2010-05-31 18:18:18

Përfundoi muaji i majit, kushtuar Zojës së Bekuar: në Kopshtet e Vatikanit, me procesionin tradicional.


(31.05.2010 RV)Sonte, duke nisur nga ora 8.00, qindra besimtarë po përshkojnë përsëri rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, duke thënë Rruzaren Shenjte, në përfundim të muajit marian. Në sa mbi Kopshtet ka rënë dalë-nga-dalë muzgu, besimtarët po i shprehin, përmes lutjes, mirënjohjen Zotit Krijues.
Çdo vit, më 31 maj, qindra flakëza ndriçojnë rrugicat e bleruara të Vatikanit. Janë qirinjtë e besimtarëve, që luten e u këndon vetë zemra, në sa ecin nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve, për të arritur tek Shpella e Lurdës, ku është në kremtim e sipër Liturgjia e Fjalës së Zotit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, Kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit e Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së tij për Qytetin e Vatikanit. Në përfundim të kremtimit, besimtarëve do t’u flasë edhe Benedikti XVI.
Pranë kësaj Shpelle simbolike tashmë mund të kundrohet edhe mozaiku i Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve.
E duke thënë Rruzaren, besimtarët kujtojnë lindjen e Jezusit dhe fëmijërinë e tij të parë, të udhëhequr në mënyrë pothuajse të dukshme nga Shpirti Shenjt. E Zemra e Zojës, në përkim të plotë me atë të Birit hyjnor, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet me fe, me shpresë e me dashuri.
Prej këndej, dëshira për t’i përngjarë Nënës së Jezusit, sepse në shkollën e Marisë edhe ne mësojmë ta njohim praninë e Shpirti Shenjt në jetën tonë, ta ndjejmë frymëzimin që vjen prej tij e ta ndjekim përvujtërisht. Ai na bën të rritemi, sipas natyrës së Krishtit, e na dhuron frytet e mira, që Shën Pali Apostull i numëron në Letrën drejtuar Galatëve: “Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, butësinë, besnikërinë, përvujtërinë, vetsundimin” (Gal 5,22).
 Kujtojmë se dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, edhe në Shqipëri e në Kosovë, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa e në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës në Letnicë.







All the contents on this site are copyrighted ©.