2010-05-31 06:09:46

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Të dielën e sotme më 30 maj, Kisha kremton Festën e Trinisë Shenjte. Gjithnjë sot më 30 maj kalendari Kishtar kujton edhe Shën Ferdinandin, mbret i Kastiljes e Shën Zhanën d’Ark, virgjër.
Festa e sotme na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por “bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostin.
Nesër e hënë 31 maj, kalendari Kishtar kremton festën e Pasisë së Zojës së Bekuar, e Kisha mbyll muajin kushtuar nderimit të Virgjërës Mari. Zoja e Bekuar shkon të vizitojë Elizabetën. Nuk shkon për të kaluar kohën. Bën një udhëtim të vërtetë apostolik, gjatë të cilit kumton Fjalën që i tha Engjëlli i Tënzot dhe këndon mrekullitë e Zotit në jetën e saj.
Është dita e fundit e majit, kushtuar Zojës së Bekuar, që kremtohet në të gjitha Kishat katolike të botës, e në këtë ditë në të cilën kremtohet festa e Pasisë së Zojës, liturgjia shpjegoi se Vigjëra Mari është ikonë mahnitëse e Kishës, me rininë e saj të përhershme, që buron nga Shpirti Shenjt Zot, e Kishës, misionare e Fjalës së Hyjit të Mishëruar.

Të martën e ardhshme më 1 qershor, kalendari përkujton Shën Justinin, filozof e martir. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

Edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi t’i hapim mend e zemër, për t’i bërë vend fjalës që shëlbon. Këtë na kujton festa e Shën Marçelinit meshtar, e Shën Pjetrit ekzorçist e martir dhe e shën Eugjenit, papë, që do të kremtohet të mërkurën më 2 qershor.

Të enjtën e ardhshme më 3 qershor, kalendari Kishtar do të kremtojë Solemnitetin e Korpit e të Gjakut të Krishtit. Kremtimi i kësaj feste të rëndësishme liturgjike, në shumicën e vendeve të botës shtyhet, edhe në trevat shqiptare, kështyhet për të dielën e ardhshme, për t’u mundësuar besimtarëve një pjesëmarrje sa më të madhe, meqënëse të enjtën është ditë pune.
Solemniteti i Korpit e Gjakut të Krishtit na nxit të reflektojmë se dashuria për Zotin nuk mund të ndahet nga dashuria për të afërmin: janë dy faqe të së njëjtes medalje e stil i një jete, që e ka themelin e vet tek Krishti i vdekur e i ngjallur, që na la si trashëgim dashurie, Korpin e Gjakun e vet.

Gjithnjë të enjtën më 3 qershor, kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Karl Lvanga me shokë, martirë të Ugandës dhe Shën Klotilda, mbretëreshë e frankëve.
Liturgjia na kujton që Jezusi kumton Pashkët e tij, por dishepujt duket se nuk kujtohen fare për këtë: arsyetojnë me logjikën njerëzore të pushtetit. E edhe ne si ata. Logjika e Kryqit mund të fitohet vetëm me shpirtin e shërbimit.
 
Të premten më 4 qershor kalendari do të përkujtohet Shën Françesk Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe e Shën Kuirini, martir. Na kujtojnë se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.
 
Liturgjia e së shtunë më 5 qershor, na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile. Është festa e Shën Bonifacit, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë.
 
Të dielën e ardhshme më 6 qershor, bie e diela e X gjatë vitit kishtar. Po këtë ditë më 6 qershor, kalendari Kishtar përkujton edhe festën e Shën Norbertit, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; e Shenjtërve Artemi e Paolina, martirë dhe Shën Klaudio, abat e ipeshkëv,
Liturgjia e ditës na kujton se në bisedën që bëjnë saduçejtë e farizenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.