2010-05-31 18:17:10

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot foli për Trininë, duke theksuar: shenja e Kryqit është përqafim i Zotit.


(31.05.2010 RV)Misteri i Trinisë Shenjte, kremtuar në liturgjinë e djeshme dhe shtegtimi i afërt apostolik në Qipro, me frymë të thellë ekumenike, përveçse kishtare, ishin dy temat kryesore, të cilave Benedikti XVI i kushtoi takimin e djeshëm me shtegtarët në lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa u ndal posaçërisht tek vlera e madhe e shenjës së Kryqit, përmes së cilës – nënvizoi – të krishterët kujtojnë emrin e Zotit.

Shpesh është një shenjë e bërë shpejt e shpejt, në mënyrë gati të padukshme, në ball, në kraharor e në shpatulla. Por në atë të imtë kohe, në të cilën e bëjmë këtë shenjë, kryhet një akt i thellë feje: kujtohet Trinia Hyjnore e cila, që në ditën e Pagëzimit, nis të banojë në shpirtin tonë.RealAudioMP3

50 mijë shtegtarëve e besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u kujtoi rëndësinë e shenjës së Kryqit, duke u mbështeur tek meditimi i një teologu të madh, Romano Guardini, i cili shpjegon domethënien shpirtërore të kësaj shenje, që mund të kthehet thjeshtë në një lëvizje automatike:
“E bëjmë para lutjes, që të na vërë shpirtërisht në rregull; na nxit t’i përqendrojmë mendjen, zemrën e vullnetin, në Zotin; e bëjmë pas lutjes, për të mbetur në ne dhurata e Zotit. Ai pushton gjithë qenien tonë, korp e shpirt, … e gjithçka kthehet në përkushtim, në emër të Zotit, Njëní e Triní”.
Pak para këtyre fjalëve, Papa foli për misterin e Trinisë, që simbolizohet në shenjën e Kryqit, duke pohuar se kjo shenjë, në një farë mënyre, përmbledh shkurtimisht zbulimin e Zotit në misterin e Pashkëve:
“Vdekja e ringjallja e Krishtit, ngjitja e Tij në të djathtën e Atit e ndikimi i Shpirtit Shenjt! Mendja e gjuha njerëzore nuk mund ta shpjegojnë lidhjen ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, e megjithatë, Etërit e Kishës u përpoqën të hyjnë në misterin e Zotit, Një i vetëm, në tri Vetje, duke e jetuar në shtegtimin e tyre mbi tokë, me fe të gjallë”.
Prandaj mund të themi se në shenjën e Kryqit e në emër të Zotit të gjallë, përmblidhet gjithë kumtimi, që lind fenë e frymëzon lutjen – vijoi Benedikti XVI - duke nënvizuar, më pas, rolin e pazëvendësueshëm të meshtarit në përhapjen e të vërtetave të fesë, që zbresin nga Trinia, përmes Sakramenteve:
Edhe famullitari shenjt i Arsit ua kujtonte vazhdimisht këtë besimtarëve të tij: “Kush e mirëpriti shpirtin tuaj – u thoshte – para se të hynit në jetë? Meshtari! Kush do t’ju përgatisë për të dalë para Zotit, duke ju larë për herë të fundit në gjakun e Krishtit? … Gjithnjë meshtari”.
Papa e përfundoi reflektimin para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke cituar Shën Hilarin e Puatjesë, i cili në shekujt e parë të Kishës lutej që feja, e marrë përmes gurrës së Pagëzimit, të mbetej në shpirtin e tij e pastër, e kulluar, deri në frymën e fundit.
Në përshëndetjen, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, shqiptuar në gjashtë gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë kujtoi vizitën në Qipro, nga 4 deri më 6 qershor, për t’u takuar me përfaqësuesit e Kishave mesdhetare, në sa bëhen përgatitjet e fundit për Sinodin e tetorit. “Ju kërkoj – tha në gjuhën angleze – të luteni për paqen e begatinë e popullit të Qipros, e edhe për përgatitjen e Asamblesë së posaçme të ipeshkvijve.
Më pas Benedikti XVI kujtoi edhe lumnimin e Maria Pierina De Mikeli-t, kremtuar dje paradite në Romë. E duke përshëndetur shtegtarët, ardhur në Qytetin e Amshuar për të nderuar kujtimin e kardinalit Çelso Kostandini, kujtoi se dy ditë më parë u paraqit Ditari i kardinalit, titulluar “Nëpër shtigjet e luftës (1938-1947)”:
Ky botim është me interes të madh historik. Kardinali Kostandini, shumë i lidhur me Papën Piu XII, e shkroi kur ishte Sekretar i Kongregatës së Propaganda Fides (Kongregata për përhapjen e fesë). Ditari i tij flet qartë për veprimtarinë e jashtëzakonshme të Selisë së Shenjtë në këto vite dramatike, në ndihmë të paqes e të të gjithë nevojtarëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.