsyet e kësaj vdekjeje; mbetet fakti se është jetë e dhuruar për Ungjillin. E në prag të udhëtimit të Papës drejt Lindjes së Mesme, me qëllim edhe inkurajimin e bashkësive të krishtera, që jetojnë në këtë rajon, ky fakt na bën të kuptojmë thellë se solidariteti i Kishës universale, mbështetja për këto bashkësi të krishtera është absolutisht urgjente dhe e nevojshme”.
Nesër, imzot Padoveze do të merrte pjesë në vizitën e Papës në Qipro, ku bashkë me ipeshkvijtë e tjerë të zonës, do të merrte në dorëzim dokumentin përgatitor për Sinodin e ardhshëm të Lindjes së Mesme.
Rregulltar kapuçin, imzot Luigji Padoveze u lind në Milano, më 31 mars 1947. Më 4 tetor 1965 merr kushtet e para dhe 3 vjet më vonë ato përfundimtare. Frati kapuçin shugurohet meshtar më 16 qershor 1973. Ka qenë profesor në katedrën e Patristikës në Universitetin Papnor Antonianum. Deri në ditën e shugurimit ipeshkëv, ka qenë drejtor i Institutit të Përshpirtërisë në këtë universitet, për 16 vjet me radhë. Për 10 vjet, ka kryer detyrën e vizitatorit në Kolegjin Lindor të Romës për Kongregatën e Kishave Lindore. Ka qenë këshilltar në Kongregatën për Çështjet e Shenjtorëve. Më 11 tetor 2004 emërohet Vikar Apostolik i Anadollit e ipeshkëv titullar i Monteverdes. Shugurohet në Iskenderun më 7 nëntor të po atij viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.