2010-05-31 06:10:52

Vizita e imzot Ravazit në Ukrainë, me qëllime baritore dhe për dialog ekumenik


Javën e kaluar, kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Xhanfranko Ravazi ishte për vizitë në Ukrainë. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte aktualizimi i rezultateve të Sinodit të ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit në situatën e Kishës ukrainase dhe vlerësimi i traditës kulturore të krishterë të vendit. Imzot Ravazi mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare organizuar nga Kisha greko-katolike, me temë “Fjala e Zotit në jetën e në misionin e Kishës në Ukrainë”. Vizita, që përfundoi të premten, u karakterizua edhe nga ekumenizmi, me takimin në Kiev me Mitropolitin Vladimir, të Kishës Ortodokse të Patriarkatit të Moskës. Të dëgjojmë vetë imzot Xhanfrako Ravazin, në mikrofonin tonë:
Prania ime në Ukrainë lidhet sidomos me një temë të veçantë. Para së gjithash, me përmasën kulturore të Biblës: ta shikojmë Shkrimin Shenjt si pasuri kulturore për qytetërimin evropian. Kjo sjell marrjen në shqyrtim jo vetëm të cilësive teologjike, por edhe të atyre letrare të Biblës. Kjo, që ishte përmasa kryesore e udhëtimit tim në Ukrainë, u pasurua edhe me tre elemente të tjera. Së pari, takimi me kulturën e këtij vendi. Vizita në qytetin e Lvivit, të cilin nuk e njihja, më bëri shumë përshtypje, sidomos kur pashë shumëllojshmërinë e stileve, që tregojnë për një kulturë të pasur. Së dyti, takimi me botën civile. Së treti, natyrisht, edhe përmasa ekumenike, sepse pa dyshim që Ukraina është një territor ku bashkëjetojnë shumë konfesione të krishtera. Dialogu ekumenik ka çaste intimiteti e çaste vështirësie. Por dialog, do të thotë edhe ta mendojmë ndryshe nga njëri-tjetri, jo gjithmonë në sintoni. Po marr një shembull muzikor, duetin: ky mund të jetë me një soprano dhe me një bas, që janë dy zëra të kundërt. Basi nuk duhet të këndojë në falset për të imituar sopranon dhe sopranoja nuk duhet të ulet në nivelin e basit. Secili ka identitetin e vet, por nëse është vërtet dialog, krijon harmoni. Por kjo nuk është e lehtë e kërkon përpjekje afatgjata.







All the contents on this site are copyrighted ©.