2010-05-31 06:10:29

Solemniteti i Trinisë Shenjte na kujton se ‘Zoti është dashuri”.


Zoti është dashuri” e vetëm duke hyrë në këtë dashuri, njeriu gjen të vërtetën e vet dhe lumturinë e vet.
“Zoti është dashuri”; kjo fjalë përmbledh gjithë zbulesën hyjnore. E dashuria është gjithnjë mister. Jezusi na e zbuloi misterin e Zotit: Ai, Biri, na bëri ta njohim Atin që është në Qiell, e na dha Shpirtin Shenjt, dashuri e Atit dhe e Birit. Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Zotit, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, i cili është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Teologjia e krishterë e përmbledh të vërtetën mbi Zotin me këtë shprehje: Zoti është një i vetëm në tri vetje hyjnore. Hyj nuk është vetmi, por bashkim i përkryer. Prandaj njeriu, shëmbëlltyrë e Zotit, realizohet në dashuri, që është dhurim i sinqertë i vetvetes. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne kemi tepër nevojë për Të. Eukaristia na thotë se jetën mund ta gjejmë vetëm duke e dhuruar e jo duke e përvetësuar. E megjithatë njeriu e kërkon këtë lloj jete, ashtu si djali plangprishës: dëshiron të jetë plotësisht i lirë. Në këtë këndvështrim të jesh i lirë do të thotë të bësh gjithçka dëshiron; të mos pranosh asnjë kriter jashtë vetvetes e mbi vetveten. Do të thotë të ndjekësh vetëm dëshirat e vullnetin vetjak. Kush jeton kështu, shumë shpejt do të ndeshet me tjetrin, i cili dëshiron të jetojë në të njëjtën mënyrë. Pasoja e natyrshme e këtij konceptimi egoistik të lirisë është dhuna, shkatërrimi i anasjelltë i lirisë dhe i jetës.
Por të duash, do të thotë edhe të jesh gati për të vuajtur. Dashuria e vërtetë është kërkuese. Prandaj ka njerëz që e refuzojnë krishterimin: sepse nuk e pranojnë misterin e Kryqit. Kryqi është dashuri që nuk njeh kufi, që nuk ndalohet përballë shkandullit të vuajtjes e të flijimit të vetvetes. E pikërisht në Eukaristi takojmë Zotin që zhvishet për ne nga lumnia e tij hyjnore, e lë veten të poshtërohet deri në vdekjen në kryq e kështu i dhurohet secilit prej nesh.
Të duash do të thotë ta dhurosh jetën e jo ta marrësh. Pikërisht kështu fitojmë përvojën e lirisë. Fitojmë lirinë nga vetvetja, hapësirën e qenies. E, në dritën e misterit të Pashkëve, na zbulohet plotësisht qendra e gjithësisë dhe e historisë : Zoti, një i vetëm në tri Vetje, Dashuri e amshuar, e pamasë.
Misteri i Trinisë Shenjte e kapërcen çdo arsye, pa e kundërshtuar, e vijon të na kujtojë se “Zoti është dashuri”: nuk është vetmi, por bashkim i përsosur. Prandaj çdo njeri “shëmbëlltyrë e Zotit”, realizohet në dashuri. E ky është edhe kuptimi i solemnitetit të të Shenjtënueshmes Trini, që Kisha e kremtoi sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.