2010-06-02 15:52:24

Turqia kërcënon të prishë marrëdhëniet me Izraelin për shkak të “Flotiljes së Lirisë”


(02.06.2010 RV)Turqia kërcënon se do të rishikojë marrëdhëniet e saj me Izraelin, nëse shteti hebraik nuk liron të gjithë aktivistët e anijeve të Flotiljes së Lirisë, që u bllokua me zjarr nga ushtria në ujrat ndërkombëtare, pranë Gazës. Anijet ishin ngarkuar me ndihma humanitare për palestinezët dhe vullnetarët shoqërues ishin organizuar nga një shoqatë joqeveritare turke.
Ministri i jashtëm i Ankarasë, Ahmet Davutoglu pohoi sot se afati skadon pas 24 orësh. Gjithashtu, parlamenti turk ka vendosur masa kundër Izraelit, të cilat nuk u bënë të njohura për gazetarët.
Ndërkaq, Tel Avivi ka filluar kthimin e aktivistëve me avion në Turqi, prej nga lihen të lirë të shkojnë në vendet e tyre. Sot, ishte parashikuar zbarkimi në Gazë i një anijeje irlandeze, që bënte pjesë në Flotiljen e Lirisë, por për arsye të ndryshme, nuk arriti në vend bashkë me shoqet. Duke marrë parasysh situatën, autoritetet irlandeze i kanë kërkuar Izraelit të mos e bllokojë anijen, e cila parashikohet ta vonojë edhe më zbarkimin, ndoshta deri të hënën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.