2010-05-31 08:16:52

Maji, muaj i Marisë: Kisha ia beson Nënës së Hyjit nevojat e njerëzimit të mbarë botës.


Maji, muaj i Marisë: Kisha ia beson Nënës së Hyjit nevojat e njerëzimit të mbarë botës.
Sipas traditës së lashtë popullore, muaji i majit i kushtohet Marisë. E Kisha ia beson Asaj, Nënës Qiellore nevojat e njerëzimit të mbarë botës. Maria është Nënë e Mësuese e fesë dhe e dashurisë për të krishterët e të gjitha kohërave. Në mbrëmjen e 31 majit, besimtarët katolikë organizojnë kremtimet përfundimtare të muajit marian duke ia besuar veten e të gjithë ata që kanë për zemër.


Po si lind devocioni për Zojën e Bekuar?
Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit e që atë ças Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.
 
E çfarë roli ka Maria në historinë e shëlbimit? Ç’ thotë për këtë doktrina katolike?
Përgjigje: - Thotë gjënë e mrekullueshme, që e pohojmë në Besojmë: Jezusi, Shëlbuesi e Biri i Hyjit, lindi nga Zoja e Bekuar për shëlbimin tonë. Në shekujt e parë të Kishës pati diskutime të vazhdueshme, pas të cilave Koncili i Efezit e quajti ‘Theotokos’, Nënë e Zotit. E unë prekem ende thellë kur shtegtoj nëpër Evropë, e posaçërisht në Moskë, e shikoj këtë mbishkrim: “Maria, Nëna e Hyjit”. Atëherë theksoj që gjëja kryesore është se nuk mund ta ndajmë dot Birin nga Nëna. E pikërisht me këtë bindje feje, Maria u quajt Zojë e Papërlyer, sepse nuk mund të kishte asnjë njollë mëkati. Më pas, edhe e Ngjitur në qiell, dogma e fundit e shpallur nga Piu XII - që pohon se Maria u ngjit në qiell me korp e me shpirt. Pse? Sepse nuk mund të mbetej e ndarë nga qielli.


Devocioni për Zojën e Bekuar është shumë i përhapur në mbarë botën, edhe ndër shqiptarë, por mund të ndodhë që të mos përkojë me fenë e jetuar çdo ditë, në çdo rrethanë. Si mund ta jetojmë këtë përshpirtëri me fe të vërtetë?
Përgjigje: - Edhe Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën baritore ‘Gaudium et Spes’, thekson me ngulm se është e nevojshme të kapërcehet hendeku ndërmjet besimit e praktimit të tij në jetë. Kemi shumë nevojë ta ushqejmë fenë në Krishtin Zot, që devocioni të jetë përherë i vërtetë e Maria të mbetet gjithnjë Nëna që na çon te Biri, te Jezusi.


Ç’do të thotë të jetosh fenë në Zotin duke ia besuar vetveten Zojës ë Bekuar?
Përgjigje: - Maria – na thotë Ungjilli, na e thotë Elizabeta e ndriçuar nga Shpirti Shenjt- është besimtare, besimtarja e parë e përkryer. Prandaj Kisha ne ftoi gjatë këtij muaji të vihemi në shkollën e fesë, të shërbimit e të dashurisë, të vijojmë udhën në gjurmët e Marisë për të takuar Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.