2010-05-31 06:10:40

Jeruzalemi me ipeshkvin e ri ndihmës


Të enjten e kaluar, në Bazilikën e Shën Katerinës në Betlehem, mori në dorëzim detyrën e ipeshkvit ndihmës të Jeruzalemit, besuar nga Papa më 31 mars, imzot Uiliam Hana Shomali. Mesha e rastit u kremtua nga Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tval. Në mikrofonin tonë, imzot Shomali reflekton mbi gjendjen e vështirë në Tokën Shenjte, ku procesi i paqes është në vendnumëro. Ta dëgjojmë:
Është e vërtetë, që situata politike është e vështirë e sidomos, natyra e konfliktit, që përjetojmë tashmë prej vitesh – prej rreth një shekulli – nuk është vetëm ushtarake, territoriale, apo politike, por sidomos ideologjike. E dimë se çrrënjosja e ideologjisë nuk është e lehtë, por duhet ta provojmë t’i bindim, të dialogojmë me njerëzit, e kjo natyrisht nuk ndihmohet nga dhuna. Dhuna nuk është çelësi për zgjidhjen e konfliktit të Lindjes së Mesme. Është përdorur shumë dhunë, por pa ndonjë dobi. Duhet të dialogojmë, të kemi durim, të punojmë sëbashku e të lutemi, sepse Zoti është më i forti. Paqja është buka jonë e përditshme e duhet ta kërkojmë çdo ditë e sidomos, duhet ta meritojmë. Do të vijë ora e paqes, ndoshta nuk është nesër, por ndoshta do të jetë pasnesër. Koha e Zotit, ora e Hyjit është e ndryshme nga ora jonë. Por ne duhet të lutemi, të punojmë e të kemi durim, gjithnjë me shpresën – e për këtë jemi të sigurtë – se paqja në Tokën Shenjte do të vijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.