2010-06-01 17:10:33

Raporti mbi klerin dhe internetin: meshtarët i drejtohen teknologjive të reja për ungjillëzimin.


(01.06.2010 RV)RealAudioMP3 “Meshtarët dhe interneti”. Ky është titulli i një raporti kushtuar përdorimit të internetit nga meshtarët në të gjithë botën, realizuar nga universiteti i Zvicrës italiane dhe nga Universiteti i Krygjës Shenjte, që u paraqit në Sallën Markoni të Radio Vatikanit. Merrte pjesë edhe prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Klaudio Humes...
“Çfarë bëjnë meshtarët në internet dhe cili është qëndrimi i tyre ndaj teknologjive dixhitale?” Këto janë pyetjet prej nga filluan kërkimet demoskopike me temën “Meshtarët dhe interneti” në të cilën u anketuan rreth pesë mijë meshtarë nga 117 vende. Veçanërisht domethënëse disa të dhëna: 94% e të intervistuarve pohon se lidhet me internetin çdo ditë dhe 46% shton se e përdor internetin për të mbledhur material për homelitë. 94% e tyre mendon se përdorimi i teknologjive dixhitale e përmirëson formimin e klerit, ndërsa 85% e meshtarëve të pyetur thotë se interneti është një mjet i dobishëm për t’u informuar. Prap, 52% e meshtarëve janë të mendimit se interneti ndihmon në përhapjen e mesazhit të krishterë dhe 72% thotë se teknologjitë e sotme janë të përshtatshme për transmetimin e fesë në kulturën e sotme. Rreth 80% e të anketuarve e përdor internetin për të komunikuar me njerëzit, ndërsa 26% përdor çdo ditë sitin Facebook. Në përfundim, afro 90% e meshtarëve të intervistuar mendon se përdorimi i teknologjive dixhitale është pozitiv ose shumë pozitiv për misionin meshtarak.
Kongregata për Klerin tha kardinali Klaudio Humes është shumë e interesuar për përfundimet e këtij sondazhi për të gjetur metoda të reja për “ungjillëzimin e kontinentit dixhital” siç ka thënë edhe vetë Ati i Shenjtë.
Në konferencë mori pjesë edhe përgjegjësi i Zyrës internet të Vatikanit, imzot Lusio Ruiz. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Thirrja e Atit të Shenjtë është jo vetëm për përdorimin e mjeteve, por edhe për zbulimin e asaj që me të vërtetë përbën një dukuri të re. Papa flet për një realitet të ri, që sfidon Kishën, që sfidon ungjillëzimin. Pra, për ne, mundësia për të njohur gjendjen e Kishës sot, në mes të barinjëve të vet, është shumë, shumë e rëndësishme për të parë se në ç’mënyrë Kisha i ka përqafuar ose i ka kuptuar ndryshimet kulturore.

Pyetje: Cilat janë sfidat e ungjillëzimit të “kontinentit dixhital”?

Përgjigje: Gjëja e parë është të zbulojmë atë që thotë Ati i Shenjtë: është një kulturë e re. Pastaj në një ungjillëzim të ri duhet të mësojmë gjuhën e re, ashtu siç bënin misionarët kur zbulonin një vend të ri. Duhet kuptuar kjo kulturë dhe duhet të mësojmë gjuhën e saj, në mënyrë që Krishti të bëhet i pranishëm në kulturën dixhitale. Të dhënat që dalin nga këto sondazhe janë shumë pozitive sepse vihet re që Kisha është e pranishme. Tashmë duket se e kemi përqafuar sfidën e ndryshimeve kulturore.







All the contents on this site are copyrighted ©.