2010-06-02 15:52:38

Intervistë me ambasadorin e Qipros në Vatikan, George Poulides


(02.06.2010 RV)Benedikti XVI do të jetë Papa i parë, që do të vizitojë ishullin e Qipros. Natyrisht, kjo i jep një rëndësi të madhe historike udhëtimit të tij apostolik. As Gjon Pali II, Papa që i ka rënë disa herë rrotull botës, nuk arriti ta përfshinte Qipron në udhën e vet. Si u arrit të ftohej Ati i Shenjtë? Cilat janë hapat, që do ta çojnë të premten Benediktin XVI në ishullin e ndarë ndërmjet grekëve e turqve, për të takuar ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme? Pyetëm ambasadorin e Republikës së Qipros në Selinë e Shenjtë, George Poulides:RealAudioMP3
Kryepeshkopi i Qipros, Krizostomos, në më pak se një vit nga zgjedhja, në qeshor 2007, erdhi si i ftuar i Selisë së Shenjtë në Vatikan dhe ftoi Shenjtërinë e Tij të vizitojë ishullin. Në nëntor të vitit 2008, Bashkësia e Shën Egjidit organizoi ditën e lutjes në Qipro, me mëse 3 mijë vetë, me patronazhin e qeverisë qipriote dhe të Kishës ortodokse të vendit. Në mars 2009, presidenti i ri i Republikës së Qipros, Dimitri Kristofias shkoi për vizitë zyrtare në Vatikan dhe ftoi Atin e Shenjtë të vizitojë ishullin tonë. Në tetor 2009, u mblodh në Pafos, Komisioni katolik e ortodoks. Siç e shihni, kushtet për vizitën e Atit të Shenjtë janë pjekur gjatë viteve.
Qipro është akoma i ndarë e ndoshta pritet që Papa të thotë diçka edhe për këtë. Mendoni se fjalët e Benediktit XVI mund të favorizojnë ndonjë zgjidhje, apo jo?
Ne shpresojmë që vizita e Atit të Shenjtë të tërheqë vëmendjen e botës mbi ishullin tonë, mbi përpjekjet e bëra nga presidenti i Republikës me bashkësinë turko-qipriote për të gjetur një zgjidhje. Fjalët e Papës për paqen janë shumë të rëndësishme për ne.
Papa nuk do të shkojë në pjesën myslimane të veriut, pasi vizita nuk e parashikon. Pavarësisht nga kjo, a do të kenë ndikim fjalët e Atit të Shenjtë edhe mbi popullsinë e mbi krerët fetarë të kësaj pjese?
Papa do t’u flasë të gjithë qipriotëve. Për atë që do të thotë, nuk jam në gjendje – e as që më lejohet – të komentoj, apo të sugjeroj, por Benedikti XVI do të flasë për paqe e kjo është ajo, që na intereson të gjithëve. Ne duam paqen dhe bashkimin e ishullit.
Popullsia e Qipros është e ndarë, por kjo ndarje nuk ka origjinë fetare…
Në Qipro nuk ka ndodhur kurrë ndonjë ndeshje ndërmjet feve, ndërmjet myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve dhe armenëve. Të gjithë jetonim sëbashku në fshatra, pak turq e pak grekë. Pas sulmit të ushtrisë turke në vitin 1974, me mëse 200 mijë refugjatë në jug e me detyrimin e vendosur për turko-qipriotët që të shkonin në zonat e pushtuara, gjërat ndryshuan. Duhet të keni parasysh se edhe turko-qipriotët, të cilët janë rreth 70 mijë në veri, nga viti 1974 e deri më sot kanë emigruar shumë në Angli, Amerikë, Australi e Kanada, sepse edhe ata janë “të pushtuar” nga ushtria turke.
Çfarë humbën qipriotët nga pushtimi i ushtarakëve turq?
Para së gjithash, mëse 200 mijë vetë humbën shtëpitë e pronat e janë refugjatë në vendin e tyre. Nga ana tjetër, të gjitha kishat, manastiret e varrezat ose janë shkatërruar, ose janë lënë në mëshirë të fatit në territoret e pushtuara, ndërsa nga ana tjetër e kufirit, në pjesën greko-qipriote, xhamitë dhe vendet e shenjta islamike janë në funksionim të plotë.
Turqia dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, por jo pa zgjidhur problemin e Qipros…
Unë uroj me gjithë zemër, që shpejt të gjendet zgjidhja edhe për qytetin e fundit evropian, të ndarë me mur, e për vendin e fundit evropian, të pushtuar nga një forcë e huaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.