Festa e Korpit të Krishtit, është festa e Eukaristisë.
(03.6.2010 RV)Corpus Domini – solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit është
festa e Eukaristisë, Sakrament në të cilin Jezusi na la kujtimin e gjallë të Pashkëve
të Tij, ngjarje qendrore në historinë e njerëzimit. Është diçka e bukur që në këtë
festë besimtarët shtrëngohen rreth të Shenjtnueshmit Sakrament për ta adhuruar, e
shoqërojnë me procesion nëpër rrugë, shprehin, me shumë shenja devocionin, fenë në
Krishtin e gjallë dhe gëzimin për praninë e Tij në mes tyre. Duke e kundruar vazhdimisht
fytyrën e Fjalës së Mishëruar, që është realisht i pranishëm në Sakrament, të krishterët
mund të ushtrohen në artin e lutjes dhe të impenjohen ta jetojnë jetën e krishterë
në atë masë të lartë, që është kusht i domosdoshëm për të zhvilluar me sukses ungjillëzimin
e ri. Eukaristia është në qendër të jetës së Kishës. Në të Krishti i dhurohet Atit
për ne, duke na bërë pjesëtarë të vetë flijimit të vet, e ne na dhurohet si bukë e
jetës për të na mbështetur në shtegtimin tonë nëpër rrugët e botës. Simbolet themelore
të kremtimit janë Korpi e Gjaku i Krishtit, që Zoti ia dhuroi të vetëve të Enjten
e Madhe, para se të largohej nga Çenakulli për në Malin e Ullinjve. Na çojnë në atmosferën
intime të Pashkëve të izraelitëve, në kujtim të Pashkëve të para, kremtuar në Egjipt.
E pikërisht në një natë të tillë Jezusi del e dorëzohet në duart e tradhtarit: Fiton
kështu mbi natën, fiton mbi errësirën e së keqes. Vetëm kështu përmbushet dhurata
e Eukaristisë, e themeluar në Çenakull. Jezusi dhuron vërtetë Korpin e Gjakun e tij,
bëhet Bukë e gjallë, manë e vërtetë, ushqim i pashtershëm për të gjithë shekujt. Korpi
bëhet bukë e jetës. Simbolik është edhe procesioni i së Enjtes së Madhe, kur Kisha
e shoqëron Jezusin në Malin e Ullinjve për të mos e lënë vetëm në natën e botës, në
natën e tradhtisë, në natën e indiferencës së shumëkujt. Në festën e Corpus Domini
e bëjmë përsëri këtë procesion, por tani me gëzimin e Ringjalljes, sepse Zoti është
i gjallë e na prin, ashtu siç u pati prirë apostujve në Galilé. Dy mijë vjet më parë,
në sa u printe në dy drejtime, Jezu Krishti u dha nxënësve të vet dy mandate kryesore:
“Shkoni e mësojini të gjithë popujt” – dhe - “Mos më ndaloni, sepse nuk jam ngjitur
ende tek Ati”. E Jezusi na prin pikërisht drejt Atit, ngjitet në lartësinë e Hyjit
e na fton ta ndjekim, sepse caku i vërtetë i shtegtimit tonë është bashkimi me Zotin,
i cili vijon të na ftojë të ecim nëpër rrugët e botës duke ua çuar Ungjillin të gjithë
popujve e duke ua dhuruar dashurinë e tij njerëzve të të gjitha kohërave. Kështu
të dy procesionet, ai i Udhës së Kryqit dhe ky i Corpus Domini, na kujtojnë të njëjtën
thirrje: “Çojeni Ungjillin deri në kufijtë më të largët të botës”. Eukaristia,
themeluar nga Jezusi në familjen e tij të re, të përbërë nga Dymbëdhjetë Apostujt,
është Sakrament intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin
fjalët: “Sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”. E Shën Pali, duke iu drejtuar
Korintianëve, na kujton: “Secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë
nga kjo bukë e të pijë nga ky Kelk!”. Megjithëse Eukaristia ka karakter familjar,
forca e saj shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament Zoti është
gjithnjë për udhë, drejt botës. Ky aspekt universal i pranisë Eukaristike bëhet i
dukshëm në festën e Korpit e të Gjakut të Krishtit, sepse Kisha e çon Krishtin, të
pranishëm në trajtën e bukës, nëpër rrugët e qytetit. Ia beson këto rrugë, këto shtëpia
– jetën tonë të përditshme – mirësisë së Tij. Qofshin rrugët tona – rrugët e Jezusit!
Shtëpitë tona qofshin për Të e me Të. Jeta jonë e përditshme u përshkoftë nga prania
e Tij. Procesioni është bekim i madh për rrugët e botës, sepse përmes tij Kisha vë
para syve të Zotit vuajtjet e të sëmurëve, vetminë e të rinjve e të pleqve, tundimet,
frikën – gjithë jetën njerëzore. Kujtojmë sot edhe mandatin e Krishtit: “Merrni e
hani!” e simbolin e bukës, përmes së cilës bashkohemi me Jezusin, e lemë veten të
përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shpërblyes. Jeta jonë shkrihet me të Tijën,
shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi e procesioni
bëhen pjesë e gjestit të vetëm të bashkimit me Zotin!