2010-06-02 15:52:11

Mbledhja e Sarajevës ripohoi impenjimin evropian për integrimin e Ballkanit në BE


(02.06.2010 RV)U zhvillua sot mbledhja një-ditore e Sarajevës për t’u dhënë garanci vendeve të Ballkanit Perëndimor se Brukseli e shikon pozitivisht integrimin e tyre në Bashkimin Evropian. Natyrisht, jo pa plotësuar një sërë kushtesh, si forcimi i rolit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sigurimi i lirisë së mediave dhe i bashkëpunimit rajonal.
Në takimin e trumbetuar prej kohësh, morën pjesë Shqipëria, Kosova, Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat janë në stade të ndryshme në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ishin gjithashtu të pranishëm edhe përfaqësuesit e vendeve evropiane, ata të Rusisë, të Turqisë, të SHBA-ve, si edhe krerë të institucioneve evropiane.
Analistët nuk besojnë në rëndësinë e këtij takimi, i cili bëhet në 10-vjetorin e mbledhjes së Zagrebit, ku për herë të parë, Brukseli i premtoi Ballkanit Perëndimor një të ardhme në gjirin e Bashkimit Evropian. Nga njëra anë, sidomos në Bosnjë, popullsia është lodhur së prituri integrimin në institucionet evropiane, e nga ana tjetër, mbledhja u zhvillua në një nivel më të ulët nga parashikimi, për t’u lejuar Serbisë e Kosovës të merrnin pjesë sëbashku. Vërtet, mbledhja përdori formën “Xhimnik”, që i paraqet pjesëmarrësit me emër dhe jo me detyrën që kanë, ose me emrin e vendit nga vijnë. Gjithashtu, Beogradi arriti të vendosë pranë përfaqësuesit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, ministrin e jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni, për të theksuar faktin se Serbia e njeh Kosovën vetëm në kuadrin e marrëveshjes 1244 të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria përfaqësohej nga ministri i jashtëm, Ilir Meta.







All the contents on this site are copyrighted ©.