2010-06-02 17:21:08

Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Marçelinin dhe Shën Pjetrin.


(02.06.2010 RV)Ishin të dy të krishterë të bashkësive të para romake. Si u zbulua që kishin rrokur fenë e Krishtit, u zvarisën jashtë qytetit, në një vend që njihet me emrin “Dy Lasuret”, gjatë Rrugës Labikana, pranë trojeve të lateranëve, pikërisht atje ku sot lartohet bazilika e famshme e Shën Gjonit në Lateran, njëra nga bazilikat patriarkale romake e seli e ipeshkvit të Romës. Këtu i detyruan t’i bëjnë varrin vetes duke e gërmuar me duar. Si u bë gati gropa, ua prenë kokat. Trupat e tyre ranë në varrin e hapur e u mbuluan sakaq me dhé. Disa ditë më pas, matrona e përshpirtshme, Lucilla, i mori trupat e tyre dhe i varrosi me nderim.
Perandori Kostandin, sipas dëshirës të së ëmës, ngriti mbi eshtrat e martirëve një bazilikë madhështore e po aty, ndërtoi mauzoleun, ku vendosi trupin e Elenës, para se ta çonte për të pushuar në banesën e fundit, në Kostantinopojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.